Ministri Alibeaj: Ja ndryshimet në ligjin e KLD
• TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, konfirmoi dje se reforma në gjyqësor do të shkaktojë ndryshime në ligjin “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”.Kreu i dikasterit të Drejtësisë tha gjatë një takimi me ambasadorin britanik në Tiranë, se ligji do të ndryshohet në përcaktimet që bëjnë fjalë për statusin e gjyqtarit, procesin e emërimit e të shkarkimit, si dhe për karrierën. “Ligji për organizimin e KLD-së, ligji, që ka shumë për të ndryshuar, pasi statusi i gjyqtarit, procesi i emërimit, shkarkimit të tij dhe karriera, nuk kanë një rregullim të lavdërueshëm”, theksoi ministri Alibeaj. Ai priti në një takim pune ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fraser Wilson, i cili shoqërohej edhe nga Ben Watson, shef i Agjencisë Kundër Krimit të Organizuar në Tiranë. Ministri i Drejtësisë Alibeaj tha gjatë takimit, se reforma në drejtësi është angazhimi i tij kryesor dhe vlerësoi domosdoshmërinë e kryerjes së kësaj reforme. “Koncepti im për këtë reformë fokusohet së pari, në reformën ligjore dhe më pas në atë strukturore. Të gjitha ligjet kryesore të reformës kërkojnë shumicë prej ¾ në Parlament për t’u miratuar. Maxhoranca dhe qeveria janë të hapur për çdo lloj bashkëpunimi për t’i zhvilluar pozitivisht, duke pranuar çdo strategji të ofruar edhe nga opozita”, u shpreh ministri i Drejtësisë, gjatë takimit me diplomatin britanik. “Sigurisht është Parlamenti që vendos i fundit, i cili bën realitet idetë. Personalisht në pozicionin e ministrit të Drejtësisë kam qenë i hapur për t’i dhënë sinjal opozitës për të diskutuar idetë, duke krijuar një proces të hapur. Nëse kjo arrihet, atëherë do të ketë sukses”, shtoi më tej ministri Alibeaj. Ai vijoi idenë e tij, duke thënë se specializimi i gjykatave është një çështje e rëndësishme, e cila lidhet me reformën në sistemin e drejtësisë. “Ka ardhur koha e një specializimi të gjykatave. Rreth 70 për qind e çështjeve gjyqësore në Tiranë janë me palë shtet-individ, dhe kanë si objekt taksat, tatimet, kthim pronash. Gjykimi i këtyre çështjeve kërkon shpejtësi dhe efikasitet, si dhe zgjidhje të menjëhershme të konfliktit midis shtetit dhe individit. Kështu krijimi i një gjykate administrative është e domosdoshme. Një gjykatë e posaçme, me procedura të shpejta, me gjyqtarë të trajnuar dhe me kushte të pranueshme fizike do të ishte shumë e nevojshme”, sqaroi ministri i Drejtësisë, Alibeaj, idenë e tij për reformën e gjykatave. Këtë ide ministri i Drejtësisë e ka dhënë edhe gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe presidenti lidhur me reformën në gjyqësor. Sipas ministrit, mënyra më e mirë për të kuptuar problematikën e gjyqësorit dhe drejtësisë shqiptare është verifikimi i raport-progresit të Bashkimit Evropian. Alibeaj ka hedhur idenë e tij se profilizimi dhe specializimi i gjykatave për shqyrtimin e çështjeve të veçanta, do të krijonte më pak ngarkesë edhe në Gjykatën e Tiranës, apo të Durrësit. Për shkak të numrit të madh të çështjeve është vlerësuar se në këto gjykata rrezikohet cilësia e gjykimit, duke përfshirë këtu elementë, si afati i dhënies së vendimit, respektimi i plotë i të drejtave të palëve në proces apo aspekte të tjera të kësaj natyre. Aktualisht, të gjitha çështjet civile dhe penale që nuk klasifikohen si krime të rënda, gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës për qarkun e kryeqytetit. Kjo ka krijuar një ngarkesë të madhe të gjyqtarëve me numër dosjesh në vit, ndërsa ka shkaktuar probleme edhe sa i përket mungesës së ambienteve dhe sallave të gjyqeve për zhvillimin normal të proceseve. Pjesa më e madhe e seancave gjyqësore civile zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve për mungesë të sallave, që janë të zëna me të pandehurit e arrestuar. tr.soreformaNdryshime në ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, lidhur me statusin e gjyqtarit, procesin e emërimit, shkarkimin dhe karrierënProfilizimi i gjykatave, pasi 70 për qind e çështjeve në Tiranë janë dosje që kanë për palë individ-shtetKrijimi i gjykatave administrative, të specializuara për gjykimin e çështjeve të caktuara, me shpejtësi dhe cilësi më të madhe Marrja e mendimeve edhe nga specialistët dhe faktorët e opozitës për shkak të numrit të lartë të votave në Parlament, që kërkojnë ndryshimet e reformës në drejtësi