E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka kufij “kaosi demokratik”?

Agim Baçi

Të arrish të gjesh një rast të ngjashëm me protestën-grevë, që ka iniciuar Edi Rama, është thuajse e pamundur. Parimisht, greva e urisë është një format ekstrem, edhe pse demokratik. Dhe e drejta e votës së lirë, si parim themelor demokratik, vlen të mbrohet nga të gjithë aktorët, e kryesisht nga ata që pretendojnë se janë të dëmtuarit prej rezultatit të votës. Por, a ka Rama arsye për këtë hap ekstrem? Së pari, deklaratat se është i imponuar nga populli për vendimet që merr, janë një metodë e vjetër sovjetike, e cila me një manipulim të pastër emocional, përdorte praninë e turmave për vendime ekstreme. Por, asnjë protestë e vetme nuk mund t’i japë të drejtën ndonjë lideri të mendojë se e mbështet i gjithë populli, pasi në demokraci votohet dhe flitet për shumicë dhe pakicë, por asnjëherë për të gjithë popullin. Dhe, së dyti, Rama deklaron se populli është nën një tirani, por pa parë realisht se ndryshe nga situata që ai servir, në pjesë të tjera të Tiranës apo në shumë qytete në vend, jeta vazhdon, me shqetësimet e përditshme, duke e rrethuar këtë tirani vetëm në kaosin rrugor që ka krijuar vetë ai që merr rrogën si kryebashkiak.
Ndërkaq, është me shumë rëndësi që Rama e shumë të tjerë duhet të heqin dorë nga përdorimi i turmave, pasi në demokraci populli voton, dhe delegon pushtetin, e nuk merr pjesë çdo ditë në hartimin e politikave. Ndaj, delegimi i këtij vendimi ekstrem tek populli është thjesht një justifikim aspak fisnik, madje përdorim i mbështetësve në mënyrën më ekstreme, të cilëve u duhet të shpresojnë për një ardhje në pushtet të partisë që ata mbështesin.
Megjithatë, diçka më e rëndë se sa kaq, janë shkaqet që pasojnë këtë panoramë. Pas këtij vendimi, ku një opozitë e tërë vendos që të përdorë metodën e vetëflijimit, po një qytetar çfarë mund të bëjë për të kërkuar të drejtën e tij? Si duhet të sillet një qytetar që nuk ka asnjë mundësi, siç e kanë deputetët që të flasin në tempullin e ligjit? Pastaj, si ka mundësi që për këtë të drejtë të pritet një vit, pa aplikuar në asnjë gjykatë për pretendimet? A mos duhet që pas kësaj edhe qytetarët të mos njohin vendimet e gjykatave se kanë kontestimet e tyre? E mbi të gjitha, pas deklaratave të ndërkombëtarëve se me këto protesta largohet vendimi për liberalizim vizash, a duhet t’i besojmë Edi Ramës se është i shqetësuar për përmirësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë?
Pra, mungesa e argumenteve bindës për këtë hap ekstrem, që ndër të tjera pengon edhe funksionimin normal të jetës në kryeqytet, ku është edhe zemra e jetës politike dhe ekonomike të vendit, tregon se përmes këtij akti opozita kërkon thjesht të zhbëjë institucionet, të inkurajojë mosbindje civile dhe të promovojë një kaos.
Në këtë proces, Edi Rama po përdor një mjet demokratik kundër demokracisë, pasi duke shmangur tempullin e demokracisë- parlamentin- si vend i debatit, duke shmangur aplikimin e kërkesave në gjykata, si pushtet ku kërkohet e drejta, duke tentuar të bllokojë jetën qytetare, duke kërkuar mosbindje civile, ai thjesht po tenton të krijojë atë që ai tenton ta konsiderojë “kaos demokratik”.
Ndaj, parë disi më me qetësi, disa ditë pas vendimit ekstrem, Edi Rama duhet të lexojë drejt qëndrimin e qytetarëve, të cilët nuk janë më pjesë masive e protestës në bulevard. Do të ishte e dhimbshme për të gjithë, nëse Rama ëndërron me shpresën më fatzezë, që dikush nga pjesëmarrësit në grevën e urisë të vetësakrifikohet, e mundësisht të jetë deputet. Por, nëse Edi Rama lë në atë fushëbetejë edhe jetën e një njeriu të vetëm, ideja e tij për demokraci do të jetë zhbërë keq, pasi asnjë humbje e një jete nuk mundet që të justifikojë ardhjen në pushtet të askujt.
…Eshtë e qartë, se të gjithëve si shqiptarë na intereson që të kemi një vend ku palët dialogojnë, në respekt të ligjit, e mbi të gjitha, për të përçuar te qytetarët dëshirën për të respektuar institucionet. Dhe ne jemi të gjithë në kohë, për t’i kërkuar liderit të opozitës, që të gjejë kurajon demokratike për ta dërguar opozitën drejt institucioneve, që nesër, kur të vijë në pushtet, të mos jetë viktimë e këtij kaosi, edhe pse krijuar me forma në parim demokratike. Sepse ne nuk kemi nevojë vetëm për një maxhorancë që flet për ligjin, por edhe për një opozitë që tregon vullnetin se, kur të jetë ajo në pushtet, do të kërkojë të njëjtën gjë. Ndaj, këtij “kaosi demokratik” duhet t’i kërkojmë kufij, pasi përndryshe, ajo që do të humbim, është shumë më e madhe se çdo pushtet për të cilin flet Edi Rama. Dhe ky vend, është ende në rrugë për të harruar kaoset e mëparshme. Ajo për të cilin kemi nevojë është ligji dhe respekti për të, ku së pari politikanët i drejtohen institucioneve.
E mbi të gjitha, Rama ka shansin të tregojë se nuk ndërton një të majtë që vjen në pushtet me revolucion, duke përfshirë edhe derdhjen e gjakut (siç tha deputeti i tij, Tahiri, “Ja vdekje ja Liri”), pasi kjo do të përbënte ndoshta edhe ogurin më të keq të ardhjes së tij të mëvonshme në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›