E Diel, 1 Nëntor 2026

Agolli: Në greva urie kanë vdekur njerëz,Berisha të hapë kutitë



Bisedoi Aristir Lumezi

Patriarku i socialistëve, Dritëro Agolli, nuk mund të rrinte pa dhënë opinionin e tij për zhvillimet politike të ditëve të fundit. Ai u kërkon palëve të gjejnë zgjidhje, shprehet se me ndryshimet kushtetuese që bëri PD-ja në bashkëpunim me PS-në i japin mundësi Sali Berishës të hapë kutitë që kërkon opozita, ndërsa e sheh rolin e Presidentit shumë të vakët nga vetë statusi që të dyja forcat kryesore politike i kanë lënë. Shkrimtari i njohur shprehet se palët duhet të zgjidhin krizën politike dhe të merren më shumë me krizën ekonomike, të gjejnë bashkërisht mënyra se si të rritet prodhimi vendës dhe të ndjehet sa më pak kriza globale në tryezat e shqiptarëve.
Zoti Agolli, si e shikoni situatën politike në vend, që ka shtyrë në grevë urie 200 deputetë dhe mbështetës të PS?
Mendoj se problemi numër një për shqiptarët sot është ekonomia dhe kriza ekonomike që ka prekur të gjitha familjet. Nëse vazhdohet pa u marrë me këtë krizë, vendi do të ketë një të keqe shumë të madhe. Gjendja reale ekonomike e vendit nuk është ajo që raportohet me shifra të çuditshme, nuk janë postulatet se hapëm Rrugën e Kombit, apo Rrugën e Arbrit. Në fakt, këto i bëjnë mirë vendit, ndihmojnë ekonominë e vendit dhe të zonave nga kalojnë, por më shumë janë reklama për t'i thënë botës se ne po shkojmë në Evropë, se po bëjmë rrugë edhe më shumë se mundësitë që kemi. Them reklama, sepse vendi nuk e ka luksin sot që të ndërtojë rrugë me katër korsi për një trafik që ende nuk e justifikon atë dhe për një ekonomi që nuk mund ta përballojë në këto përmasa. Sepse këto superharxhime janë më pak investime në sektorët e tjerë të ekonomisë, që do të rrisnin shërbimet dhe mirëqenien e vendit. Këto janë reklama që bëjnë, sepse me mundësitë tona ekonomike, s'kemi pse bëjmë salltanete të mëdha për rrugë me shumë korsi. Unë këtë e quaj propagandë. Mua më bëjnë përshtypje deklaratat që bëhen për rritjet ekonomike; raportohen rritje të mëdha në shifra, por e rëndësishme është se sa më është rritur mua përqindja e jetesës, a jetoj unë më mirë se para 4-5 vitesh? Kështu duhen matur numrat që raportohen, jo si numra aritmetikë, por me nivelin e jetesës sime. Dëgjoj se janë rritur kaq dhe aq doganat. Mirë, unë gëzohem që qenkan rritur të ardhurat nga doganat, por unë bëj pyetjen, sa rritje në tavolinën time kam nga këto të ardhura nga doganat?! Për këtë duhet të vrasin mendjen dhe të mendojnë e raportojnë si do të rritet mirëqenia ime si popull. Nisur nga këto që thamë, sot jetojmë me keq, kemi më shumë mungesa në familjet tona se ç'kishim 5 vjet më parë. Ky duhet të jetë preokupimi i politikanëve tanë. Vërtet është rritur rroga dhe pensionet, por sot ato vlejnë më pak, me më shumë para blen më pak gjëra. Në kohën e luftës së Dytë Botërore, dhrahmia greke s'kishte vlerë fare, për të blerë një kile fasule duhej të mbushje një torbë plot me kartmonedha dhrahmish. Më shumë rëndonin kartmonedhat se sa malli që blije. Apo dinari jugosllav, nuk numëroheshin më me dhjetra dhe qindra dinarë, por duheshin dy milionë dinarë për të blerë një bukë. Në këtë kuptim, numrat nuk tregojnë asgjë, ajo që tregon është materia, malli që ke mundësi të blesh. çdo gjë tjetër mbetet propagandë.
Ju mendoni se më shumë arsye ka për të protestuar për anën ekonomike të jetës se sa aspektet politike, siç është edhe hapja ose jo e kutive..?
Natyrisht që ekonomia është baza e mbijetesës së një vendi, më pas vijnë të tjerat. Madje unë mendoj se ka diçka të kombinuar mes të dyja palëve, sepse në fillim ishte "Hap kutitë", ndërsa tani kemi dhe kërkesa ekonomike. Kjo duhej bërë që në fillim, sepse vështirësitë ekonomike janë ato që dhembin më shumë. Ne e shohim këtë vështirësi edhe në tryezën tonë, që marrim pensione të mira dhe prapë vihemi në vështirësi, e jo më të mendosh si mund t'ia dalin pensionistët apo ata që janë të papunë apo me asistenca, që mezi mbajnë shpirtin. Kështu që kjo luftë politike e tërheq vëmendjen nga problemet e tjera të mëdha, kjo u bën mirë të dy palëve, i bën mirë maxhorancës, e cila thotë "shyqyr që kemi këtë debatin për kutitë dhe sa më shumë të zgjatet aq më mirë, se mos na ngrihet ai me cfurk dhe na vjen deri në Tiranë dhe u themi që këta na pengojnë për të vajtur në Evropë për të marrë viza". Kjo situatë zgjat. Nga ana tjetër opozita, edhe ajo ka një përfitim që thotë që "unë e bëra timen, ju nuk fituat, e dimë kush është hajduti i votës", dhe të dy palët largohen nga ana ekonomike dhe e varfërisë së vendit. Nëse debati dhe beteja do të përqendrohej tek gjendja ekonomike, populli do ta ndiqte nga pas, sepse gjendja është e tillë. Po të merrej maxhoranca dhe kryetari i Qeverisë me situatën ekonomike dhe të thoshte "more si do t'ia bëjmë hallit se kemi varfëri, pa mirë e keni ju me tuajën, kutia e hapur-kutia e mbyllur. Si t'ia bëjmë qepës, patateve, domateve, sheqerit, fasuleve që janë shtrenjtuar dhe për të cilat populli ka nevojë e nuk i blen dot? Si do t'ia bëjmë tokës që nuk po punohet dhe na ngeli djerrë? ç'të bëjmë me fermerin? Hajdeni të diskutojmë së bashku që t'ia falim karburantin fermerit që të nisë dhe të punojë tokën, të ushqehet vetë dhe të na ushqejë edhe neve me çmime më të ulëta, sesa të harxhojmë miliona për mitingje dhe antimitingje. Dhe jemi këtu në këtë pikë, pra kemi shmangur kështu atë që është kryesore, kushtet ekonomike dhe jetesën e popullatës.
Dua t'ju kujtoj se Portugalia rrezikon një krizë financiare si ajo e Greqisë dhe pak ditë më parë Kryeministri portugez thirri në një takim kryetarin e opozitës për të diskutuar bashkë dhe për të qenë në unison për masat që duhen marrë, në mënyrë që vendi të shmangë sa të jetë e mundur efektet e krizës. Si vlerësoni mungesën e këtij komunikmi këtu tek ne?
E keqja jonë është se themi se kriza është botërore, ndërsa ne nuk na ka prekur. Por edhe pse në Amerikë thuhet se kriza ka filluar të zbutet, në vendet ballkanike, si një rajon me standarde më të ulëta ekonomike, kriza ekonomike do të bëjë batërdinë dhe do sjellë pasoja të rënda. Greva e urisë është e rëndë dhe duhet të jetë alarm për reagim. Greva e urisë është një formë e njohur e protestës, ka ndodhur edhe më parë, madje dhe kanë vdekur në grevë urie. Opozita nuk është se hyri me qejf në këtë grevë, ajo u detyrua për shkak se nuk gjeti asnjë reagim nga maxhoranca. Kot u thuhet që t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese apo Venecias. Ne e dimë se në Shqipëri një njeri e ka në dorë këtë gjë. Po të dojë Sali Berisha e vendos këtë dhe kutitë hapen. Veçanërisht pas marrëveshjeve që janë bërë për ndryshimin e Kushtetutës, ai ka shumë gjëra në dorë dhe një gjë të tillë mund ta bëjë lehtë, nëse do.
Ajo që bie në sy në këtë krizë është fakti që asnjë nga palët nuk lëshon nga vetja dhe sot jemi në një pikë që s'ka kthim prapa... ?
Kjo ka të bëjë me traditën e shqiptarit. është mbeturinë e së kaluarës, thonim ne dikur, kryeneçësi e sëmurë dhe kështu do shkojë kjo punë deri sa të ndryshojë mentaliteti ynë. Për këtë duhet të mundohen politikanët tanë. Evropa thotë "gjeni zgjidhje dhe bëni transparencë sipas Kushtetutës!". Kjo më kujton "Evropën plakë"... Asnjëherë evropianët nuk shprehen qartë se çfarë duhet të bëjë politika shqiptare. Evropa e ka të qartë qëndrimin e saj për sa u takon disa standardeve që janë të huaja për Shqipërinë.
Mendoni se në këtë situatë roli i Presidentit duhet të ishte më vendimtar?
Problemi qëndron tek amoraliteti i politikës. Pa përmbushur akoma mandatin e tij, diskutohet për zëvendësimin dhe pasardhësin e Presidentit të Republikës. Ky është gabimi më i madh i këtij vendi, pra nuk pritet të përfundojë mandati i kreut të shtetit, menjëherë hapet që tani diskutimi se kush do ta zëvendësojë atë. Që kur filloi mandatin, nisi diskutimi për ta zëvendësuar, pa pritur akoma një produkt të këtij mandati. Madje i thonë me këtë debat, "rri urtë, se mund të ta ndërpresim mandatin aktual", pasi ndryshimet kushtetuese e kanë bërë të mundur këtë gjë. Të gjithë pushtetin sot, edhe atë të Presidentit, e ka Kryeministri. Dhe dihet se kush e solli këtë gjë. Ishte gjëja më antidemokratike që është bërë në Shqipëri. Presidenti nuk ka ç'të bëjë sot në këtë krizë, edhe kaq sa ka bërë, ka bërë shumë. Ai i thotë politikës që "unë nuk kam pushtet që të ndërhyj". Nga një gjeneral, Presidentin e shndërruan në një ushtar kazerme. Presidentit i mbetet vetëm të japë dekorata për personalitetet e fushave të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›