E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e taksistit, kërkohen “klientët”

 

Trazhgim Sokolaj

Ekzekutorët e taksistit Ramazan Hyka dyshohet se janë hequr si klientë për ta larguar 50-vjeçarin nga rruga e Elbasanit, ku rrinte zakonisht me automjetin e tij. Edhe pse kanë kaluar tri ditë nga zbulimi i kufomës së djegur, të 50-vjeçarit në makinën e tij në Farkë, në dosjen penale të kësaj ngjarje janë administruar prova të vakëta që nuk ndihmojnë aspak zbardhjen e shkaqeve të krimit apo zbulimin e autorëve. Prokuroria e Tiranës i kërkoi dje policisë së kryeqytetit të plotësojë me prova dosjen penale për shkak se në gjendjen aktuale të provave autorët e krimit dhe shkaqet e vrasjes mbeten të pa njohura. E ndodhur përballë mungesës së provave, fakteve dhe dëshmive, apo qoftë edhe informacioneve operative, Prokuroria duket se nuk ka mundur të hartojë një strategji të qartë hetimi. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, mësohet se ky institucion, ditën e djeshme i ka kërkuar policisë të bëjë hetime shtesë dhe të plotësojë dosjen me provat e nevojshme. Në këtë mënyrë, hetimi është deleguar në policinë e kryeqytetit, të cilës në mënyrë zyrtare i është kërkuar që për çdo provë të re apo fakt të ri që zbulohet lidhur me ekzekutimin e taksistit të lajmërojë menjëherë Prokurorinë e kryeqytetit. 
Kolegët e viktimës në Prokurori
Grupi hetimor i ngritur në polici dhe prokurori për të zbardhur vrasjen e taksistit Ramazan Hyka mësohet se ka marrë në pyetje ditën e djeshme një grup kolegësh të viktimës. Katër taksistë që qëndronin me makinat e tyre në rrugën e Elbasanit, pranë vendqëndrimit të Ramazan Hykës, janë thirrur në polici ku u është kërkuar të riprodhojnë gjithçka mbajnë mend nga bisedat e fundit me viktimën si dhe ndonjë situatë të 50-vjeçarit me klientët e tij. Pyetja e taksistëve është bërë pas përqendrimit të hetuesve në pistën, sipas të cilës vrasësit kanë përdorur disa persona që fillimisht janë hequr si klientë të Ramazan Hykës, duke kërkuar shërbimin e tij deri Farkë. Ajo çka ka ndodhur më pas nuk është ende e qartë, megjithatë mësohet se kolegët e viktimës janë shprehur se nuk kanë vënë re asgjë të dyshimtë në orët e fundit të qëndrimit të 50-vjeçarit në zonën e rrugës së Elbasanit, para se t'i kërkohej lëvizja drejt Farkës. Madje disa nga taksistët e pyetur janë shprehur se nuk mbajnë mend mirë çfarë ka ndodhur, pasi kanë qenë në lëvizje për shkak të punës.
Hetimi
Pasi kanë tentuar të sqarojnë identitetin e klientëve të Ramazan Hykës, që mund t'i kenë kërkuar atij të udhëtonte me ta drejt Farkës, hetuesit kanë vazhduar dje të pyesin banorë të zonës dhe persona të njohur të viktimës. Sipas dyshimeve të grupit të hetimit, vrasja e Ramazan Hykës ka ndodhur nga një grup personash që mund të kenë përdorur njerëz që janë hequr si klientë apo të njohur të viktimës për ta tërhequr atë në kurth. Më pas, sapo ka dalë nga Tirana, viktima është lidhur, i janë mbyllur sytë dhe goja dhe drejtimin e makinës e ka marrë njëri nga ekzekutorët. Automjeti i Ramazan Hykës, një Benz 190 me targa TR 23 21 J është dërguar deri në afërsi të Liqenit të Farkës dhe në breg të tij është vendosur në flakë. Më pas autorët e krimit e kanë shtyrë makinën drejt liqenit por ajo ka ngecur në baltën e krijuar prej reshjeve të shiut aty ku edhe u zbulua nga banorët e zonës, tri ditë më parë, të cilët më pas lajmëruan policinë.

Hapen precedentët e viktimës në polici
TIRANE - Ekzekutimi mafioz i Ramazan Hykës në afërsi të liqenit të Farkës, për nga vetë mekanizmi i ngjarjes, është bërë shkak për dyshime të forta sipas të cilave ngjarja ka lidhje me krimin e organizuar. Bëhet fjalë për veprimtari të paligjshme mbase të pa dokumentuara në emër të Ramazan Hykës, i cili gjithsesi nga të dhënat rezulton pa precedentë të mirëfilltë penalë. Megjithatë hetuesit thanë se janë duke verifikuar lidhjet dhe njohjet e tij për të gjetur ndonjë informacion rreth ndonjë veprimtarie të viktimës, e cila mund të mos jetë bërë e ditur për policinë. Deri mbrëmjen e djeshme mësohet se numri i dëshmitarëve që janë marrë në pyetje nga hetuesit është i konsiderueshëm por me gjithë aspektin sasior, rrëfimet nuk kanë arritur të përcaktojnë ndonjë emër personi konkret apo një version të saktë lidhur me ekzekutimin e 50-vjeçarit. Sipas të afërmve, ai punonte gjatë gjithë ditës në ndërtim dhe më pas në darkë merrte taksinë e tij dhe punonte deri në orët e vona me klientët.

Përsëritja e precedentit të Veli Memës, u vra në Laprakë

TIRANE - Dy vite më parë, një taksist u gjet i vdekur në makinën e tij në një rrugë në zonën e Laprakës. Veli Mema, gjendej pa jetë, i shembur mbi timonin e makinës së tij, ndërsa në automjet ishin lënë disa sendet personale si telefoni celular dhe një sasi e vogël parash. Sipas hetimeve të mëvonshme rezultoi se viktimës i ishte kërkuar shërbim nga dy klientë në qendër të Tiranës. Ata kishin telefonuar agjencinë dhe më pas duke ecur në rrugë diku në afërsi të hotel "Dajti" kanë ndaluar taksistin Veli Mema. Vrasësit i kanë kërkuar atij të hynte në rrugën e Durrësit dhe më pas e kanë adresuar në Laprakë. Pasi kanë vëzhguar ecjen e makinës në rrugicat e errëta dhe të thella të Laprakës, ekzekutorët e kanë qëlluar viktimën me një pistoletë me silenciator në kokë. Më pas vrasësit kanë marrë gjithë xhiron e ditës së taksistit, duke lënë pak para dhe celularin aty që të humbisnin gjurmët e grabitjes. Vrasësit janë larguar menjëherë ndërsa dosja e vrasjes mbeti pa autor për shumë kohë, derisa u zbulua si pasojë e implikimit të njërit prej vrasësve edhe në disa vepra të tjera penale.                                        t.s

Pista e parë që po hetohet: Larje hesapesh për trafiqe

TIRANE - Versioni i parë që deri më tani qëndron si pista më e fortë e hetimit për vrasjen e Ramazan Hykës, është larja e hesapeve. Policia ka dyshime se viktima mund të jenë implikuar në aktivitet të paligjshëm lidhur me shfrytëzimin dhe trafikimin e vajzave. Një hakmarrje e të njohurve të të dëmtuarave, apo një eliminim për të shmangur detyrimet financiare të veprimtarisë së përbashkët kriminale, janë pistat që po hetohen nga policia lidhur me vrasjen e Ramazan Hykës. Ekze-kutimi i tij, që besohet se ka ndodhur më 7 janar 2009 konsiderohet si një krim gjakftohtë, një vrasje mafioze në të cilën killerat janë kujdesur deri në detaje që të mos lënë asnjë provë që mund të ndihmojë policinë në identifikimin e ekzekutorëve. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›