E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mehmet Shehu, i lodhur, lë Ministrinë e Mbrojtjes

Autori i Lajmit: Androkli DraloTiranë, 8 maj 1980 - Tirana zyrtare ka lajmëruar lëvizje në qeveri, ku pritet të ndryshojnë emrat e tre ministrive diçka që ndodhi për herë të parë në mesin e viteve 1970 kur vendi ishte dëshmitar i një prej ndryshimeve më të mëdha qeveritare pas periudhës së luftës. Atëherë, anëtari i Byrosë Politike dhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, kryesonte listën e të përjashtuarve, që përbëhej nga zyrtarë po kaq të lartë të partisë. Balluku u zëvendësua në vitin 1974 nga kryeministri Mehmet Shehu, bashkëluftëtari më i afërt i Enver Hoxhës. Ky ishte një hap i paprecedent për një kryeministër komunist që të merrte portofolin e ministrit të Mbrojtjes dhe kështu Shehu u bë diçka më tepër se numri 2 i Shqipërisë. Lajmi më i fundit nga Tirana është se kryeministri Shehu do ta lërë portofolin e dytë të ministrit të Mbrojtjes, vend që pritet ta zërë Kadri Hazbiu, më parë ministër i Brendshëm. Pavarësisht refuzimit të vendit të ministrit të Mbrojtjes, shpjegimi zyrtar për lënien e kësaj përgjegjësie të madhe është fakti se Shehu është kryetar i Këshillit të Ministrave, dhe do të vazhdojë të mbetet numri 2 i Shqipërisë. Deri tani nuk është parë asnjë shenjë e ndonjë mosmarrëveshjeje mes Hoxhës dhe Shehut në të shkuarën. Përkundrazi, ky duket se është problemi. Ndryshimet e bëra në mesin e viteve 1970 ishin një refleksion i trazirave në udhëheqjen shqiptare përballë mosmarrëveshjeve politiko-ideologjike gjithnjë e në rritje mes Pekinit dhe Tiranës. Me qasjen e paevitueshme në ndarjen kino-sovjetike dhe demaskimin strategjik të vendit, posti i rëndësishëm i ministrit të Mbrojtjes mund ti besohej vetëm një njeriu me kualifikimin e Mehmet Shehut. Ai ka një eksperiencë të shquar ushtarake me përgatitjet e tij në Itali përpara Luftës së Dytë Botërore, ka luftuar në Luftën civile të Spanjës dhe ka pasur një rol të pazëvendësueshëm në luftën kombëtare çlirimtare si askush tjetër. Por ai ka qenë shumë i suksesshëm dhe në spastrimet e atyre që tentuan ti rezistonin regjimit në fundin e viteve 40 dhe fillimet e 1950-ës, duke përfshirë eliminimin sistematik të diversantëve të hedhur nga Perëndimi. Atëherë i dyti në komandë pas tij vinte Kadri Hazbiu, i cili tani ka marrë vendin e ministrit të Mbrojtjes. Hazbiu ka lindur më 1919 në Vlorë dhe ka lidhje krushqie me Shehun. Që në vitin 1945 ai u bë numri 2 i shërbimeve sekrete. Në 1950 ai u emërua ndihmësministër dhe në vitin 1954 ministër i Brendshëm, vend i mbajtur më parë nga Shehu. Më 1957 ai u gradua gjenerallejtnant dhe më 1971 u bë anëtar me të drejta të plota i Byrosë Politike. Ai e vizitoi Kinën 2 herë më 1966 dhe 1968 gjatë Revolucionit Kulturor. Së fundmi, në një artikull të shtypit vendas, stafi i Ministrisë së Brendshme u lavdërua për zbulimin e “planit puçist të Ballukut dhe shokëve të tij”. Në këtë mënyrë Hazbiu është plotësisht i kualifikuar për këtë portofol ministror dhe Shehu nuk duhet të shqetësohet për paaftësinë dhe pasigurinë e Hazbiut. Në mesin e viteve 1970 situata ishte e tillë, ku pesha e Shehut nevojitej për postin e ministrit të Mbrojtjes dhe ajo e Hazbiut për atë të Brendshëm. Ato ditë kishte shumë pak vend për ti besuar ndonjë kandidature tjetër potenciale për postin e ministrit të Mbrojtjes. Por edhe sot, mund të vihet re fare lehtë ngurrimi për tu besuar emrave të rinj. Kandidatura e Llambi Gegpriftit u anashkalua pikërisht për këtë arsye. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Nazar Berberin, Maliq Sadushin dhe Veli Llakajn, të cilët kanë qenë të gjithë zëvendësministra të Mbrojtjes. Hoxha dhe Shehu, me sa duket, kanë vendosur që as Gegprifti, kandidati me më shumë shanse, por as deputetëve të tjerë nuk mund tu besohej në këtë periudhë për postin e rëndësishëm të ministrit të Mbrojtjes. I njëjti ngurrim për ti besuar gjakut të ri ishte dhe për vendin e ministrit të Brendshëm. Ky post i shkoi Feçor Shehut, deri tani një nga zëvendësministrat e së njëjtës ministri. Shumë pak informacion ka për kualifikimin e tij, pasi të gjithë ata që kanë punuar në atë departament janë mbështjellë nga një perde “sekreti”. Ajo për çka ai është i njohur janë efikasiteti dhe pamëshirshmëria. Feçor Shehu gjithashtu u shfaq për herë të parë në publik në vitin 1973 kur ai u bë zëvendësministër i Brendshëm, Në 1976, ai u përzgjodh për të kandiduar si anëtar i Komitetit Qendror. Sot në kapacitetin e ministrit të Brendshëm, pozicioni i Feçor Shehut në hierarkinë e partisë është relativisht i ulët, por ka shumë të ngjarë që shumë shpejt ai të ngrihet në nivelet më të larta të udhëheqjes së partisë. Pesha e jashtëzakonshme që mbart posti i ministrit të Brendshëm në Shqipëri ilustrohet më së miri nga historia e shkuar e kësaj ministrie shumë kërkuese. Projugosllavi Koçi Xoxe ishte kreu i kësaj ministrie gjatë periudhës së pasluftës, maje desh arriti ta rrëzonte Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, (ky i fundit në të vërtetë u detyrua të hiqte dorë nga të gjitha pozicionet zyrtare) dhe vetëm pas rënies së Xoxes më 1948-ën (u ekzekutua më 1949-ën) Shehu u ngjit në pozitën e ministrit të Brendshëm. Feçor Shehu nuk duhet medoemos të zgjedhë të njëjtën rrugë për të ardhur në pushtet, por ai është bërë menjëherë një njeri i rëndësishëm që duhet pasur kujdes në hierarkinë e udhëheqjes shqiptare. Ndryshimet në dy ministritë e tjera janë më pak të rëndësishme, megjithatë dhe ato shfaqin tensionin e vazhdueshëm brenda udhëheqjes. Xhafer Spahiu u lëviz nga pozicioni i ministrit të Industrisë së Rëndë dhe Minierave, gjoja për arsye “shëndetësore”. Sido që të jetë, Spahiu ka pasur një karrierë me ulje ngritje gjatë dekadës së shkuar. Ministri i ri i Industrisë së Rëndë dhe Minierave, Prokop Murra, është një ekonomist dhe teknokrat i shkollës së vjetër. Ai ka qenë anëtar i KQ-së që prej vitit 1956. Ndërkohë ministri tjetër i lëvizur është anëtari i KQ-së që prej vitit 1966, Kristaq Dollaku (ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimit prej 1976). Ky i fundit është kritikuar shumë dhe arsyet e shkarkimit mendohet të jenë për paaftësi. Për zëvendësin e tij dihen shumë pak gjëra, duke qenë se ai është një tjetër yll në ngritje në hierarkinë shtetërore. Ajo mësohet se është një grua, Esma Ulqinaku, duke e çuar numrin e femrave të kabinetit në 3. Mehmet Shehut iu dha portofoli i ministrit të Mbrojtjes (1974) për rëndësinë që kishte ky post gjatë aleancës me Kinën për shkak të ekspozimit ndaj armiqve të huaj në ato kohë. Pas prishjes me Kinën, (Letra e Hapur korrik 1978) që i përgjigjej ndërprerjes së ndihmës kineze për Shqipërinë) udhëheqja e Pekinit u akuzua gjithashtu se kishte dëmtuar mbrojtjen e Shqipërisë. Kjo tërheqje e Shehut shihet si një shenjë lodhjeje. Sot ai është 67 vjeç dhe në 1972 iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm në Francë. Momentalisht ai duket se gëzon shëndet të plotë, por kjo mund të mos zgjasë shumë, siç ndodhi me vdekjen e menjëhershme së fundmi të Hysni Kapos, humbja e të cilit ndihet ende në udhëheqjen shqiptare. Është e vërtetë se Shehu është shumë i zënë me orientimin e ri neutral të vendit dhe përgatitjet për planin e ardhshëm 5-vjeçar. Por pavarësisht kësaj, fakti që jetëgjatësisë politike të tij po i vjen fundi nuk mund të përjashtohet. Të parët që transmetuan lajmin e lëvizjeve të fundit në qeverinë shqiptare ishte agjencia kineze e lajmeve “Hsinhua”, që citonte gazetën “Zëri i popullit”. Nuk dihet ende pse lajmin nuk e transmetoi Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), por ka shumë mundësi që “Hsinhua” ta ketë marrë lajmin nga ambasada kineze në Tiranë, sepse siç dihet, agjencia kineze e lajmeve e mbylli zyrën e saj në Tiranë pas prishjeve të marrëdhënieve Pekin-Tiranë.

Ky lajm është publikuar: 09/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›