Itali, kapet shqiptari për shfrytëzim prostitucioni
ITALI - Një 31-vjeçar me kombësi shqiptare është arrestuar dje nga forcat e rendit të Kasertës në Itali me akuzën e "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". Sipas agjencive të lajmeve të vendit fqinj, bëhet e ditur se shqiptari Xhevit Suma kishte shfrytëzuar si prostitutë një 22-vjeçare me kombësi bullgare. Arrestimi i shqiptarit ka ardhur pas denoncimit të vajzës së shfrytëzuar, e cila nën kërcënime dhe dhunë të ushtruar mbi të ishte e detyruar t'i jepte Sumës të gjithë paratë e fituara gjatë ditës. Mësohet se 22-vjeçarja bullgare ishte futur në mënyrë klandestine në Itali në tetor të vitit 2007. Së bashku me tre bashkëkombëse të saj, ajo kishte filluar të prostituonte në zonën e Iskitelës që prej gushtit të vitit 2008, derisa Xhevit Suma, bashkëshorti i një shoqeje të saj e detyronte që t'i jepte atij gjysmën e parave të fituara, që arrinte shifrën e 500 eurove. Në vijim e reja ishte detyruar të punonte në "turne" të vërteta pune, nga ora 10:00 deri në 19:00. Pas disa ditësh Suma ka "taksuar" 22-vjeçaren, duke i përvetësuar gjithë paratë e fituara duke e persekutuar, për të shmangur ndonjë fshehje të parave nga ana e saj. Sipas policisë italiane, shqiptari ka qenë lehtësisht i identifikueshëm, pasi kishte një tatuazh mjaft të dukshëm të një të Padre Pio-s në parakrahun e majtë. Pas denoncimit të të resë bullgare, policia e ka mbajtur 31-vjeçarin nën vëzhgim për një kohë të gjatë, teksa ai lëvizte në zonën e Iskitelës. Në verifikimet e kryera gjatë kësaj kohe ka rezultuar se mbi Sumën rëndonin edhe precedentë të tjerë penalë. Sipas policisë së vendit fqinj, ai ishte skeduar disa herë për veprën penale të thyerjes së rregullave të emigracionit. Gjatë kësaj periudhe policia ka siguruar prova, si foto, përgjime telefonike dhe ambientale, të cilat faktonin aktivitetin kriminal të tij. Pas arrestimit forcat e rendit i kanë gjetur Sumës disa dokumente personale të 22-vjeçares. Këto dokumente të bullgares ai i kishte përvetësuar për të shmangur mundësinë e largimit të të resë, si edhe për ta mbajtur atë të nënshtruar. Pas prangosjes Suma është dërguar në ambientet e paraburgimit të burgut të Santa Maria Capu Vetere. ar.ba