E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: Topi të firmosë “Dosjet”

 

BLEDAR HOTI

Kreu i shtetit, Bamir Topi ndodhet përpara presionit të partive politike dhe shoqatave të ish të përndjekurve për të firmosur pro ligjit "Për hapjen e dosjeve". Ato i kërkojnë presidentit të mos e kthejë atë për rishqyrtim në Parlament. Kur ka dhe katër ditë afat ligjor që kreu i shtetit të japë mendimin e tij për ligjin e dosjeve, drejtuesit e disa partive i bëjnë thirrje atij që ta dekretojë. Ligji "Për verifikimin e zyrtarëve dhe të zgjedhurve në administratën e lartë", ndodhet prej disa ditësh mbi tavolinën e kreut të shtetit, Bamir Topi për hedhjen e firmës. Nënkryetari i Kuvendit, kreu i PAD-së, Neritan Ceka në një prononcim për median i kërkoi presidentit, që ta firmosë një ligj të tillë, duke i dhënë fund një debati të gjatë, që ka ekzistuar në lidhje me këtë çështje. Për kreun e PAD-së "miratimi i këtij ligji i jep fund kësaj historie kaq të debatuar nga shoqëria dhe politika shqiptare". Nënkryetari i Kuvendit, Ceka theksoi se është në të drejtën e çdo shtetasi, që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse kanë pretendime. "Për çdo çështje që lidhet me Kushtetutën apo të drejtat e njeriut, ata persona që kanë kontestime duhet t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, por pavarësisht kësaj Presidenti duhet ta dekretojë ligjin", theksoi Ceka. Të njëjtën thirrje bëri dje edhe kreu i PLL-së. Ekrem Spahiu, i cili e cilëson si jetike për shoqërinë shqiptare. Spahiu ndërkohë ndan mendimin dhe besimin se "presidenti do ta firmosë këtë ligj". Kreu i legalistëve kërkon që një ligj i tillë të gjejë një zbatim të plotë. Ndërsa shoqatat e ish të përndjekurve dhe persekutuarve politikë, si dhe ajo e "Musine Kokalari" i janë drejtuar me anë të letrave publike Presidentit Topi, që të mos ta vonojë dekretimin e këtij ligji. Drejtuesit e shoqatave kërkojnë që Presidenti të plotësojë këtë kërkesë të kësaj shtrese dhe të mos vonojë në procedurën e dhënies së mendimit të këtij ligji. Përballë kësaj situate, ekziston dhe mundësia që nëse dekretohet ligji mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. Por maxhoranca e konteston fuqishëm një ide të tillë, duke u shprehur se një ligj është zbatuar edhe në Çeki, duke u pranuar edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, përfaqësuesit e qeverisë dhe të maxhorancës kanë deklaruar, se Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtojë një ligj të tillë, pasi anëtarët e këtij institucioni suprem kanë konflikt interesi. Ligji "Për hapjen e dosjeve" u miratua nga maxhoranca vetëm pas tre vjetësh. Maxhoranca dhe opozita depozituan disa projektligje të ndryshme në lidhje me këtë çështje, por që asnjëherë nuk u shqyrtuan prej tre vitesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›