Bilanci online, e dorëzuan te Tatimet 90% e bizneseve
nertila maho
Rreth 90 për qind e biznesit të madh përmbushi detyrimin ligjor të dorëzimit elektronik të librave të shitjes dhe blerjes pranë tatimeve. Afati i fundit i aplikimit të mënyrës së re, të deklarimit për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, ishte në datë 5 prill dhe duket se rezultati i kësaj praktike është vlerësuar si i kënaqshëm për institucionin përgjegjës. Dje, gjatë një konference për shtyp, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Artur Papajani u shpreh se, nga 15 mijë biznese që kishin detyrimin për të dorëzuar elektronikisht dokumentet tatimore që sanksionon ligji “Për procedurat tatimore”, 13 mijë kanë vepruar në kohë. Ndërkohë që mbeten edhe 10% e bizneseve për të zbatuar këtë detyrim ligjor dhe drejtori Papajani u ka bërë thirrje që të vazhdojnë të dorëzojnë elektronikisht dokumentet tatimore në ditët në vazhdim. Ligji për ata që nuk përmbushin në kohë detyrimet parashikon edhe penalitete, por kreu i tatimeve u shpreh se institucioni që ai drejton i ka kërkuar Ministrisë së Financave, që ndaj këtyre tatimpaguesve mos të ndërmerren masa ndëshkuese dhe t’u lihen edhe disa ditë në dispozicion. Kjo shtyrje afati, për ata që nuk kanë vepruar në kohë është justifikuar me aplikimin e për herë të parë të kësaj mënyre, me problemet që ka shfaqur sistemi online i deklarimit, për shkak të dyndjes në ditët e fundit, problemet me internetin te bizneset në rrethe e me radhë. Gjithsesi, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve komentoi se rezultati i përmbushjes së këtij detyrimi është një moment historik në jetën e Administratës Tatimore dhe në marrëdhëniet midis saj dhe tatimpaguesve. “Sfidat e mëdha të teknologjisë së informacionit, të cilat kjo administratë është e detyruar dhe e ndërgjegjshme për t’i zbatuar, janë ato që kanë të bëjnë me deklarimin madhor elektronik të tatimpaguesve, përfshirë edhe ato të biznesit të vogël” u shpreh Papajani. Më tej, ai theksoi se ky rezultat e solli Administratën Tatimore Shqiptare në nivel të barabartë me Administratat tatimore të vendeve të tjera, të cilat kanë vite që i kanë implementuar këto teknologji. Deklarimi në mënyrë elektronike për biznesin e madh erdhi me ndryshimet në legjislacionin tatimor dhe hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve, gjatë muajve shkurt dhe mars. Sikurse konfirmon edhe Drejtoria e Përgjithshme, janë zhvilluar trajnime në të gjitha drejtoritë rajonale tatimore nga një staf trajnerësh të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, të cilët kanë trajnuar më shumë se 10000 tatimpagues. Pritet që në muajt të vazhdim, kjo mënyrë e re e deklarimit të përmirësohet, duke u rritur kështu edhe numri i bizneseve që deklarojnë në kohë. Kjo nismë është trumbetuar nga institucionet, si lehtësi më e madhe në procedura dhe një praktikë më efikase për luftën ndaj korrupsionit brenda administratës tatimore.