Topi: Nata e shkarkimit të Sollakut
• Presidenti Bamir Topi ka folur dje për herë të parë për momentet e largimit të ish-prokurorit të Përgjithshëm dhe zëvendësimin e tij me Ina Ramën.TiranëDuke folur në një intervistë në “Zërin e Amerikës”, kreu i shtetit ka zbardhur detaje të mbrëmjes së 21 nëntorit dhe orëve të para të datës 22, para se të nisej për në Kroaci. Sipas Topit, në momentet kur ai është pyetur në Bruksel në konferencën për shtyp me Solanën, ende nuk e kishte dekretuar shkarkimin e Sollakut, teksa shton, se këtë e ka bërë në orën 09:15 minuta. Deri në këtë orë, kreu i shtetit rrëfen se ka takuar në zyrën e tij kryeministrin Berisha dhe më pas ka tentuar të kontaktojë edhe krerët e Partisë Socialiste. Sipas Topit, fillimisht ai ka tentuar të kontaktojë në telefon kreun e PS-së, Edi Rama dhe prej sekretares së tij ka mësuar se ndodhet në Bon të Gjermanisë. “Lidhur me atë ç’ka erdhi më mbrapa me zgjedhjen e kryeprokurores, që ka ardhur pak a shumë në sinkron, pra momenti i shkarkimit i hapi rrugë momentit të dekretimit, kjo sigurisht nuk ka ndodhur në orën pesë të mëngjesit, sikurse është deklaruar nga segmente të caktuara të politikës. Për hir të transparencës kjo ka ndodhur me saktësi në orën 09:15 minuta të mëngjesit të ditës së nesërme, ku unë kam tentuar të komunikoj edhe me përfaqësues të opozitës, po tregohem shumë analitik, sepse është moment shumë i rëndësishëm, kam pritur zotin Berisha në zyrë, kam tentuar të lidhem me kryetarin e opozitës, zotin Rama dhe mbas një komunikimi me sekretaren e tij më është bërë e ditur që zoti Rama ndodhet për vizitë në Bon të Gjermanisë”, theksoi dje kreu i shtetit. Pas dështimit të komunikimit me kreun e PS-së, Rama, Topi ka tentuar të lidhet me kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila sipas kreut të shtetit, nuk i është përgjigjur në telefon. “Kam tentuar të lidhem me zonjën Leskaj, e cila nuk i është përgjigjur kësaj telefonate, nuk e di për çfarë arsye sepse marrëdhëniet janë mjaft të mira me kryetaren e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka qenë për një vizitë në Bruksel dhe unë kam qenë i vendosur për emrin e kryeprokurores për një arsye shumë të thjeshtë dhe luajal me konsultimet, që kam bërë me të gjithë krerët e partive politike parlamentare”, tha më tej Topi. Duke mbrojtur vendimin e tij për të emëruar një njeri brenda sistemit të drejtësisë si kryeprokuror të Përgjithshëm, presidenti Topi u shpreh, se në të gjitha konsultimet me partitë politike ka deklaruar se do t’i qëndrojë besnik standardeve të kërkuara. “Do të jetë një kryeprokuror në rastin e nevojës për të emëruar një kryeprokuror të ri, një njeri i cili vinte nga sistemi, nuk vinte jashtë sistemit pra nga politika, nuk do të ketë lidhje me politikën, në “background”-in e tij, apo të saj nuk do të ketë asnjë moment që të jetë kompromentuar nga politika, një njeri që do të plotësonte në mënyrë të qartë të gjitha standardet, pra që do të vinte nga Shkolla e Magjistraturës, do ishte një njeri që do të kishte vlerësimet maksimale dhe ashtu ishte”, theksoi kreu i shtetit. Ky propozim, sipas Topit, është pranuar edhe nga një pjesë e opozitës ku megjithëse kanë munguar disa deputetë të maxhorancës, Ina Rama arriti të marrë 83 vota, vetëm një votë më pak se shifra presidenciale 84. I pyetur për marrëdhëniet e institucionit të presidentit me opozitën parlamentare, Topi tha, se vetëm një segment i saj e ka akuzuar atë se është bërë palë me qeverinë dhe jo e gjithë opozita. Në të njëjtën kohë kreu i shtetit beson se politika e ditës nuk duhet të përcaktojë marrëdhëniet mes institucioneve. Sipas Topit, klima paragjykuese duhet të shmanget përfundimisht, duke theksuar se interesi i tij është vetëm për realizimin e reformave. Duke u ndalur në reformën në sistemin e drejtësisë, Topi u shpreh, se fillimisht këtë reformë duhet ta bëjë shumica dhe opozita në Parlament në bashkëpunim me juristët. “Ky proces nuk duhet konsideruar si një proces tërësisht politik, duhet të jetë një kombinacion perfekt i vullnetit politik dhe i profesionalizmit. Pra, ky mision është një mision madhor. Nuk ka të bëjë me një individ, me një institucion, ka të bëjë në radhë të parë me vullnetin e forcave politike, të cilat duhet të gjejnë bashkëpunimin me komunitetin e juristëve kudo që ata punojnë. Besoj se është një moment që kërkohet me ngulm si një standard që duhet të arrihet edhe nga institucionet ndërkombëtare ku ne tentojmë që të aderojmë”, shtoi Topi.