E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ndihmat, tallje për banorët e bllokuar prej një jave”

 

PESHKOPI/ HASAN PASHA

Tallje për banorët e mbuluar nga bora prej 1 jave, i cilësoi dje kryekomunari i Martaneshit ndihmat e dërguara me helikopter në këtë zonë. Sipas Gazmend Kengës, janë 300 familje që prej borës së parë vazhdojnë të jenë të bllokuara, pasi nuk ka asnjë mundësi depërtimi deri në thellësi të fshatrave. E vetmja ndihmë për 6 fshatra të kësaj komune dhe ish-qytezës së Krastës ka qenë mbërritja e helikopterit në një ditë të vetme, ndonëse situata vazhdon të jetë e rëndë. Kenga deklaron se, ndonëse u trumbetua se me 380 kg mallra do të ndihmoheshin banorët e zonave të izoluara, ato nuk plotësojnë as nevojat e 10 familjeve. "Ne kemi aktualisht të bllokuara nga dimri më shumë se 300 familje dhe këto ndihma janë tallje për njerëzit në nevojë të komunës tonë", pohoi kryekomunari i Martaneshit. Më tej Kenga publikon sasinë e ushqimeve që dy ditë më parë u dërguan në qendër të komunës: 100 litra vaj, makarona 10 kg, 14 kg konserva mishi, 30 kg bizele, 50 kg fasule, 50 kg sheqer, 60 pako ilaç e 67 sapunë rrobash. "Këtë sasi të pakët të ushqimeve ne nuk dimë kujt t'ia japim. Kemi 300 familje të izoluara, ndërkohë kanë ardhur gjithsej 380 kg ushqime", tha kryetari i komunës Martanesh, Gazmend Kenga. Veç kësaj komune në Qarkun e Dibrës, prej mbrëmjes së 3 janarit janë ende dhe sot të bllokuara komunat e Lurës, Kalasë së Dodës, Selishtës e Postrenit. Shtabi i Emergjencave urdhëroi shpër-ndarjen e ndihmave në zonat e bllokuara në Dibër e Pukë gjatë 6 janarit dhe sipas banorëve nuk ka pasur më shpërndarje të tjera. Një tjetër ngjarje e rëndë që lidhet me motin e keq është zhdukja e një 34-vjeçari prej 3 janarit. Për fatin e Hysen Lekës nga fshati Reç i Dibrës nuk dihet asgjë prej 1 jave, ndonëse kërkimet për të nuk kanë reshtur. Fshati i tij është një ndër të bllokuarit e borës dhe një pistë e dyshuar është ajo e humbjes së jetës nga i ftohti. Por, shpresat e familjarëve nuk janë shuar. Pasi policia dhe vetë të afërmit e Lekës kontrolluan në zonat përreth dhe në qytetin e Peshkopisë, kërkimet prej tri ditësh janë shtrirë deri në shtetin fqinj, Maqedoni. Drejtori i Policisë së Qarkut Dibër, Ali Elezi, pohoi për gazetën "Panorama" se i është kërkuar ndihmë dhe policisë së shtetit maqedonas. "Herë pas here Leka udhëtonte drejt Maqedonisë, madje vazhdimisht kalonte kufirin në rrugë ilegale. Ne u kemi kërkuar ndihmë autoriteteve të policisë së Maqedonisë për gjetjen e Lekës". Kërkimet janë përqendruar në komunën e Dibrës së Madhe, atje ku Leka shkonte shpesh, madje duke iu shmangur Doganës së Bllatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›