Durrës, pronarët e lokaleve: Hiqni kufizimet për muzikën
DURRES/ OERD ULQINI
Sipërmarrësit e biznesit turistik i kërkojnë prefektit Genci Alizoti “licencën” për të ngritur sipas dëshirës volumin e muzikës nëpër bare dhe restorante të Durrësit. Me argumentin se muaji i agjërimit për myslimanët (gushti) “shkurton” sezonin turistik, disa sipërmarrës të fushës i kërkuan Alizotit, që kjo verë të mos ketë kufizime për muzikën e lartë. Biznesi turistik në Durrës llogarit se ka vetëm 60 ditë në dispozicion (qershorin dhe korrikun), për të arkëtuar paratë që i pret me padurim prej një viti, për faktin se turistët dërrmues maqedonas dhe kosovarë janë besimtarë të devotshëm të besimit islam. Përvoja e vitit të shkuar tregoi se plazhi u boshatis me të ardhur muaji i shenjtë i myslimanëve, i cili vjet përkoi me periudhën gusht-shtator. Por e njëjta përvojë tregoi se kosovarët dhe maqedonasit janë edhe konsumuesit më të mëdhenj të lokaleve, ku muzika shqiptare luhet “live”. “Po na e hoqën muzikën, as pesë vetë nuk mblidhen në lokal, aq më tepër që me ardhjen e Ramazanit turizmi mbyllet”, i tha njëri prej sipërmarrësve turistikë prefektit Alizoti, por ky i fundit kërkoi që diskutimet për muzikën në plazh të kenë një zgjidhje të mesme, që kënaq të gjitha palët. “Nuk mund ta lejojmë faktin që muzika të buçasë deri në katër të mëngjesit, pasi pengojmë të tjerët, por njëkohësisht nuk mund të penalizojmë këtë biznes dhe ata të rinj që e duan muzikën”, tha Alizoti. Sipas tij, zgjedhja më e mirë do të ishte vendosja e një kufiri kohor, p.sh. deri në orën 24:00 dhe më pas të parashikohen sanksione për kundravajtësit. Nga ana tjetër, sipërmarrësit turistikë i kërkuan prefektit zbatimin e kushtit që nëse rregulli për muzikën vendoset, ai duhet të veprojë tek çdo lokal njëlloj dhe jo në formë selektive. “Më të shumtën këtu në Durrës vijnë turistë ballkanas dhe ata duan muzikë në çdo orë. Nëse ne do ta kemi të ndaluar muzikën deri në orët e vona, atëherë do të pësojmë humbje të mëdha, pasi do të punojmë vetëm dy muaj vere. Në gusht vjen muaji i Ramazanit dhe turistët nga Kosova dhe Maqedonia do të largohen”, thanë disa prej sipërmarrësve. Kërkesa të tjera të biznesit turistik të Durrësit, në adresë të prefektit Alizoti, ishin edhe garantimi i ujit dhe dritave, i koshave për hedhjen e mbeturinave në zonën e frekuentuar nga pushuesit dhe shtrirja më e madhe e plazhit privat, pasi sipas tyre plazhi publik ndot mjedisin dhe nuk ofron pamje estetike për një turizëm bashkëkohor.