Meksi: Jam pro të gjitha ndryshimeve që e forcojnë PS-në
Aristir Lumezi
Anëtarja e kryesisë socialiste, Ermelinda Meksi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama” thekson se, ndryshimet që propozohen në statutin e PS-së dhe përmirësimet në programin politik të saj, do të forcojnë partinë dhe e përgatitin atë më mirë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Sipas saj, më 30 prill shqiptarët kanë më shumë arsye për të protestuar se në 20 nëntor të vitit të shkuar.
Opozita ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, duke përdorur çdo hapësirë për të ripërsëritur kërkesën për hetimin e plotë të zgjedhjeve. Sa mendoni se do të vazhdojë kjo situatë dhe a mund të ketë ndonjë lëshim nga ana e PS-së për llojin e kutive që mund të hapen?
Po e nis nga togfjalëshi i fjalisë së fundit: lloji i kutive... Nuk e di për çfarë lloj kutish e keni fjalën. Kutitë për ne janë e njëjta filozofi kudo. Në të gjitha zonat, ku më shumë e ku më pak, janë manipuluar zgjedhjet nga PD-ja, veçanërisht atje ku ajo ka më pak mbështetje. është një prirje e përgjithshme e PD-së për manipulimin e votave dhe kjo nuk është hera e parë për të. Prandaj nuk mund të pranojmë deformimin e vullnetit të popullit, sepse “çështja e keqe bëhet më e keqe po të mbrohet”.
Për sa i përket kohëzgjatjes së këtyre marrëdhënieve të kushtëzuara, janë institucionet e PS-së, që kanë marrë një vendim të tillë dhe janë po ato që do të marrin vendimet në të ardhmen. Opozita ka vendosur të dalë në protesta, sepse liria, demokracia, drejtësia dhe ekonomia janë në kërcënim të përditshëm. Mbetet për t’u parë si do të reflektojë maxhoranca në ditët në vijim ndaj qëndrimit edhe të komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike, duke bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve, çka nënkupton edhe hapjen e kutive. Kam dëgjuar këto ditë Kryetarin e KQZ-së se në gusht do t’i djegim kutitë e votimit. Kjo reflekton edhe njëherë frikën që ka maxhoranca, pjesë e së cilës është edhe Kryetari i KQZ-së nga hapja e kutive të votimit. Sigurisht do uroja që maxhoranca të tregonte maturi dhe të mos ndërmarrë veprime që tensionojnë situatën më tej dhe që janë me pasoja. Mënyra se si Qeveria po trajton çdo ditë krizën politike dëshmon se atje ku mungon arsyeja, shfaqet e vepron pushteti i vrazhdë dhe pretendimet arrogante.
Ndërkohë, mungesa juaj në komisionet parlamentare bën që Qeveria të kalojë në to projektligje pa oponencën, apo amendamentet e opozitës, duke ndikuar direkt në cilësinë e ligjit përballë qytetarit apo biznesit. Mos duhet riparë nga ky këndvështrim mungesa juaj në komisione?
Më thoni ju si gazetar apo kolegët tuaj, një rast të vetëm gjatë gjithë periudhës 2005-2009, që maxhoranca ka marrë në konsideratë vërejtjet dhe amendamentet tona, përveç reformës zgjedhore. Në asnjë rast tjetër. Në 20 raste Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjet e maxhorancës parlamentare, çka do të thotë se ajo ose nuk e njeh Kushtetutën, ose e shkel me dashje. Kjo tregon edhe mungesën e përgjegjësisë në hartimin e ligjeve, duke mos bërë punë përgatitore, me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve dhe aktorëve që lidhen me to. Kur ligjet hartohen e miratohen me dhunën e kartonit pa konsensus, nxitimthi ato nuk kanë jetëgjatësi, nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve dhe pengojnë funksionimin e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e jetës parlamentare. Sa u takon problemeve të krizës ekonomike, ato i kemi trajtuar edhe më parë, që në vitin 2008, kur ajo dha simptomat e para, por askush nuk na dëgjoi. Kemi kundërshtuar me argumente miratimin e buxhetit 2009, korrigjimin e tij dy herë gjatë vitit, kemi aprovuar një rezolutë në asamblenë e PS-së për qëndrimin ndaj kësaj situate ekonomike, por maxhoranca e bëri veshin të shurdhër. Shembuj të tillë ka plot.
Më datën 30 prill opozita do të protestojë para Kryeministrisë. Kjo protestë do të zgjasë me ditë... dhe çfarë prisni më shumë prej saj, krahasuar me atë të 20 nëntorit të vitit të kaluar?
Shqiptarët përveç motivit për t’i dhënë fund manipulimit të zgjedhjeve, duke bërë transparencën e plotë të tyre, kanë shumë më shumë arsye tani se para 20 nëntorit të vitit të kaluar për të protestuar e për të kërkuar reagimin ndaj kësaj Qeverie të paaftë dhe me histori tashmë të shumta korrupsioni, kulmi i të cilave qe tragjedia në Gërdec. Në vend të realizohej punësimi i premtuar gjatë fushatës elektorale, përkundrazi është rritur papunësia, në vend të rritjes së mirëqenies, janë rritur çmimet, duke zhvlerësuar edhe rritjen e pagave dhe pensioneve të majit 2009. Aktiviteti ekonomik është rrudhur, me gjithë deklaratat euforike të Qeverisë për situatën ekonomike, që nuk shoqërohen me botimet zyrtare të të ardhurave buxhetore të janar-shkurtit 2010, sepse realiteti i shifrave tregon të kundërtën. çmimi i energjisë elektrike është rritur rreth 20%, çmimi i ujit të pijshëm është dyfishuar. Banorët e përmbytur në Shkodër e në Maliq, jo vetëm nuk kanë marrë lekët e premtuara nga Qeveria (shifra këto qesharake), por si pasojë do të prodhojnë shumë më pak këtë vit për vete dhe për tregun. Ata janë të tronditur e të stresuar nga sa kanë hequr gjatë ditëve të përmbytjeve, prandaj janë të pashpresë, sepse mund të përmbyten përsëri në të ardhmen... Për sa i përket pyetjes sa do të zgjasë e si do të zhvillohet protesta e 30 prillit, vendimet do të merren në kohën e duhur.
Mbledhja e ardhshme e Asamblesë Kombëtare dhe Kongresi i datës 18 prill i PS-së pritet të miratojë një paketë ndryshimesh statutore. Ku qëndrojnë këto ndryshime dhe a do të ketë rifreskim të asamblesë dhe të Kryesisë socialiste, për shkak të mosfunksionimit të tyre prej kohësh nga debatet e brendshme?
Nuk e di për çfarë e keni fjalën kur thoni “mosfunksionim”, ku në fakt strukturat e PS-së funksionojnë si asnjë parti tjetër në vend, me debate e aktivitete, ku sigurisht nevoja për përmirësim mbetet gjithmonë sfidë për PS-së. Personalisht nuk bëj pjesë në grupin e punës për ndryshimet statutore, sepse jam në grupin e punës për programin politik të partisë, por ndryshimet statutore do i nënshtrohen mbledhjes së posaçme të asamblesë, para se të debatohen dhe votohen në kongres. Ndërkohë, PS-ja po punon për një program serioz, dinjitoz, që shpreh e mbron qartë interesat e së majtës shqiptare. Ky program shpreh vizionin e një partie të madhe, me aspiratë qeverisjen e vendit me një mentalitet e shpirt krijues, në dinamikë, që ka gjithmonë gjëra të reja për të thënë dhe arsye për të rishikuar programin dhe statutin e saj. Unë do t’i mbështes të gjitha ndryshimet e propozuara që synojnë të forcojnë PS-së, për të fituar betejat e ardhshme elektorale, që rritin drejtimin kolegjial të partisë, fuqizimin e punës së grupit parlamentar të PS-së, përmirësimin e cilësisë në strukturat drejtuese të saj, ruajtjen e kohezionit, rritjen e pjesëmarrjes së anëtarësisë në vendimet më të rëndësishme dhe të gjithë qytetarëve. Kongresi do të marrë vendimet e duhura për këto çështje, që padyshim do të jenë transparente për publikun.
Kryeministri Berisha deklaroi para pak ditësh se ka përfunduar plotësimi i pyetësorit për marrjen e statusit kandidat për në BE. Cili është komenti juaj lidhur me këtë fakt, si ish-ministre e Integrimit Evropian?
Ky proces nuk mund të pranojë si standard informacioni vetëm deklaratat e Kryeministrit në mbledhje të Qeverisë. Mungesën e transparencës ne e shohim sot si një filozofi të maxhorancës, me kosto të lartë për shqiptarët, e cila interpretohet si përpjekje për të fshehur paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e Qeverisë, qoftë kur vjen puna tek kutitë e votimit, qoftë tek ekonomia e tani së fundi edhe në pyetësorin e BE-së. Praktikës së vendeve në situata të ngjashme me ne, si p.sh. Islanda, kërkon t’i jepet akses i plotë në këtë informacion, jo vetëm opozitës, por edhe mbarë publikut, duke e botuar atë edhe në internet. Prandaj është e nevojshme të botohen përgjigjet dhe të ftohen pa humbur kohë të gjithë aktorët me vlerë, për të kontribuar në këtë proces: Akademia, profesorati, shoqëria civile, komuniteti i biznesit, Dhoma e Tregtisë, etj., sepse më shumë se afatet e deklaruara për dorëzimin e përgjigjeve për pyetjet, ka rëndësi cilësia e përgjigjeve të tyre, përndryshe kjo shpejtësi demagogjike do të na shpërblehet me koston e vonesës në marrjen e përgjigjes për to.
Në konferencën e fundit për shtyp ministri Shqiptar i Financave deklaroi se: “Ekonomia shqiptare po rikthehet në dinamikën e saj më të mirë dhe presionet e krizës globale tashmë për ekonominë tonë janë pjesë e së shkuarës.”, cili është mendimi juaj për këtë konstatim?
Në dy debatet e fundit parlamentare, kërkova transparencë mbi informacionin ekonomik, sepse ilustrimi më i besueshëm për zhvillimin e ekonomisë reale nuk mund të jetë retorika demagogjike e Qeverisë apo përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, por të dhënat zyrtare fiskale për të cilën janë të detyruar nga ligji. Në mungesë të transparencës për këto të dhëna, natyrshëm lind pyetja: ‘përse nuk botohen treguesit fiskalë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Tatimeve dhe Ministria e Financave për muajin Janar e Shkurt? Përse në vend të transparencës mbi ecurinë e treguesve fiskalë për muajt janar- shkurt, krijohet mjegull për to nëpërmjet disa deklaratave ‘si të laraskave që i merr era’?” Nëse në qeverisjen e mëparshme të dhënat për buxhetin e konsoliduar publikoheshin në datën 14 të muajit pasardhës, le t’i botojë më shpejt Ministria e Financave dhe të mos mjaftohet vetëm me interpretime e komente në konferenca shtypi. Pas publikimit të të dhënave, konferencat e shtypit dhe daljet në televizione mund të bëhen me shumicë, por debati do fokusohet mbi faktet, duke shmangur retorikën. Nga ky debat, mbi alternativën më të mirë të ecurisë së ekonomisë, kanë mirë të gjithë, por fatkeqësisht debati tek ne nuk mbështetet mbi argumentin, sepse argumenti përgënjeshtron retorikën qeveritare.