E Shtunë, 31 Tetor 2026

Syla: Tërbuni meriton kurorën e kampionit

Nga Erion Saliu

Presidenti i pukjanëve, Petrit Syla, premton merkato cilësore në janar dhe një ekip më të forte për fazën e dytë

Grupi i veriut ka përfunduar fazën e parë dhe Tërbuni, pas fitores në fushën e Korabit, është shpallur kampion dimri. Është një titull simbolik, por që ka rëndësinë e vet, pasi u jep pukjanëve qetësinë e duhur dhe më shumë moral për fazën e dytë të kampionatit. Presidenti i skuadrës, Petrit Syla, natyrisht që ndihet entuziast pas fitores në Peshkopi. Ai ka mbajtur premtimin para tifozëve pukjanë, sepse që në fillim ka thënë se Tërbuni do të jetë gjithmonë në krye.

Për Sportin shqiptar, presidenti Petrit Syla thekson mes të tjerash se Tërbuni do të meritojë edhe titullin kampion të kategorisë së dytë në fund të sezonit. Ai ka bërë të ditur se do të bëjë edhe blerje të tjera gjatë merkatos së dimrit për të pasur një skuadër më të fortë në fazën e dytë. “Më vjen shumë mirë që Tërbuni e përmbushi misionin e fazës së parë, duke e mbyllur fazën e parë në krye të grupit.

Kryesojmë me meritë, madje mendoj se duhej të kishim edhe dy pikë më shumë në tabelë. Nuk e harroj lehtë atë hap fals që në javën e parë të kampionatit, kur barazuam në fushën tonë me Veleçikun. Megjithatë, kemi marrë “kurorën e dimrit” dhe jemi plot 4 pikë të shkëputur nga vendi i dytë. E rëndësishme është që të ngjitemi në kategorinë e parë dhe të shpallemi kampionë.

Tërbuni është këtu jo vetëm falë kontributit tim dhe të donatorëve të tjerë pukjanë, por edhe falë punës që kanë bërë ish-trajneri Dali Farruku, trajneri aktual Gentian Stojku, të gjithë futbollistët, si dhe ndihmës që kanë dhënë tifozët tanë të mrekullueshëm. Jam i bindur se faza e dytë do ta gjejë më të përgatitur Tërbunin, që do të thotë se ne do ta forcojmë skuadrën, duke bërë blerje cilësorë.

Mund të them se që tani janë piketuar disa elementë, që do të bëjnë diferencën në kampionatin e kategorisë së dytë,” ka thënë presidenti i Tërbunit, Petrit Syla. Skuadra pukjane do t’i vazhdojë përgatitjet deri në mesin e muajit dhjetor për të ruajtur formën e futbollistëve, që më pas do të lihen të lirë deri në fillim të janarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›