E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Negociatat e mia me Ramën për bashkimin e së majtës

 

Robert Rakipllari

Ish-presidenti Rexhep Meidani, ka zbuluar përpjekjet e fundit brenda kampit të majtë për bashkëpunimin PS-LSI para zgjedhjeve. Në një intervistë për "Panorama", Meidani ka sqaruar se ka kontaktuar kreun e PS-së, Edi Rama pas atij që ai e quan "takim miqsh" me Dritëro Agollin dhe Servet Pëllumbin. Sipas tij, "çmilitarizimi" i sjelljes publike midis dy partive apo krerëve të tyre me njëri-tjetrin do të ishte shtegu i bashkëpunimit.
Z. Meidani, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ju u bëtë pjesë e një grupi personalitetesh nga e majta, që hodhën idenë e bashkëpunimit mes PS dhe LSI. Në takimin e fundit, ju u mandaduat që të negocioni me krerët e PS-së dhe LSI-së në funksion të kësaj ideje. A keni marrë kontakt me Ramën dhe Metën dhe në çfarë faze janë negociatat? A shikoni mundësi reale që këto dy parti të shkojnë me koalicion të përbashkët në zgjedhje?
Në fakt, ne patëm vetëm një takim miqsh në shtëpinë e Dritëroit. Natyrisht, aty, midis të tjerash, diskutuam edhe për problemin që kishte filluar të ziente në media. Dhe, meqë siç thotë populli "ku dhemb dhëmbi vete gjuha", ne jo vetëm folëm por dhe e parapëlqenim prej kohësh mundësinë e bashkëpunimit midis të gjitha forcave politike të krahut të majtë, e padyshim edhe midis PS-së dhe LSI-së. Aq më tepër që secili prej nesh, në mënyrë të përveçme, është shprehur prej kohësh në një mënyrë apo tjetrën, por dhe publikisht në shtyp, për domosdoshmërinë e këtij bashkëpunimi, sidomos në procesin e ardhshëm zgjedhor. Po ashtu, nga analiza e jonë e përbashkët e asaj dite, na rezultonte se situata nuk dukej e favorshme, më tepër për arsye subjektive. Bile, goditjet e dyanshme, "fjalori politik" apo gatishmëria për sherr, pavarësisht nga niveli i përfshirjes publike në njërën anë apo në atë tjetrën, nuk e ndihmonin nisjen e një dialogu të mundshëm dhe, mbi të gjitha, sa më të mirë projektuar, të besueshëm dhe efektiv midis "krerësh"! Sidoqoftë, për ne në atë analizë, por dhe sot na duket krejtësisht i mundshëm "çmilitarizimi" i sjelljes publike midis dy partive apo krerëve të tyre me njëri-tjetrin. Përfshirë sidomos dhe veprimtaritë e domosdoshme politike e institucionale, në Parlament apo në pushtetin vendor. Dhe një përafrim i tillë normalisht mund të sjellë në vazhdim dhe oportunitete të tjera si para procesit zgjedhor, gjatë tij apo në procesin qeverisës.
Pikërisht, këtë mesazh analitik tonin ia përcolla dhe Edi Ramës. Ndërsa në media servirja ishte tepër e "fryrë": aty flitej për negociata, për "projekt" të përbashkët ndërmjetësimi apo për "detyrën" apo mandatimin tim (po ama, të kujt!?). Sidoqoftë, pa u marrë më tej me këtë fryrje, mund të them se edhe shqetësimi i z. Rama bashkohej me shqetësimin tonë. Veçanërisht për krijimin e një atmosfere normale midis forcave të majta, pa akuza e fyerje, pa pengesa apo cic-mice të panevojshme, pa deklaruar atë të fundit menjëherë të parën! Bile, z. Rama, dukej krejtësisht i predispozuar për të ecur në një shteg të tillë të çmilitarizuar. Nëse do të mbahet i hapur ky shteg, do të rriten dhe mundësitë reale për bashkëpunime më të arsyeshme midis këtyre forcave. Por, ama, nuk duhet harruar se në të dy anët mund të gjallërohen dhe "sherrxhinjtë" e "zjarr-dhënësit" që mbijetojnë vetëm në luftë...
Ideja e fundit për bashkëpunim erdhi nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, ndërsa ende nuk ka një pozicionim të qartë publik nga ana e PS-së. A shihni shanse që PS-ja të fitojë zgjedhjet me koalicionin aktual, pa LSI-në?
Për bashkëpunimin është folur në mjaft raste. Për atë janë shprehur, krahas meje, mjaft personalitete e politikanë të spektrit të majtë apo të PS-së, midis tyre: Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Maqo Lakrori, Ilir Zela, etj. Natyrisht, lajmet e fundit me "germa kapitale" për këtë problem apo angazhimi im me Dritëroin e Servetin, për të nxitur kontaktin apo krijimin e klimës së bashkëpunimit, erdhi nga një dalje publike e Ilir Metës. Ndërkohë që besoj se, në kushtet aktuale, më shumë se "zhurma" në publik del më i dobishëm një diskutim në të qetë për kapërcimin e paqartësive apo sqarimi i projeksioneve të ndryshme. Sidoqoftë, i gatshëm për një gjë të tillë është dhe z. Rama. Pra, ky nuk është thelbi i problemit. Bile, nuk është ndonjë gjë e madhe të deklarosh publikisht bashkëpunimin; përkundrazi, ajo që kërkohet edhe njëherë është kultivimi i besimit dhe jo mosbesimi, çmilitarizimi në vend të militarizimit, komunikimi dhe qetësia në vend të shkëputjes dhe tensionimit. Dhe për të ecur në këtë nuk ka rëndësi se cili është i pari.
Ndërsa të flasësh sot në lidhje me koalicionet zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme është ende herët. Ndërsa, të besosh se një parti e vetme, qoftë kjo PS-ja apo PD-ja, mund t'i fitojë zgjedhjet e vetme, aktualisht duket krejt e pamundshme. Madje, po të kihet parasysh konfiguracioni politik i paskomunizmit apo i sistemit parti-shtet (me një parti të vetme- "one party sistem") u zëvendësua që në fillim me sistemin e dy partive kryesore, të shoqëruar me shumë parti të vogla ("2 plus - party system"), ndryshe nga sistemi amerikan (sistemi me dy parti politike apo "2- party system"). Në gjykimin tim, çdo hamendësim, përpjekje e "fshehtë" ose paramendim për të kaluar nga sistemi aktual politik tek sistemi amerikan duket praktikisht e paarritshme, veçanërisht në këto zgjedhje. Madje, ka shanse të mëdha për të kaluar pas këtyre zgjedhjeve të përgjithshme në një sistem politik shumë-partiak ("multi- party system")... 
Në një deklarim të fundit, një prej parashikimeve tuaja për skenarët pas zgjedhjeve ishte edhe një koalicion qeverisës PS-PD. Ku e bazoni këtë analizë dhe sa e mundur do të ishte një qeverisje në këto kushte?
Padyshim në politikë gjithçka është e mundshme. I tillë është p.sh., koalicioni i madh (në qeverisjen federative) në Gjermani. Dhe ai funksionoi e vazhdon të funksionojë përgjithësisht mirë.
Edhe në Shqipëri, pas zgjedhjeve të ardhshme, nëse do të jenë praktikisht të pamundshme e "reaktive" alternativa të tjera brenda njërit kamp ose tjetrit apo dhe brenda partive të ndryshme midis këtyre dy kampeve, në vend të ribërjes së zgjedhjeve bëhet e pranueshme, nga pikëpamja ekonomike e proceset integruese, edhe një qeverisje e tipit PS-PD. Dhe, këtu, duhen eliminuar padyshim edhe paragjykimet e mëparshme. Natyrisht, duke shmangur dhe mendjet e nxehta, sidomos ato tashmë të provuara apo të  "sëmura", brenda këtyre partive. Në këtë rast, një problem në vetvete nga pikëpamja e "filozofisë demokratike" mund të ishte pesha e opozicionit, e luftës politike dhe parlamentare apo ajo e rezistencës dhe e orientimit të shtypit... 
Si e vlerësoni paktin e PS me maxhorancën për miratimin e ligjit të Prokurorisë? A duhej ta merrte PS-ja këtë kosto vetëm se duhej të kalonte Kodi Zgjedhor, i kthyer nga Presidenti i Republikës?
Nuk më pëlqen të merrem me pakte ose dyshime paktesh. Në të vërtetë, për mendimin tim, ky ligj në thelb, pavarësisht çfarë propagandohet, nuk ka arritur ato pretendime fillestare. Madje, në disa raste edhe të formuluara në mënyrë të "keqe", në planin juridik apo gjuhësor. Për më tepër, bindja ime e dikurshme dhe e sotme, është se varianti i parë organizativ e funksional i Prokurorisë së Përgjithshme, në kuadër të KLD-së së dikurshme me gjykatës dhe prokurorë, ka qenë konceptualisht më i kopsitur në Paketën Kushtetuese. A duhet ta merrte këtë kosto PS-ja për një ligj të tillë ende të paarrirë? Edhe mundet, por, ama, sjellja e saj, deklarimet publike e manovrimet politike nuk ishin as tepër ekzigjente, as tepër serioze...
Maxhoranca votoi në fund të dhjetorit një ligj të ashtuquajtur për Dosjet, akt, i cili solli një përplasje publike të Kryeministrit Berisha me zyrtarë të lartë të SHBA. Si e vlerësoni miratimin e këtij ligji disa muaj para zgjedhjeve?
Në Shqipëri, një ligj i ngjashëm, madje me një listë të gjatë emërtimesh ka funksionuar vite më parë për një periudhë 5 vjeçare. Bile, në atë kohë ai ligj, edhe pse u miratua para zgjedhjeve të përgjithshme, nga "teprimet" në një anë apo "mbulimet" në anën tjetër hapi jo pak probleme me disa institucione evropiane, përfshirë dhe Këshillin e Evropës. Por, ama, nga pikëpamja kohore ai ishte në periudhën e duhur. Bile, nisur dhe nga niveli i maturimit politik dhe teprimet brenda tij, apo qoftë dhe mungesat ishin deri diku të pranueshme e të justifikueshme. Sot, nëse po mendohej të trajtohej edhe njëherë ky problem, rruga dhe konsensusi do të duheshin të ishin fare të tjera, cilësia dhe etika e ligjit krejt bashkëkohore, normat dhe përmbajtja e tij tërësisht kushtetuese.
Por jo vetëm kaq. Qoftë dhe duke besuar gabimisht se një ligj i tillë do ta favorizojë kryeministrin në zgjedhjet e ardhshme. ai përsëri e çoi në ekstrem "kokëfortësinë" e tij ndaj rekomandimeve e këshillave të disa zyrave ndërkombëtare, përfshirë dhe ato të disa zyrtarëve të lartë amerikanë. A kishte nevojë ai për një gjë të tillë? Aspak! Aq më tepër që ai ka pasur një dosje të tillë "kokëfortësie" edhe më parë. Sidomos të lidhur me zgjedhjet e majit 1996, apo me "dajakun" e dhënë gazetarëve e deputetëve opozitarë. Natyrisht që as nuk mund të mendohet se po arrihet aty. Por, ama, disa teprime të mëparshme, konfrontimet e ndryshme me institucionet e pavarura shtetërore, sulmet ndaj mjaft strukturave jopolitike apo dhe ato më të sofistikuara ndaj medias të rikthejnë pa dashje tek e kaluara e dikurshme e tij...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›