E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmeti: Për çdo prind, fëmija i tij është talent

Nga Erjon Hamitaj

Prindërit që ushqejnë këtë frymë te fëmijët e tyre bëjnë gabimin më të madh, sepse nuk i mësojnë të punojnë

Dinamo U-19 ndodhet në vendin e 8-të në klasifikim, ndryshe nga viti i kaluar, kur rivalizonte deri në fund me Tiranën dhe Vllazninë për titullin kampion. Këtë vit, po ashtu edhe si më parë, pa ndryshuar traditë, nga ekipet e moshave vijojnë të dalin talente, lojtarë të denjë për ekipin e parë. Puna e trajnerit Dritan Mehmeti, i cili ka 6 vite si drejtues i ekipeve zinxhir të Dinamos, është për tu vlerësuar.

Mehmeti ndihet i lumtur për atë që ka arritur, por situata e rëndë që ka mbizotëruar në klub me terrenet sportive (klubin Dinamo e ka zaptuar Agjencia e Sporteve) ka ndikuar direkt edhe në paraqitjen e skuadrës në kampionat. Futbolli i moshave në Shqipëria është më shumë probleme, por ajo që ka ndodhur në Elbasan, ku të afërmit e një futbollisti të ri kanë goditur trajnerin Arjan Kila, ka çuditur edhe trajnerët e tjerë të moshave.

Çështja Kila: Jam ndier shumë keq kur e kam lexuar në gazetë këtë ngjarje. Kjo që i ka ndodhur atij më duket sikur më ka ndodhur mua. Shpresoj dhe uroj që ta kalojë me qetësi këtë situatë. Prindërit që ushqejnë këtë frymë te fëmijët e tyre bëjnë gabimin më të madh, sepse është veprimi më negativ që mund të ndodhë. Nuk di sesi ta përshkruaj këtë veprim, që ka bërë ai prind ndaj Kilës.

Ne, si trajnerë, në punën tonë kemi presione nga më të ndryshmet, por ideja qëndron se trajneri është një në numër dhe gjykimet për të janë shumë. Në përgjithësi, trajnerët në dhënien e vlerësimit për një lojtar të ri janë të paktë që gabojnë. Trajnerët mund të gabojnë nga ana profesionale. I uroj Kilës që këtë veprim të paprecedent që ka ndodhur ndaj tij ta marrë me sportivitet dhe ta hedhë pas krahëve.

Kjo situataë është shumë negative për futbollin e të rinjve dhe nuk më erdhi mire, sepse e ndiej sikur më ka ndodhur mua. U bëj apel prindërve të jenë më të qetë dhe të kenë më shumë besim te trajnerët, sepse ata janë njerëz dhe mund të gabojnë si gjithë të tjerët. Mendoj se prindërit kanë gabimin më të madh, sepse nuk janë profesionistë, nuk dinë të gjykojnë dhe mendojnë se fëmija i tyre është më i miri. Kjo është shumë gabim.

U sugjeroj që gjithçka tia besojnë trajnerit dhe ta marrin me qetësi, sepse fëmija nëse nuk bëhet futbollist mund të bëhet një njeri me personalitet dhe i përgatitur fizikisht, fiton një jetë sociale ndryshe dhe larg veseve të këqija që ka kjo grup-moshë kur nuk merret me një aktivitet të caktuar. Duhet të marrin anën pozitive të sportit dhe jo të merren me trajnerët, sepse ata punojnë dhe djersisin dhe nuk meritojnë që të goditen në atë farë mënyre që unë nuk e imagjinoj dot.

Mbështetja e prindërve: Shqipëria është vendi europian me infrastrukturën më të dobët sportive, por nga ana tjetër prindërit shqiptarë bëjnë sakrificat më të mëdha për fëmijët e tyre. Mehmeti thekson se fëmijët që merren me futboll jo të gjithë bëhen futbollistë profesionistë, megjithatë ata fitojnë shumë gjëra pozitive që i bëjnë më të fortë për të përballuar jetën: Në futbollin shqiptar ka ndikuar e përgjithshmja, pra gjendja ekonomike familjare.

Falënderoj prindërit, sepse bëjnë maksimumin, por dua tu them që ta marrin këtë situatë me objektivitet. Shumë fëmijë fillojnë të luajnë futboll, por e përfundojnë pak. Kjo vlen për të fituar kulturë, si fizike po ashtu edhe një mentalitet të fortë. Dua ti bëj një apel FSHF-së, që të bësojë më shumë te të rinjtë. Sigurisht që ka nisur një punë të mirë, por duhet të bëjë më shumë. Ka persona dashakeqës që ndërhyjnë në punën e trajnerëve, duke i mbivlerësuar e dhënë më shumë përgjegjësi sesa u takon fëmijëve.

Stërvitja në gjysmëfushë Ekipi i Dinamos nuk e meriton të stërvitet në atë gjysmëfushe, pasi nga ky problem vijnë rezultatet e dobëta. Kur më të talentuarit grumbullohen me ekipet kombëtare, e kanë të vështirë të përshtaten.

Futbolli shqiptar ka nevojë që të furnizohet me lojtarë të rinj nga ekipet zinxhir, ndaj atyre u duhen lënë hapësira më të mëdha, sepse po të shohim ekipet e tjera dhe disa trajnerë me përvojë, si Vata, Rubio etj., ata aktivizojnë shumë të rinj.Këta të rinj duhet të ndërthuren me lojtarët me eksperiencë në ekip. Të rinjtë e justifikojnë plotësisht praninë e tyre në këtë klub, por duhet të punojnë më shumë, – e mbyll trajneri Mehmeti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›