Meidani: Bojkoti e dëmton PS dhe të ardhmen e vendit
Ish-presidenti Rexhep Meidani, i pranishëm në takimin e socialistëve në Akademinë e Arteve, e cilësoi bojkotin e parlamentit nga deputetët socialistë të dëmshëm në radhë të parë për Partinë Socialiste. “Natyrisht që kemi përvojë nga teknologjitë e bojkotit, bojkoti dëmton jetën brenda partisë, në mënyrë të veçantë jetën parlamentare, reagimin parlamentar të një partie politike. Unë besoj dhe shpresoj që shumë shpejt Partia Socialiste të kuptojë që nuk mund t’i rezistojë bojkotit parlamentar se do të dëmtojë jetën e saj, do të dëmtojë strukturat e saj, do të dëmtojë të ardhmen e saj dhe në mënyrë të veçantë të ardhmen e vendit”, tha Meidani. Ish-presidenti u shpreh dhe në lidhje me rikandidimin e Edi Ramës për postin që mban, duke e cilësuar atë një gabim të tij. “Natyrisht që në përputhje me statutin e partisë, kandidimi i zotit Rama është një gabim që e dëmton autoritetin e kandidatit për kryetar, por dhe potencialisht funksionimit të një kryetari të tillë”, u shpreh Meidani. Për ish-sekretarin e përgjithshëm të PS-së në vitet e opozitës së parë të socialistëve, kjo parti ka nevojë për ndryshime të mëdha. “PS ka nevojë për një revolucion të brendshëm, për zhvillimin e kolegjialitetit brenda saj, për të lejuar zhvillimin e solidaritetit në diversitet, jo për të krijuar një frymë unitare, madje edhe servile rreth unit të kryetarit”, u shpreh Meidani. I pyetur nga gazetarët për programin elektoral dhe qeverisës të PS-së, rekomandimet e të cilit iu dorëzuan Edi Ramës nga ish-presidenti i Republikës, Meidani tha se rekomandimet dhe programi qeverisës janë dy gjëra të ndryshme. “Absolutisht janë gjëra të ndryshme. Rekomandimet ishin një veprimtari e intelektualëve të shquar, në mënyrë të veçantë shumë profesorëve të universitetit, që duke përpunuar mendimin alternativ në përputhje me realitetin shqiptar, këtë mendim ia transmetuam kryetarit të partisë për ta shfrytëzuar, por jo për ta konsideruar padyshim program partie. Programi i partisë do të përpunohej nga strukturat e partisë, ndërkohë që nuk morëm vesh se ku shkuan ato rekomandime dhe ku shkoi programi”, tha Meidani.