E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS fitoi, zgjedhjet u deformuan

 

OERD ULQINI

Kanë qenë krejt të ndryshme diskutimet e dy konkurrentëve për kreun e PS-së, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, përpara simpatizantëve të PS-së së Durrësit. Në përballjen e dytë të betejës së zgjedhjes së kryetarit të PS-së mbi bazën e parimit “një anëtar, një votë”, kanë marrë pjesë rreth 500 anëtarë e simpatizantë të qytetit të Durrësit. Kryetari në detyrë, Edi Rama deklaroi se “populli opozitar ishte fituesi i 28 qershorit, por ishte makina elektorale e shtetit, ajo që i dha pushtetin Berishës dhe bajraktarëve të tij”. Ndërsa kandidati tjetër Lakrori e nisi bisedën, duke kërkuar ndryshime rrënjësore në statut, ku pikë së pari duhet luftuar “kulti i individit”. “Duhet të ndahemi përgjithmonë nga kulti i individit, që është një histori tepër e gjatë” - bëri me dije kandidati, Maqo Lakrori. “Mësimet e hidhura nga e kaluara e largët dhe e afërt, tregojnë se nuk ka njerëz-shpëtimtarë që i dinë të gjitha, por skuadra shpëtimtare”, tha Lakrori. Ndërsa sipas Ramës duhet rezistencë ndaj një pushteti, ku pavarësisht sesi voton populli, fituesit janë të njëjtë. Edi Rama e krahasoi Shqipërinë me standardet zgjedhore të ish-republikave të sovjetike, ku në pushtet mbeten gjithmonë të njëjtët dhe në opozitë mbeten gjithnjë të njëjtët. “Nëse ne falim zgjedhjet e 28 qershorit, nëse ne mbyllim kapakun pa rivendosur dinjitetin e votës, atëherë në zgjedhjet e ardhshme kurdo qofshin ato, do të gjendemi përpara një kurthi edhe më të pashmangshëm” - tha Rama. Sipas tij, bajraktarët e Berishës, janë duke abuzuar me çdo gjë, deri edhe te fondet sociale nëpër komuna, para këto të cilat shpërndahen vetëm për ata që votojnë djathtas, duke u mohuar bukën e gojës popullit të varfër të majtë. Rama nënvizoi se “28 qershori nuk do të mbetet në kujtesë, si dita kur vullneti i popullit u shpreh në një rezultat të drejtë, por si dita kur ky vullnet u deformua”. Në fund të fjalës së tij, Rama bëri me dije se “PS duhet t’i nënshtrohet një procesi reformimi për t’iu përshtatur më mirë kohës”. Në vijim të fjalës së tij, Maqo Lakrori kërkoi rikthimin e tri vlerave në PS. Sipas tij, solidariteti njerëzor, demokracia e brendshme dhe mbrojtja e partisë (imunizimi nga kapja e krimit), janë vlera të trashëguara, të cilat kurrsesi nuk duhet të veniten, por të rilindin. Kandidati Lakrori hodhi idenë e krijimit të një konfederate të majtë, që e cila përmes këtij mekanizmi ku çdo parti ruan identitetin, por që në zërin e përbashkët është i unifikuar, do të ribashkonte të majtën. Sipas tij, PS duhet të jetë një parti e majtë demokratike. Së fundi, Lakrori kërkoi edhe bashkëpunim më të ngushtë me simotrat e majta evropiane dhe me Partinë Demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kërkesat e Lakrorit për ndryshime në statut kishin të bënin me të qenit kundër një partie-shtet, ndarjen nga kulti i individit, si dhe faktin që procesi i konkurrimit në parti të mos kushtëzohet nga raporti me kryetarin, por nga vlerat e gjithsecilit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›