E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes luftës dhe turpit

Arshela Arapi

Të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen e njohur të Wiston Churchill kur iu drejtua, në shtator të 1938, Kryeministrit britanik të kohës, Neville Charmberlain, menjëherë pas “paktit” të Myhnihut, ku Britania e Madhe dhe Franca vendosën t’i hapnin dritën jeshile Hitlerit, për të pushtuar Cekoslovakinë: “Kishit mundësinë të zgjidhnit mes luftës dhe turpit, por ju sot zgjodhët turpin e shumë shpejt do të përballeni me luftën”. Thuajse në të njëjtat proporcione është duke u aplikuar e njëjta formulë, në marrëveshjen mes evropianëve dhe FMI-së, në lidhje me menaxhimin e krizës greke dhe financave të saj publike. Aktorët kryesorë evropianë duket se kanë bindjen se marrëveshja me një strukturë financiare ndërkombëtare, ndonëse ndërhyrja e së cilës mund të shkaktojë një kosto shumë të lartë në të ardhmen, do të ishte rrugëzgjidhja e vetme për daljen e Greqisë nga kriza financiare dhe parandalimin e efektit domino në kontinentin e vjetër. Kështu u fut në lojë FMI-ja, një instrument monetar ndërkombëtar, por jo evropian, i cili njihet për një ekspertizë të mirëfilltë në fushën e balancimit të pagesave, por jo në atë të borxhit të brendshëm publik, siç është rasti i fqinjit tonë grek.
Ndërhyrja e FMI-së, me kërkesën e aktorëve kryesorë të Eurozonës, për të ndihmuar një vend anëtar të saj është një ndërmarrje që lë për të “dëshiruar”. çështja nuk qëndron vetëm në faktin e shpëtimit nga katastrofa të një vendi evropian, ajo duhet gjykuar në një këndvështrim më të gjerë. Shqetësimi është i dyfishtë. Ai lidhet jo vetëm me cilësitë e huamarrësit, pra Greqisë, por dhe me përzgjedhjen e huadhënësit. Vendimmarrësit evropianë sot i kanë besuar thuajse totalisht shpëtimit të monedhës së tyre të përbashkët (Euro), një institucioni ndërkombëtar totalisht të dominuar nga Shtetet e Bashkuara (pak rëndësi ka fakti që ky institucion drejtohet nga një individ me origjinë franceze).
Pyetja që zgjon kureshtjen është përse aktorët vendimmarrës evropianë përzgjodhën këtë mundësi? Kjo zgjedhje bëhet akoma më e pakuptueshme, jo vetëm nga fakti se ky fenomen identifikohet si një fenomen i Eurozonës dhe si i tillë do të ishte më e logjikshme dhe e ndershme që kjo krizë të suportohej nga vetë aktorët evropiane, por dhe për faktin që këta të fundit disponojnë të gjithë mekanizmat dhe burimet financiare të nevojshme për të garantuar qëndrueshmërinë e monedhës së përbashkët. Shembujt janë të shumtë, mjafton vetëm një ndërhyrje e Bankës evropiane të investimeve për të mobilizuar burimet e nevojshme e për të realizuar tërheqjen e spekulatorëve të ndryshëm. Nëse evropianët nuk marrin në dorë vetë administrimin e kësaj situate në Greqi, pa dyshim që katastrofa herët e vonë do të jetë e pashmangshme. Mundet që përzgjedhja e FMI-së, si zgjidhje e situatës greke, të duket më efikasja e mundshme momentalisht, por mos harrojmë se askush nga ata që sundon në tregjet financiare nuk beson se ky institucion ndërkombëtar do të mund t’i imponojë Greqisë kushte politike. Sikundër dihet që Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë interes të veçantë për të shpëtuar monedhën Euro, madje logjika mund të shkonte dhe më tutje, duke cilësuar se janë pikërisht ata më të interesuarit për të ruajtur pozicionin e dollarit si referencë unike, kusht sine qua non në dhënien e çdo huaje për financimin e deficitit amerikan, por që njëkohësisht siguron dhe vazhdimësinë e supremacisë financiaro-ekonomike të tyre.
Në këto kushte, do të shihej më e udhës që binomi franko-gjerman, lokomotiva ekonomike e Eurozonës, të pranonte rolin e gjeneralit në menaxhimin e krizës greke, duke mbajtur mbi vete dhe koston që do të shkaktonin qëndrimet kritike të vendeve anëtare të BE-së. Pranimi i këtij roli nga ana e binomit franko-gjerman nuk do të thoshte shmangie e analizës ndaj rrethanave që çuan Greqinë drejt greminës, apo imponimi i një tërësie kushtesh ndaj Greqisë, ky qëndrim do të konsiderohej dhe si një shenjë solidariteti i vendeve të Eurozonës. Ndërkohë që shfaqja e FMI-së si shpëtimtari i situatës, vë në dukje dashur pa dashur një lloj ngadalshmërie të procesit të integrimit evropian, si dhe një Evropë të fragmentuar nga rikthimi i kulturave e subkulturave kombëtare. Duke iu kthyer sërish situatës greke, kjo krizë nuk do të mund të zgjaste për shumë kohë. Nga fakti se as Gjermania, e njohur për qëndrimin skeptik ndaj rastit grek, as Franca nuk të pranonte apo lejonte një Euro në rënie të lirë.
Mos harrojmë se rasti grek nuk është i izoluar në BE, ekonomia spanjolle apo ajo portugeze janë duke shfaqur të njëjtat simptoma infeksioni. Ajo çka paraqet një shqetësim të veçantë është fakti se nëse vendet e Eurozonës do të mbajnë të njëjtin qëndrim si në rastin grek, pra duke i lënë vendin e menaxhuesit FMI-së, i cili do t’u imponojë shkurtime drastike buxhetore, këta të fundit të mos mbeten të habitur që një ditë mund të gjenden përpara një Euro-je të ç’vlerësuar totalisht dhe një Evrope të bashkuar, të shkërmoqur politikisht. Kësaj radhe nuk do të flasim më për falimentim të një shteti, por për falimentim të një kontinenti.
E nuk mbetet gjë tjetër, veçse të kujtojmë fundin e historisë së Churchill-it, i njohur për të gjithë, dy vjet pas marrëveshjes së Myhnihut, kur ky i fundit u bë Kryeministër i vendit i premtoi popullit të tij “gjak, djersë dhe lot »…
arshela.arapi@ymail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›