Shtresa e mesme që na mungon
Eno Bozdo
Ditën që 12 ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian firmosën letrën në mbështetje të fortë të aspiratës së kahershme të Shqipërisë dhe shqiptarëve për liberalizimin e regjimit të vizave, 22 deputetë të opozitës shqiptare, shoqëruar nga 200 mbështetës të tjerë, u ngujuan në një grevë urie të paprecedentë, duke ngritur çadrat e tyre në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë. Kjo lëvizje e opozitës është e paprecedentë për faktin se në mënyrë të habitshme (ose më mirë të qëllimshme) vendi i ngujimit u zgjodh kryeqendra e Shqipërisë, duke sjellë përveç ngarkesës dhe problematikës së madhe të trafikut të kryeqytetit edhe një problem të ndjeshëm për imazhin e vendit në sy të opinionit të huaj publik.
Kjo lëvizje e opozitës është gjithashtu, e paprecedentë mbi të gjitha për faktin se Shqipëria tashmë ndodhet në një ndër momentet më të rëndësishme (të mbara) historike, kur pritet që brenda disa javëve, në 2 qershor në Samitin e Sarajevës, të merret një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.
Gjithashtu, këtu më duhet të veçoj rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij momenti, kur Shqipëria përgatitet të marrë rreth 400 milionë euro hua në tregun ndërkombëtar financiar, hua kjo, shumë e rëndësishme për ekonominë e saj, për stabilitetin makroekonomik dhe klimën e biznesit në vend.
Ndërkaq, imazhi i një opozite të ngujuar në qendër të vendit, në mënyrë të pashmangshme përkthehet për investitorët e huaj si “risk i lartë politik”, duke rritur kështu interesat e borxhit, ndoshta edhe 1 pikë (%) më lartë, pikërisht për shkak të kësaj greve urie dhe qëndrimi ekstrem që opozita ka zgjedhur.
Pyetja që lind në këtë pike, kur momenti për Shqipërinë është kaq i rëndësishëm, është: zgjedhja e kohës dhe e vendit të grevës është rastësore, apo e përllogaritur me kujdes? Greva e urisë është një element presioni ndaj Qeverisë, apo një element mediatik, që dëmton imazhin e vendit në vigjilje të këtyre ngjarjeve shumë të rëndësishme?
Të gjithë ata që e kanë ndjekur nga afër dinamikën e lëvizjes opozitare dhe aksionin politik të z. Rama, e dinë fare mirë që greva e urisë është një instrument imazhi dhe jo një mekanizëm për të zgjidhur krizën. Të gjithë ata që njohin z. Rama dhe stafin politik që atë e rrethon, e kanë kuptuar këtë ndërsa dëgjonin në fjalimet e njëpasnjëshme të tubimit të fundit shprehjet radikale “liri a vdekje”, “kjo është dita finale”, “nuk ikim pa ikur Berisha”. Kjo luftë e opozitës tashmë është orientuar përfundimisht në një luftë imazhi dhe nervash me Qeverinë dhe qytetarët e thjeshtë, që nuk synon të zgjidhë çështjen, por ta radikalizojë atë, duke sjellë pra në mënyrë të pashmangshme dëmtimin e imazhit të vendit si dhe të interesave të tij politike dhe ekonomike. Por situata është edhe më dëshpëruese, nëse marrim parasysh deklarimin e fundit të z. Rama, i cili tha se “ ...nuk behet fjalë për zgjedhje lokale, për sa kohë nuk janë hapur kutitë.. ».
çështja madhore e liberalizimit të vizave si dhe çështja e lançimit të Eurobond-it, që i mundëson Shqipërisë të dalë për herë të parë si lojtar në tregun ndërkombëtar financiar, janë shumë herë më të mëdha sesa (mos)arsyeja dhe interesi politik i opozitës së sotme. çfarëdo kauze të ketë kjo opozitë, përsëri një lëvizje e tillë është e papranueshme, pikërisht për shkak të dëmit që u shkakton interesave kombëtarë.
Shoqëria shqiptare deri më sot ka reaguar në mënyrë të vakët, pa nerv dhe temp. Dhe nuk e kam fjalën këtu për pjesën partiake militante, e cila reagon, sepse është më e ndjeshme ndaj temperaturës politike të vendit. Shtresa e mesme në veçanti është vulnerabël ndaj kësaj situate: ajo ka gjithçka për të humbur dhe asgjë për të fituar, nëse regjimi i vizave nuk liberalizohet apo Eurobondi do t’u kushtoje më shumë shqiptarëve pikërisht për këtë lëvizje ekstremiste të opozitës, apo nëse në fund të vitit, pikërisht për shkak të mungesës së plotësimit të kriterit politik, statusi i “vendit kandidat” të shtyhej në kohë, derisa zt. Rama t’i mbushet mendja të luajë një lojë të ndershme të opozitarit. Sidoqoftë nuk është hera e parë që shoqëria jonë (s’)reagon në mënyrë të tillë.
Sikur një situatë e tillë të ndodhte në një nga vendet e Evropës Juglindore e tashmë anëtare e BE-së, me siguri do të kishte grumbullime dhe revolta spontane të qytetareve, të cilët do t’i kërkonin kryetarit të opozitës të sprapsej nga lëvizje të tilla të paprincipta politike. Do të kishte gjithashtu, shumë të ngjarë që qytetarët të organizuar në formën e komiteteve, të kërkonin të (në mënyrë civile) fundin e grevës së urisë dhe kthimin e normalitetit në jetën e Parlamentit. Këta qytetarë gjithashtu do t’i kërkonin opozitës të miratonte disa ligje me shumë rëndësi për vendin, pjesë e nevojshme e reformave në sistemin gjyqësor apo me tej..
Nëse kjo gjë do të kish ndodhur në një vend tjetër, atëherë vetë biznesi do të organizohej dhe do t’i kërkonte opozitës të miratonte ligjin për Gjykatën Administrative, që ka tashmë mbi një vit në Kuvend, sepse në të kundërt ata nuk do të mbështesnin më alternativën e PS-së në zgjedhjet politike të radhës.
Sikur një situatë e tillë të ndodhte diku tjetër, përfaqësuesit tipikë të shtresës së mesme, arsimtarët dhe mjekët, si përfitues kryesorë nga programi qeveritar 2005-2009 që mundësoi dyfishimin e pagave të tyre, do t’i kërkonin opozitës në mënyrë të organizuar të mos dëmtonte interesat ekonomike të vendit, sepse ndryshe do të dëmtonte edhe rritjen e programuar të pagave të sektorit publik... Dhe reagimi nga ana e politikës do të kish qenë i menjëhershëm, sepse asnjë udhëheqës (jo në Shqipëri, po diku tjetër) nuk mund të kthehet kundër vendit të tij, nuk mund të transformohet në kamikaz duke rrezikuar daljen përfundimtare nga jeta politike..
Por Shqipërisë i mungon një shtresë e mesme e tillë, ku individi lufton me princip dhe me ndërgjegje qytetare për të drejtën madhore, për interesin e tij dhe të vendit, të cilat janë reciprokisht të pazgjidhura. Ne na mungon një shtresë e tillë dhe ky do të vazhdojë të mbetet një problem për vendin, pavarësisht forcës politike që do të jetë në pushtet. Ne na nevojitet një shtresë e tillë pikërisht sot, për të ruajtur ekuilibrin e vendit, për të promovuar dhe nxitur në politiken shqiptare pikërisht ato vlera që një pjesë të saj i mungojnë sot, madje në një masë të papranueshme.