E Shtunë, 31 Tetor 2026

MekKein-Obama, dueli i fundit mediatik

Mbrëmë, janë vënë
përballë njëri-tjetrit
dhe medias njëherazi
për herë të fundit në këtë
fushatë të stërzgjatur elektorale,
dy kandidatët për postin
presidencial në Shtëpinë e
Bardhë, Xhon MekKein dhe
Barak Obama. Takimi është
cilësuar para zhvillimit të tij si
shumë i rëndësishëm dhe vendimtar
për fatin e kandidatëve.
Vetëm tri javë para zgjedhjeve
të 4 nëntorit, MekKein thuajse
nuk ka më shanse për të fituar.
Këtë e kanë treguar edhe shifrat
e sondazheve të fundit, në të
cilat Obama kryeson bindshëm
dhe i sigurt. Debati është zhvilluar
në Universitetin e Hofstras
në Hempstead, Nju Jork, dhe
ishte i fundit në tri debate të zhvilluara
që pas shpalljes së tyre
kandidatë zyrtarë të partive
përfaqësuese. Audienca ka
qenë e jashtëzakonshme. Para
debatit, parashikimi ishte për
60 milionë telespektatorë. "Kur
e di se ke shumë njerëz që të
ndjekin, të duhet të japësh
maksimumin, sepse një debat
mund të bëjë diferencën", ka
deklaruar një ekspert mediatik
për debatet presidenciale e
veçanërisht për debatin e fundit
të kandidatëve përballë medias
e publikut. Por për MekKeinin
ka qenë e vështirë, pasi
tashmë humbja e tij është bërë
një fakt. Sondazhet kanë nxjerrë
Obamën në krye, të fuqizuar
tashmë në rang kombëtar dhe
madje shumë të favorizuar
edhe në shtetet tradicionalisht
mbështetëse të republikanëve.
Në këto kohëra krize, njerëzit
janë shumë më të prirur që t‘i
besojnë planit të shpëtimit të
kandidatit demokrat se sa atij
republikan. Kandidati republikan,
edhe pse dy ditë më parë
propozoi një paketë interesante
ekonomike, nuk gëzon më besim.
Ndërkohë, stafet e të dy
kandidatëve ka ditë që merren
me çështje nga më personalet
e kundërshtarëve, duke filluar
që nga nxjerrja e të vërtetave
për periudhën që MekKein
kaloi në burg në Vietnam e deri
te lidhja e mundshme e Obamës
me një person që konsiderohet
si terrorist. Por sipas
sondazheve, duket se sulmet
që MekKein ka bërë kundër
Obamës kanë pasur një rezultat
të kundërt. Në vend që të
godisnin kundërshtarin, ato
kanë ulur reputacionin e tij te
njerëzit. Për tri javët që kanë
mbetur, strategjia e të dyve do
të jetë ajo e përqendrimit në
planet dhe programet që ata
ofrojnë dhe kryesisht te zgjidhjet
që propozojnë për daljen
nga kriza ekonomike. Për sa i
përket debatit presidencial, ai
u përqendrua në politikën
brenda vendit dhe sigurisht në
pjesën më të madhe në çështjet
ekonomike. Obama dhe
MekKein janë ulur përballë
moderatorit Bob Shifer të rrjetit
televiziv "CBS News".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›