E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli: Braçe po bën luftë brenda llojit, kjo na lë gjatë në opozitë



Deputetët socialistë të qarkut të Beratit përplasen për mbështetjet e tyre lokale. Deputeti i qarkut të Beratit, Fidel Ylli, i është përgjigjur një deklarate të kolegut të tij, Erion Braçe, duke i kërkuar të ndalojë luftën brenda llojit. Pak ditë më parë, Braçe në një televizion lokal në Berat, ka sulmuar kryetarin e qarkut të Beratit, Pelivan Shatri, i cili është dhe mik i Fidel Yllit. I ftuar në emisionin e mbrëmjes në “Ora Neës”, me kryeredaktorin e lajmeve, Roland Qafoku, Ylli tha se lufta brenda llojit të lë më gjatë në opozitë. “Pelivan Shatri është i vetmi kryetar socialist që kemi në të gjithë vendin. Zoti Pelivan Shatri ka qenë, është dhe do të jetë në krahun tim, këtë ta kenë të qartë zoti Braçe e shumë e shumë të tjerë, që kanë probleme me të dhe dalin e bëjnë “luftë me mullinjtë me erë”. Zoti Braçe është një deputet me kontribute dhe luftë të madhe politike, por problemet që ai ka me qarkun, të shkojë e t’i zgjidhë në qark me Pelivanin dhe jo të dalë në media, sepse kjo do të na lerë gjatë në opozitë, po u morëm me njëri-tjetrin. E keqja jonë e madhe është qeverisja aktuale e vendit, por të dalësh dhe t’i biesh tëndit në media, unë këtë nuk e shoh të moralshme. Unë nuk jam për luftë brenda llojit”, u shpreh Ylli. Por mësohet se përplasja mes Braçes dhe Yllit është amplifikuar edhe nga fakti se ditën e shtunë, Ylli organizon një protestë në çorovodë, ndërsa Braçe një protestë në Berat. Që të dy deputetët kanë kërkuar pjesëmarrjen e Edi Ramës në këto protesta, duke krijuar dhe një karshillëk mes tyre, ndërsa ende nuk dihet nëse kreu socialist do të marrë pjesë në protestat e qarkut të Beratit. Gjithashtu, Ylli tha dje se kongresi i 18 prillit duhet të jetë një kongres i bashkimit të PS-së. “Unë nuk jam për asnjë përjashtim, por jam që në këtë kongres, PS-ja të zhvillojë një bashkim të madh, sepse kemi një të keqe të madhe, që është keqqeverisja”, u shpreh Fidel Ylli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›