E Diel, 1 Nëntor 2026

Meidani: Jam solidar me deputetët, por kam qenë dhe mbetem kundër grevës së urisë



Aristir Lumezi

Ish presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, duke komentuar protestën e 30 prillit, i kërkon maxhorancës të gjejë zgjidhje të krizës, ndërsa i kujton PS se zgjatja e grevës do të dëmtonte imazhin e vendit, gjë që edhe asaj nuk do t’i interesonte. Z. Meidani shpreh rezervat e tij për mungesën e shpirtit të vërtetë dhe solidaritetin në protestën e socialistëve.Profesor Meidani, 10 muaj pas zgjedhjeve, opozita zhvilloi protestën e dytë të madhe të saj, duke mbledhur në bulevard mijëra simpatizantë dhe mbështetës, ndërsa duhet thënë se nga protesta e parë, gjërat nuk kanë ndryshuar. Si e shikoni këtë strategji?
Pas zgjedhjeve, së bashku me z. Moisiu, në mjaft deklarime publike, kemi mbështetur kërkesën e opozitës për hapjen e kutive. Një gjë e tillë, më është dukur dhe vazhdon të më duket normale, krejtësisht e mundshme në kuadër të transparencës. Dhe nëse mungonin kushtet ligjore, ato mund të krijoheshin me shpejtësi midis dy forcave kryesore politike. Aq më tepër, që e kishin provuar këtë gjë edhe më parë, me ndryshimet kushtetuese tepër parimore. Dhe nga ana tjetër, jo për të cenuar procesin politik-institucional dhe institucionet e derivuara prej tij, as dhe për ndonjë pozicionim partiak konkret, por me një qëllim të vetëm civil e qytetar: ndërtimin dhe konsolidimin e institucionit të votës së lirë dhe të ndershme, jashtë interesave të pushtetit, as marrjes me hile, as mbajtjes me zor të tij! Aq më tepër që tashmë ishim një vend anëtar i NATO-s dhe kishim aplikuar për statusin e kandidatit të BE-së. I çuditshëm, në thelbin e tij, ka qenë dhe reagimi e kundërshtimi i prerë i Qeverisë, duke hedhur hije dyshimi për procesin elektoral brenda vendit dhe jashtë tij!...
Nuk përjashtohet që, edhe pse PS-ja u tregua e vonuar në ndjesitë e saj, në dokumentimin, reagimin dhe kërkesën e saj, madje me një vonesë faze në analizën dhe veprimin e saj. Ajo u shfaq po aq e turbullt, jo polivalente, në mënyrën e realizimit të kërkesës bazë: hapjes së kutive, thjesht si transparencë zgjedhore. Nuk u shfrytëzuan në momentin e duhur të gjitha mundësitë e kohës: ato gjyqësore-ligjore (p.sh. nëpërmjet gjykatave, prokurorisë); ato juridike-parlamentare (p.sh., komisionit hetimor) dhe ato politike-qytetare (dëshmive qytetare apo protestave). Bile, sot, pas 10 muajsh, pretendimi për ankimim në Gjykatën Kushtetuese duket si pakuptim, në pikëpamje kohore, kur vetë vendimi i saj mund të ishte arritur shumë muaj më parë. Sidoqoftë, në gjykimin tim, me futjen e PS-së në Parlament, disa ditë para mbylljes së afatit 6-mujor, do të duhej të bëhej një analizë shumë më e thellë e veprimit opozitar, përfshirë dhe strategjinë politike dhe elementët taktikë të këtij veprimi. Sepse, pas kësaj date, nuk mund të ndiqej e njëjta logjikë, madje as dhe e njëjta sjellje politike, strategjike ose taktike. Bile, ky ndryshim thithjesh e perceptimi përbën dhe suksesin e vet politikës! ..
Sidoqoftë, për këtë qëllim, kohë më parë, në një shkrim në gazetën tuaj (“Teatri” i politikës, “Panorama”, 14 prill 2010) kam shprehur disa shqetësime të mijat mbi zhvillimet e pritshme, përfshirë dhe protestat opozitare e qytetare. Aty, me sinqeritet të plotë, pa bërë fare “politikë”, pasqyrova dhe konstatimin e një miku dashamirës, që nuk e parapëlqente “historinë e protestave pa shpirt “liderësh” dhe me data fikse, të parashikuara 2-3 muaj më parë”... Praktikisht, ai i mbështet protestat si forma kundërshtie, reagimi e ndjesie demokratike, por nuk ia mbushin mendjen ato që nuk rezultojnë si mjete e rrugë korrektimi e ndryshimi. Aq më tepër, kur duhen konsideruar dhe analizuar KNM-të (kushtet e nevojshme dhe të mjaftueshme) për të arritur objektivat apo për të realizuar ndryshimin e qëllimin e dhënë. Parë me këtë sy, opozita ka vazhduar e po vazhdon të harxhojë prej muajsh energji kolosale, fillimisht të dobishme, edhe pse të vonuara, ndërsa aktualisht diku dhe jo produktive, diku me orientime të paqarta e kaotike, etj.
Po ashtu, nuk duhet harruar se edhe reagimi i shumicës nuk ka qenë fare bashkëpunues e tolerant, pavarësisht lojërave me fjalë dhe të “deleguar”, sa të brendshëm, sa të jashtëm të saj. Madje, shumica, në shumë raste, nëpërmjet disa përfaqësuesve të saj, ka nxitur deri me kokëfortësi e demagogji, bojkotin apo vetë sjelljen refraktare të opozitës! Gjithashtu, në kohët e fundit, kur duket sikur opozita po tenton t’u afrohet shqetësimeve qytetare të përditshme, përsëri shfaq njëfarë ngërçi, nuk reagon në kohë, ose nuk e ka ndjesinë e duhur, në të gjitha rastet, për shqetësime të tilla. Mesa duket, i ka më në “zemër” skenarët “regjizorialë” me numra e data, por aspak ndërthurjen e alternimin e tyre me reagime e veprime të menjëhershme. Kjo gjë ka të ngjarë, që e dobëson atë dhe rezultatin e saj. E thënë ndryshe, PS-së i mungon ende fryma e shumimit spontan dhe e akumulimit magnetik, shpirti i vërtetë, ndjesia solidare, permanenca e aksionit politik e qytetar krahas atij ortekor. Në këtë shikim, ndikon dhe fakti që PS-ja është sa opozitë në raport me pushtetin qendror, po aq është pjesë përbërëse pushteti në nivelin vendor. Ndoshta, kjo gjë sikur e “ngatërron”, e mban atë të “zhytur” në një gjendje “tranzicioni” midis qartësisë e konfuzionit, midis pushtetit dhe jo pushtetit, pjesëmarrjes e largimit, përfshirjes e përjashtimit, kontributit e refuzimit të tij, reales e imagjinares, e kështu me radhë...
Në përfundim të protestës, të gjithë u njohëm me vendimin e nisjes së grevës së urisë së deputetëve dhe mbështetësve të PS. Ishte momenti i duhur për këtë veprim, pasi greva e urisë është hapi i fundit që mund të përdorte PS? A ishin ezauruar të gjitha mjetet politike për të gjetur një zgjidhje?
Sapo jam kthyer nga një veprimtari politike në Gjermani, dhe nuk kam pasur mundësi që të ndiqja, si të thuash në të gjallë, aktivitetet e forcave politike të datave 30 prill dhe 1 maj. Kam lexuar e dëgjuar që protesta e opozitës, me gjithë pjesëmarrjen shumë të madhe popullore, ishte krejtësisht qytetare, pa dëmtimin minimal, fare ndryshe nga ato protestat e dhunshme të dikurshme të PD-së në opozitë!...Përsa i përket grevës së urisë, edhe pse nga ana humane jam tërësisht solidar me pjesëtarët e saj, kam qenë e mbetem, në të gjitha kohërat, kundër këtij mjeti që, në çdo rast, i zgjatur në kohë, mund të shoqërohet me dëmtime shëndetësore, pse jo dhe më shumë se aq! Sidoqoftë, kur sakrifikohen nivele të poshtme dhe realizohen pa “teklif” kompromise apo pazare në nivele të sipërme. Personalisht, në periudhën e kryerjes së detyrës si President, unë, mesa kam pasur në dorë, kam ndërhyrë në mënyrë ligjore e morale për shmangien e grevave të urisë apo për të evituar pasojat e mëtejshme të tyre. Kjo edhe pse në atë periudhë, vetë PD-ja, individë e grupime të ndryshme të drejtuara prej saj e kanë shfrytëzuar me teprim një mjet të tillë, deri “zhvlerësuar” atë! Vlen të përmenden ndër këto ndërhyrje, ai në rastin e një personaliteti, të një demokrati të vërtetë, të tranzicionit shqiptar, Pjetër Arbnorit. Me këtë çështje u mor drejtpërsëdrejti Preç Zogaj, si këshilltar politik në presidencë. I informuar prej tij, unë shkova në spital jo vetëm për ta vizituar Pjetër Arbnorin, por dhe për të mos lejuar heqjen e serumit, që do ta rrezikonte seriozisht jetën e tij (madje, vlen të falenderohet për këtë dhe gatishmëria e Tritan Shehut, shërbimi si mjek pranë shtratit të tij). Dhe më tej, edhe përgatitja prej meje e një drafti ligjor shtesë, në të cilin përfshiheshin edhe kërkesat e deputetit Arbrori (në atë kohë, sipas Paketës Kushtetuese, Presidenti e kishte iniciativën ligjore). Miratimi i kësaj iniciative ligjore nga shumica parlamentare e kohës, i dha fund dhe grevës së deputetit...
Po ashtu, së bashku me z. Moisiu, ne kemi reaguar ndaj ndryshimeve kushtetuese apo për mundësinë e ndërprerjes së grevës së urisë së LSI-së në Parlament, 1-2 vjet më parë. Bile, në atë kohë, kam reaguar prerë se më dukej, sa e gabuar po aq dhe jo njerëzore, sjellja apo indiferenca e deputetëve socialistë ndaj atyre lësëistë, në Parlament. Them se edhe sot indiferenca e deputetëve të tjerë ndaj atyre të futur në grevë urie do të dëmtojë jo pak kohezionin parlamentar për çështje kardinale...
Gjatë kohës që PS zhvillonte protestë dhe grevë urie, PD zhvilloi një koncert festiv për arritjet e vendit drejt aspiratës evropiane. Si e shihni ju këtë përgjigje të maxhorancës?
Do të më dukej normale çdo festë po të ishte zhvilluar në kushte të tjera, p.sh., më 9 maj, në Ditën e Evropës. (të festuar që në vitin 1985, në kujtim të deklaratës së Ministrit të Jashtëm francez Shuman (Robert Schuman), më 9 maj 1950, me krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit e çelikut, që startoi dhe procesin e integrimit evropian). Por, në asnjë mënyrë si përgjigje apo si manifestim i ngjashëm force ndaj protestës së opozitës. është thjesht një karshillëk aspak i mençur dhe realist! Aq më tepër që ajo është deklaruar menjëherë pas shpalljes së datës së 30 prillit prej PS-së dhe aleatëve të tjerë. Po ashtu, në gjykimin tim, parë dhe me zhvillimin e mëvonshëm të grevës së urisë, më duket një “emocion” i panevojshëm një koncert i tillë, bile deri diku dhe një pakujdesi e mungesë ndjeshmërie, që nuk i lejohet një shumice qeverisëse, që duhet të përgjigjet e shqetësohet për ekuilibrin, mirëkuptimin e stabilitetin e gjithanshëm të vendit. Aq më shumë kur, të paktën, gjysma e qytetarëve janë të pakënaqur apo të prekur prej kësaj qeverisjeje...
Cila mund të jetë zgjidhja e ngërçit në këtë pikë ku ka arritur situata politike. Sa dhe si duhet të lëshojnë palët për të gjetur një zgjidhje? Si ish-president, si e gjykoni qëndrimin e Presidentit Topi?
Në përgjithësi është shumica që duhet ta ofrojë apo të “eksplorojë” një zgjidhje të pranueshme. Pavarësisht prej saj, një grevë e zgjatur do ta dëmtojë imazhin e vendit apo do të frenojë proceset e lidhura me të afërmen e tij. Dhe kjo nuk i intereson as PS-së.
Sidoqoftë, ndryshe nga Kryeministri që shprehu një preokupim, të paktën përpara kamerave, mbetet ende larg ndjeshmërisë normale drejtuesja e Parlamentit, apo në “thënie pa thënie” vetë Presidenti. A ka mundësi tjetër? Pa dyshim që po. Bile, më sipër, me një shembull të dikurshëm unë ilustrova të kundërtën. Megjithatë, po e mbyll këtu mendimin për këtë çështje, thjesht për të mos krijuar as keqkuptimin më të vogël!...
Krerët e PS-së kanë bërë të qartë se nuk do marrin pjesë në Parlament në votimin e 6 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Si e vlerësoni këtë qëndrim të PS dhe cila do të ishte këshilla juaj në këtë rast?
Për mendimit tim kërkohet jo vetëm pjesëmarrja e PS-së, por dhe kontributi i saj në proces. Qoftë dhe për ta demaskuar atë nëse ai do të zhvillohet në drejtim të gabuar!...
Me thënë të drejtën, gjatë 5 vjetëve të qeverisjes demokratike, sidomos në 4 vitet e para, “opozitën” e vërtetë ligjore-institucionale ndaj iniciativave jo kushtetuese të kësaj shumice e ka luajtur Gjykata Kushtetuese me vendimet e saja të njëpasnjëshme, me të cilat ajo u kundërvihej pa zhurmë, me cilësi e profesionalizëm vetë oreksit të Qeverisë. Madje, po të krahasohet efektiviteti i opozitës politike-parlamentare me atë të juridike-kushtetuese, kjo e dyta ka qenë shumë më e thellë në ndikimin e saj demokratik. Parë me këtë sy, një problem i mprehtë në kushtet aktuale është ruajtja dhe fuqizimi i rolit të “gardianit” të Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese, aq më tepër që tashmë kërkohet zëvendësimi i 6 anëtarëve të saj. Kjo situatë, nisur nga epërsia numerike e këtij ndryshimi, e bën të domosdoshëm kontributin përzgjedhës të opozitës në Parlament. Por, kjo situatë kërkon dhe një mendim të ri në këtë proces...
Madje, për çudi, nëse PS-ja dhe PD-ja miratuan brenda një nate disa amendamente kushtetuese që preknin shtyllat e balancimit apo kontrollit të pushtetit ekzekutiv, duke e fuqizuar këtë të fundit, as u mendua fare nga këto forca politike për një debat realist mbi procesin e zgjedhjes së anëtarit të kësaj gjykate. Në mënyrë të veçantë, mund të ndryshohej vota e pëlqimit parlamentar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, (p.sh., mbi 84 vota mbështetëse deputetësh në marrjen e atij pëlqimi, ndryshe nga situata e sotme, ku në Kushtetutë, ky pëlqim nënkuptohet fare i thjeshtë, madje pa pasur nevojën e një shumice absolute). Kjo po del tepër e domosdoshme në kushtet aktuale sepse ndryshe nga konceptimi i mëparshëm për një emërim të tillë (të konsideruar si një diskrecion presidencial), po shfaqet qartësisht sot diskrecioni kryeministror, që do të thotë dhe karton i politizuar i shumicës parlamentare. Kjo është fare ndryshe nga mbrojtja pas emërimit (në lidhje me shkarkimin), për të cilën sipas nenit 128 të kushtetutës: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore e fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”.
Sidoqoftë, aktualisht, nuk mund të shpresohet për amendamente kushtetuese në mbështetje të neutralitetit politik dhe epërsisë profesionale të kësaj gjykate, pikërisht në procesin e emërimit. Por, nga ana tjetër, kërkohet një angazhim tërësor në përzgjedhjen dhe procesin e zgjedhjes së 6 gjyqtarëve të rinj. Mbi të gjitha, opinioni publik, media qytetare dhe vetë opozita duhet të jenë vigjilente në demaskimin e çdo synimi monopartiak apo të ndonjë mbulese demagogjike ndaj këtij procesi. Prandaj, në procesin e diskutimit dhe votimit duhet të jetë e pranishme edhe opozita, që nëse nuk dëgjohet në seancë në vlerësimin e saj, duhet të ulërasë jashtë saj, për t’iu kundërvënë çdo prirjeje të dukshme apo të padukshme të një modelimi politik “alla llukashenko”, të ndeshur më parë edhe në tranzicionin shqiptar...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›