E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Lushnjë: Ky, mitingu i fitores

 

Aristir Lumezi

“Ky mund të quhet me plot gojën si mitingu i fitores në Lushnjë dhe në të gjithë qarkun e Fierit në 28 qershor”. Kështu e cilësoi Ilir Meta mitingun e djeshëm masiv në sheshin e madh të qytetit, ku mijëra vetë mbështetën kandidatët dhe programin për veprim të LSI-së. “Sot kemi kaq shumë qytetarë dhe banorë të Lushnjës në përkrahje të LSI-së dhe mendoj se përgjigjja më e mirë është plani i LSI-së, është pikërisht programi më i mirë, madje i vetmi që ekziston sot, përpara gjithë lushnjarëve dhe shqiptarëve për të nxjerrë bujqësinë nga kriza, për të futur bujqësinë në rrugën e zhvillimit, modernizimit të prodhimit dhe konkurrimit të gjithë atyre që jetojnë me këtë aktivitet kaq të rëndësishëm në Lushnjë, në Myzeqe e në mbarë Shqipërinë. Prandaj rilindja e bujqësisë në kushte të reja, dalja e bujqësisë nga kriza përmes Planit për Veprim fillon nga Myzeqeja”, tha Meta para qytetarëve të Lushnjës. Sipas tij, vendi do të ecë përpara me Planin për Veprim, i cili i përkushtohet zhvillimit të bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese, turizmit dhe atyre që janë resurse reale të Shqipërisë. “Përmes Planit tonë për Veprim ne synojmë që të realizojmë investime për bujqësinë, duke bërë të mundur punësimin e 50 mijë shqiptarëve në sektorin e bujqësisë dhe në agro-përpunim. Do të bëjmë të mundur që Shqipëria pas katër vitesh të importojë 400 milionë euro më pak, që do të thotë 400 milionë euro më shumë prodhim vendas për fermerët e Lushnjës dhe në të gjithë Shqipërinë. Prandaj Lushnja është sot me LSI-në”, tha Meta. “Lushnja, sipas kreut të LSI-së, është sot me LSI edhe për një arsye shumë të madhe morale, ashtu sikurse është edhe Fieri, ashtu sikurse është edhe Mallakastra. Lushnja dhe lushnjarët nuk pranojnë më të keqpërdoren dhe të çojnë në parlament deputetë që nuk kanë asnjë respekt për këtë popull të mrekullueshëm, deputetë që ndërrojnë zona, nga Lushnja në Gjirokastër dhe nga Gjirokastra në Lushnjë. Jo, nuk është ky morali ynë. Ndaj Lushnja do të votojë këta kandidatë të mrekullueshëm, Lushnja do të votojë për LSI, sepse në krye të listës së kandidatëve për qarkun e Fierit ne kemi një myzeqar, siç është Dritan Prifti”.

Meta: Ikja nga PS, vendim i vështirë për një socialist
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu, tregoi anët personale nga jeta dhe aktiviteti i tij politik, shoqëror dhe familjar. Meta tregoi gjatë bisedës fillimet e tij në Tiranë, studimet, lojërat e tij në lagjen e vjetër, miqësitë, pasionet për sportin dhe sportistët. Gjatë intervistës, kreu i LSI-së preku edhe momente të gëzueshme, por dhe të vështira si politikan, kryesisht kur u shkëput nga PS-ja për të krijuar LSI-në, por dhe kënaqësitë kur FRESSH bëhej anëtare e Internacionales Socialiste.
Momenti më entuziast në karrierën tuaj politike?
Ka qenë anëtarësimi i Forumit Rinor Socialist në Internacionalen Socialiste. Kongresi që pranoi FRESSH-in në Internacionale zhvillohej në Uruguai dhe unë nuk isha atje, pasi nuk arritëm të siguronim 1 mijë USD për biletën. Prisnim me emocion të madh faksin që do të vinte nga Uruguai me vendimin që do merrej. Entuziazmi në kohën e arritjes së faksit në selinë e PS-së ishte i papërshkrueshëm. Momente të tjera ka pasur, por ndoshta mosha dhe pjekuria bënë që t’i përjetoj më qetë momentet e bukura.
Po momenti më i vështirë si politikan cili ka qenë?
Politika ka ulje-ngritjet e saj. Mund të sjell në vëmendje momentin e shkëputjes nga PS-ja. Kur e kuptova që në PS unë kisha investuar shumë, kisha marrë shumë dhe po shikohesha si i tepërt, por kërkoja të isha vetvetja dhe nuk më pëlqente të nënshtrohesha ndaj një absurdi, vendimi për të krijuar një parti më vete ka qenë një vendim i vështirë. Por nuk ishte një vendim i lehtë. Po ju jap një detaj të asaj periudhe. Ishte momenti kur ne e kishim shpallur si lëvizje LSI-në, por brenda PS-së. Një mik i familjes sime, profesor Syrja Hysi, një profesor i nderuar në Universitetin Bujqësor në Kamëz, më takoi në atë kohë dhe më tha: “Unë kam dy fjalë me ty. Në këtë situatë ke vetëm dy rrugë, ose të shkosh në shtëpi e të shohësh punët e tuaja, ose të ecësh përpara, sepse ti s’mund të rrish aty ku nuk të dëgjon njeri dhe nuk dëgjohet zëri dhe mendimi yt. Nëse ti do të vazhdosh përpara, më jep listën të firmos për partinë e re”, dhe ishte një ndër të parët që hodhi firmën në listën e mbështetësve të LSI-së siç e kërkonte ligji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›