E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujku shfaqet dhe në Burrel, telefonata shpëton të riun

 

BURREL - I ka shpëtuar për mrekulli sulmit të ujkut një 24- vjeçar, banor i fshatit Gërman në rrethin e Matit. Mbrëmjen e së premtes, pak orë pasi kishte rënë errësira, T.R. udhëtonte i vetmuar nga Burreli në drejtim të fshatit të lindjes, vetëm 7 km larg. Zona ka qenë e mbuluar me borë, kur i riu ka pikasur ujkun. Sapo e ka vënë re kafshën grabitqare dhe ka menduar pasojat që mund t'i vinin prej tij, si rrugëzgjidhje ka gjetur menjëherë ngjitjen në një pemë. Shpëtimi, sipas të afërmve të tij, i ka ardhur nga telefoni celular, nëpërmjet të cilit ka njoftuar familjarët. "Jam ngjitur në një pemë pasi këtu pranë kam një ujk, ju lutem më ndihmoni", është shprehur shkurt T.R. Shumë shpejt banorë të fshatit Gërman, të armatosur me çifte e ndriçues i kanë shkuar në ndihmë djalit 24-vjeçar. Sipas tij, ndonëse ka thirrur me të madhe, asnjë nga banorët e zonës, nuk e ka dëgjuar. Ndërkohë çobanë të fshatrave të zonave të Xibrit, Macukulli, Derjanit, Bazit, Komësisë etj, kanë shtuar masat mbrojtëse ndaj ujkut që vazhdimisht dëmton bagëtitë e tyre.                       h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›