E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mehmeti si Inzaghi

Agon Mehmeti thotë se e ka model të lojës së tij sulmuesin italian, Filippo Inzaghi. Sulmuesi tregon se ka shikuar shumë klipe të futbollistit të Milanit, por edhe të argjentinasit Milito e brazilianit Ronaldo. Nga Express më 13 prill 2011 në ora 12:09

Agon Mehmeti e ka gjetur modelin e tij. Sulmuesi kosovar tregon se inspirohet nga sulmuesi i njohur italian, Filippo Inzaghi. Futbollisti i Malmos thotë se e ka studiuar mirë mënyrën se si luan futbollisti i Milanit dhe këtë mënyrë të lojës mundohet ta shfaqë edhe në lojën e tij.

“Ai është një model i rolit tim në fushë. Kam parë shumë videoxhirime të tij në ‘youtube’. Mirëpo, unë mundohem të jem sulmues më komplet, si Milito e braziliani Ronaldo”, ka thënë Mehmeti për uebfaqen suedeze aftonbladet.se.

Mehmeti ka shënuar katër gola rresht në katër ndeshjet e fundit (dy prej tyre sezonin e kaluar). Goli i fundit të cilin e realizoi ai, në ndeshjen kundër Halmstadit (3:1) ishte mjaft i thjeshtë.

“Mirëpo, duhet të jeni në vendin e duhur gjithmonë, njëjtë si Pippo Inzaghi”, shton 21-vjeçari. “Shumë njerëz mendojnë se është shumë e lehtë, por nëse nuk je në vendin e duhur, nuk mund të shënosh gola. Duhet t’i programosh gjërat dhe të jesh në vendin e duhur. Kundërshtarët e dinë se ku do të jem, por nevojitet shkathtësi në këtë rast”, vazhdoi përfaqësuesi i Suedisë U21.

Mehmeti ishte njëri prej sulmuesve kryesorë të Malmos sezonin e kaluar. Me golat e tij, ai e ndihmoi këtë ekip që të shpallet kampion i Suedisë. Sulmuesi kosovar e ka nisur mbarë edhe sezonin e ri, ku ka realizuar dy gola, në dy ndeshje. 21-vjeçari shihet si e ardhme e futbollit suedez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›