E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryeza Rama sot në Strasburg për tu konsultuar me eurosocialistët

Autori i Lajmit: Redaksia
Tri ditë para tryezës së negociatave mes mazhorancës dhe opozitës, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, niset drejt Strasburgut për të marrë konsultimet e fundit nga aleatët evropianë. Kryesocialisti do të shoqërohet në këtë vizitë dhe nga deputetët Taulant Balla dhe Arta Dade, e cila është njëkohësisht dhe sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë në selinë rozë. Vizita për në Strasburg është konfirmuar nga kryesocialisti Rama gjatë një deklarate publike të bërë dje ku ai përshëndeti tryezën e iniciuar nga Topi. Kreu i PS-së ka ritheksuar dhe kushtin kryesor të negociatave, hapjen e kutive të votimit, duke sqaruar përsëri se kjo kërkesë nuk synon ndryshim rezultati, por vetëm zbardhje të së vërtetës për zgjedhjet e 28 Qershorit.
Vizita
“Dje, jam informuar nga Presidenti i Republikës, se ditën e shtunë do të hapet tryeza e dialogut për të trajtuar, dhe uroj, zgjidhur, krizën politike dhe institucionale në vend.
Dua ta vlerësoj këtë moment, si shprehje e progresit të bërë në një përpjekje që tashmë nuk është vetëm jona, por edhe e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të zgjidhur një krizë që thellohet dita-ditës me implikime të rënda në të gjitha fushat e jetës së vendit”, - tha dje Rama. Më tej ai informoi dhe për vizitën drejt Strasburgut. “Së bashkë me disa kolegë, nesër, do të nisem në Strasburg, për një ditë të komunikimit masiv me miqtë e Partisë Socialiste Evropiane, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të cilët janë seriozisht të angazhuar për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj krize. Me këtë rast, e shoh të rëndësishme të theksoj edhe se vazhdimi i komunikimit me të gjithë aleatët tanë, të frontit opozitar, është pjesë e këtij procesi në përgatitjen, jo vetëm të tryezës së dialogut, por edhe i të gjitha hapave që parashohin kontributin tonë për zgjidhjen e kësaj krize”, - tha ai. Rama shtoi se është shumë e rëndësishme të theksohet pa pushim, se në këtë përpjekje nuk është fati i Partisë Socialiste, por është fati i demokracisë në Shqipëri që përfshin çdo shqiptar.
Kushtet
Rama ritheksoi se hapja e kutive të votimit do të jetë kusht për tryezën e negociatave. Ai sqaroi se me hapje të kutive nënkupton rinumërim të votave por dhe shqyrtim të materialeve zgjedhore. “E kam theksuar vijimësisht, qysh në krye të herës, se hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm për të pasur një hetim të plotë dhe për të garantuar një transparencë të gjithë procesit zgjedhor, në funksion të Kushtetutës dhe ligjit, duke zbërthyer të gjithë elementët që e përbëjnë procesin. Ne nuk duam të hapim kutitë për të përmbysur pushtetin në tavolinë. Ne duam të hapim kutitë për të hetuar procesin dhe përmes hetimit të procesit, të plotësojmë të gjithë kuadrin kushtetues për një hetim parlamentar me të gjitha aspektet, të cilat duhet ta shqetësojnë dhe vënë në lëvizje Parlamentin e vendit kur bëhet fjala për të trajtuar këtë çështje dhe për ti dhënë zgjidhje një sërë problemesh që dalin nga hetimi. Pra, jo rinumërim për rishpërndarje mandatesh në tavolinë, por rinumërim për hetim të atij procesi numërimi, të konsideruar i keq dhe shumë i keq në 1/3 e tij dhe për hetim të raportit mes të gjithë atyre që u përfshinë në administrimin e zgjedhjeve dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë”, - sqaroi ai. Lidhur me protestat, Rama pohoi se kjo mbetet si alternativë për opozitën, por për momentin ajo është e përqendruar tek tryeza e negociatave.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›