Stoja: Me Gramozin, atë që kemi bërë deri tani në Gjirokastër
Mesfushori gjirokastrit, Nertil Stoja, thekson se nuk mund të lihen pikë ndaj kolonjarëve, pasi vihet në pikëpyetje kreu
Ashtu sikundër edhe pritej, Luftëtari humbi në ndeshjen e kthimit për Kupën e Shqipërisë me Skënderbeun në Korçë. Gjirokastritët u paraqitën me formacionin e dytë, ndërsa i pari është për betejat e kampionatit.
Për përqendrimin që ka Luftëtari në kampionat flet edhe fakti që armatën e tij në ndeshjen me Skënderbeun e drejtoi trajneri i portierëve, Kristidhi. Në kohën kur në Korçë luhej ndeshja, në Derviçan, në fushën Lefter Millo, trajnerët Hysi dhe Ciko përgatisnin armatën e madhe për ndeshjen me Gramozin.
Në Gjirokastër ky ekip ka 6 fitore në po kaq ndeshje të luajtura, kurse në tansfertë Gramozi ka vetëm 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje. Janë tregues që garantojnë suksesin e gjirokastritëve, por garancia e vërtetë është niveli i lojës, i kombinuar me fatin dhe gjykimin. Luftëtari, gjatë 11 ndeshjeve të deritanishme, ka pasur disa pezullime nga kartonët e verdhë dhe të kuq, siç ka ndodhur së fundi me shkodranët Ramadani dhe Baci, të cilët nuk do të luajnë ndeshjen e radhës. Në këtë ndeshje nuk do të luajë as Shalari për arsye dëmtimi.
Stoja Mesfushori Nertil Stoja, i cili këtë sezon ka marrë pezullimin më të rëndë, nuk ka luajtur në 6 ndeshje. Sezonet e mëparshme ai ka qenë edhe golashënues për Luftëtarin, por deri tani nuk ka ndriçuar në këtë drejtim. Megjithatë, kampionati është në vazhdim dhe mund të kujtojmë Brahon e sezonit të kaluar, që gjatë fazës së parë nuk realizoi asnjë gol, kurse në të dytën 7. Stoja, i cili shpreson ta gjejë rrugën e rrjetës në ndeshjen e radhës, shprehet:
Luftëtari nuk kryeson rastësisht. Gjithçka është bërë raelitet në sajë të përbërjes së ekipit me lojtarë vendës dhe me mjaft përvojë. Gjirokastritët Devolli e Nora, të cilët u kthyen pas vitesh, por edhe futbollistët e tjerë, shumica e të cilëve janë shkodranë, po luftojmë të gjithë për ta ngjitur ekipin në superligë. Kemi pësuar dy humbje, që edhe mund të evitoheshin, por tani duhet të shohim vetëm përpara për ta mbyllur fazën e parë si kryesues.
Kanë mbetur 4 ndeshje nga faza e parë, por ato duhen marrë me radhë. Konkretisht, duhet të përballojmë me sukses të plotë Gramozin, që e presim në stadiumin tonë. Duhet të fitojmë 3 pikët, sepse në rast të kundërt gjithë puna që është bërë do të vihet në pikëpyetje.
Dhe për të mos ndodhur kjo, nuk duhet të bëjmë gjë tjetër, veçse të luajmë si në 6 ndeshjet e mëparshme në Gjirokastër. Këtu kemi përballuar me sukses ekipe më me emër dhe më të fortë se Gramozi, pra duhet të luajmë me grintë, me agresivitet sportiv dhe jam i bindur se do ta bëjmë këtë gjë.
