Shala shpreson të ndjekë rrugën e portierit të Palermos, Samir Ujkanit dhe mesfushorit të Mançester Junajtit, Adnan Januzajt, që dikur ishin pjesë e të rinjve të klubit mbretëror
Gjigantit belg, Anderleht, tashmë i është bashkuar një futbollist shqiptar. Ai është talenti me prejardhje nga Kosova, Rion Shala. 15 vjeçari shpreson të ndjekë rrugën e portierit të Palermos, Samir Ujkanit dhe mesfushorit të Mançester Junajtit, Adnan Januzajt, të cilët dikur ishin pjesë e të rinjve të klubit mbretëror. Pra disa kohësh Shala kreu një provë tek Anderlehti, provë e cila kaloi me sukses për 15 vjeçarin kosovar, që së bashku me familjen e tij jeton në Belgjikë. Kështu, nga sezoni i ri, 15 vjeçari do ti mbrojë ngjyrat e ekipit të të rinjve të klubit mbretëror belg me shpresë që pas pak vitesh të kalojë në ekipin e parë. Në fakt, para se ti bashkohej këtij klubi, Shala ishte pjesë e ekipit tjetër të njohur belg , Standard Liezh. Por, babai i tij, Jahiri kishte insistuar që Rioni ta braktisë Standardin, për shkak se i duhej të udhëtonte gjatë prej vendbanimit të tij. Kështu, pasi mori leje-kalimin nga Standard Liezh, Jahiri tregoi se të birin e kishte dërguar në Anderleht, ku ishte pranuar vetëm pas dy provave të kryera. Vetë futbollisti i ri, i cili luan në rolin e mesfushorit sulmues dhe të sulmuesit, ndihet shumë i lumtur që tani është pjesë e klubit më të suksesshëm në Belgjikë, që ndihmëstrajner e ka ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, Besnik Hasnin. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për një klub të madh siç është Anderlehti. Jam shumë i lumtur që e kam realizuar ëndrrën, tha Shala për gazetën kosovare Express. Ai shpreson ta ndjekë rrugën e portierit kosovar Samir Ujkani, i cili tani mbron ngjyrat e klubit italian Palermo dhe futbollistit tjetër kosovar Adnan Januzaj, i cili vitin e kaluar u transferua në akademinë e Mançester Junajtit. Me Adnan Januzaj njihem, sepse pata luajtur me të sa ishte në Belgjikë. Unë shpresoj që pas disa vitesh do ta kem mundësinë për të luajtur në ekipin e parë të Anderlehtit, e më pas të transferohem tek Arsenali ose PSG të Francës, Spanjë apo Itali,- përfundoi Shala i cili pushimet po i kalon me familjen e tij në Kosovë.