E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, një vdes, plagosen katër të tjerë



FUSHE-KRUJE- Aksidente me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ndodhën dje në disa akse të vendit. Ngjarja më e rëndë ndodhi në orët e mbrëmjes në aksin Fushë Kujë - Tiranë. Një autoveturë tip benz dhe një furgon, të dyja me targa të Tiranës, të cilat po lëviznin në kahe të kundërta, u përplasën. Sipas policisë, aksidenti ndodhi në qendër të fshatit Nikël, ku drejtuesi i benzit tentoi të futej në parakalim, ndërsa furgoni në atë moment sapo kishte devijuar rrugën për të dalë në krahun e kundërt. Për pasojë, mjetet janë përplasur duke shkaktuar vdekjen e shoferit të furgonit, 50-vjeçari Agim Milla, ndërsa kanë mbetur të plagosur rëndë 17-vjeçari N. Xh., si dhe 50-vjeçari H.P. Dy të plagosurit u dërguan në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe janë jashtë rrezikut. Në Berat, një fëmijë tetë vjeçar u përplas rreth orës 10:30 në aksin Uznovë-Kombinat, afër shkollës 9-vjeçare "22 Tetori". Vogëlushi F.R. tentoi të kalojë në anë të rrugës, në orën e pushimit të madh, por ai u përplas nga autobusi që vinte nga Uznova për në qendër të qytetit. Nga hetimet e para mësohet se shkak është bërë ndërprerja e rrugës nga ana e vogëlushit, i cili ndodhet jashtë rrezikut në spital. Ndërsa në Bulqizë, një parakalim i gabuar gati i ka marrë jetën një të riu. Sipas policisë, 19-vjeçari S.T, ka humbur kontrollin e mjetit tip "benz", duke dalë jashtë rruge. Ai pësoi plagë të rënda, ndaj mjekët e Bulqizës e nisën drejt Spitalit Ushtarak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›