E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mëkatarët” do pastrojnë Gërdecin

Ujkut i varin mëlçitë në qafë. “EOD Solutions LTD”, kompania angleze nënkontraktore e kompanisë amerikane “Armor Group North America”, pothuaj ka fituar të drejtën të pastrojë municionet e rrezikshme pas shpërthimit në Gërdec.

Ferdinand Dervishi

Madje, në krye të punimeve do të jenë sërish të njëjtët, ish-ushtarakët anglezë, K. Underwood dhe Xh. Napolitano, që janë përgjegjës për ngjarjen e një viti më parë në Gramsh. Në fakt marrëveshja, që është drejt marrjes së firmës përfundimtare, është iniciuar nga ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, që duket nuk ka dijeni për ngjarjen e një viti më parë dhe autorët e saj. Më anë të një letre ai i ka kërkuar Ambasadës Amerikane në Tiranë që të ndihmojë për pastrimin e Gërdecit. Duke iu përmbajtur një marrëveshjeje të vjetër, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka kontaktuar firmën “Armor Group North America”, e përzgjedhur nga Departamenti i Shtetit për zbatimin e projekteve të çaktivizimit të municioneve të rrezikshme në Ballkan dhe këta të fundit i kanë besuar sërish anglezëve të “EOD Solutions LTD”. Nga ana tjetër, gjeneralët e Ushtrisë Shqiptare, të cilët janë më të informuar, janë duke u shndërruar në frenues pasivë të kësaj marrëveshjeje të re.
Raporti për ngjarjen
Me të mësuar se dy ish-ushtarakët anglezë të “EOD Solutions LTD”, janë duke u marrë me procedurat e marrëveshjes për pastrimin e zonës së infektuar në Gërdec, gjeneralët e Ushtrisë Shqiptare kanë sajuar një frenim artificial të firmosjes së dokumenteve të fundit. Madje, kanë kërkuar që të nxirret në dritë raporti i një sektori special të Policisë Ushtarake që ka bërë veprime hetimi në Shmrizë të Gramshit, menjëherë pas shpërthimit tragjik që i kushtoi jetën një adoleshenti dhe plagosi dy të tjerë. Në fakt, pas kësaj ngjarjeje në Gramsh ka hetuar një ekip edhe më i gjerë, përfshirë edhe ekspertë shqiptarë të asgjësimit të municioneve. Problemi është se nuk dihet se ç’fat kanë pasur raportet e tyre dhe se cili ka qenë versioni zyrtar për ngjarjen. Për më tepër nuk dihet nëse rezultatet e hetimit për këtë ngjarje i janë dërguar Ambasadës Amerikane si garantuese e marrëdhënieve mes institucioneve të shtetit Shqiptar me kompanitë e ndryshme nga Shtetet e Bashkuara që operojnë në Shqipëri. Pra, nuk dihet nëse në këtë ambasadë është raportuar “puna e dobët” e nënkontraktorit të “Armor Group North America”. Një burim i “Panorama” pohoi se, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare ka qenë i bindur për këtë “punë të dobët”, por nuk ka pasur kurajë t’i komunikonte Ambasadës së SHBA-ve të vërtetën. Thjesht, ushtarakët shqiptarë menjëherë pas ngjarjes në Gramsh, kanë aplikuar një formë të zbutur ndëshkimi ndaj anglezëve. I kanë bllokuar kategorikisht “EOD Solutions LTD” asgjësimin me detonim, duke i krijuar mundësinë e asgjësimit në rrugë industriale në njërën nga tri uzinat tona ushtarake, që fatkeqësisht nuk janë të licencuara për këtë proces.
Marrëveshja për Gërdecin
Marrëveshja e Ministrisë së Mbrojtjes me Departamentin Amerikan të Shtetit për asgjësimin e municioneve të rrezikshme, është nënshkruar që të fillojë në shkurt 2008, me afat deri në shtator 2009. Ajo do të funksionojë sipas së njëjtës skemë, pra “Armor Group North America” është kompania që përfiton fondet e Departamentit të Shtetit dhe “EOD Solutions LTD” do të veprojë si nënkontraktor në terren. Porse këto ditë dy ish-oficerët anglezë Underwood dhe Napolitano janë parë, kryesisht në Ministrinë e Mbrojtjes, shumë të interesuar për të iniciuar një zgjatje të së njëjtës marrëveshje deri në shtator 2011. Gërdeci duket se është nuhatur si një punë me leverdi. Madje, teksa dokumentet e marrëveshjes janë drejt nënshkrimit të fundit, dy anglezët kanë hartuar edhe një plan veprimi në Gërdec, që ka habitur specialistët shqiptarë. Sipas këtij plani veprimi, kompania angleze ka marrë përsipër të çaktivizojë municionet e parrezikshme, kurse një kompani specialistësh shqiptarë duhet të merren me ato të rrezikshme si dhe me ato që janë të zhytura thellë nën dhe. “Por, shkruhet në marrëveshje, nëse ju duhet asistencë, ne do jua ofrojmë”. Specialistët shqiptarë e kanë quajtur këtë paragraf të marrëveshjes si tallës, në një kohë që numërojnë që gjatë viteve të fundit të kenë pastruar, pa ndihmën e të huajve, në të gjithë Shqipërinë, rreth 20 zona të rrezikshme të ngjashme me Gërdecin. Nga ana tjetër, të njëjtët kanë mbetur të habitur, se si ka mundësi që fondet e taksapaguesve amerikanë të mbeten në duar kaq të pasigurta. “Për më tepër se kaq, dimë se të paktën në dy raste, dy ish-ushtarakët anglezë të ‘EOD Solutions LTD’ kanë qenë nën fokusin e investigimit të funksionarëve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, në një rast për shpërdorim imazhi, në një tjetër për abuzim me fondet”, thotë një ushtarak shqiptar tepër i shqetësuar për këto zhvillime të fundit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›