E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Kemi nevojë për zgjidhje efikase e afatgjata

 

Nën sloganin “Ndryshimi jemi ne”, koalicioni “Poli i Lirisë” ka vijuar takimet elektorale në qarkun e Kukësit, nga i cili do të dalin katër deputetë në parlamentin e ardhshëm. “Shqipëria ka nevojë për sistemin demokratik, për të djathtën e qendrës, për t’i afruar zgjidhje efikase e afatgjata. Ne duam të shkojmë në Evropë duke përballuar të gjitha sfidat që na takojnë”, u shpreh ish-kryeministri Aleksandër Meksi gjatë këtij takimi. Kreu i “Polit të Lirisë” u ndal te problemi i personave të gjymtuar nga minat, të cilët janë banorë të fshatrave përgjatë kufirit, që, siç u shpreh ai, “janë thuajse të braktisur nga shteti”. Në fjalën e tij Meksi përmendi resurset e mëdha që ka qarku i Kukësit për zhvillimin social-ekonomik, duke veçuar këtu pasuritë minerare, potencialin turistik, zhvillimin bujqësor e blegtoral etj. “Është kjo arsyeja që vota juaj duhet të shkojë për ‘Polin e Lirisë’, pasi përmes këtij koalicioni mund t’i jepet një hov zhvillimit ekonomik të vendit”, përfundoi Meksi. Në takim foli dhe kryetari i shoqatës së të përndjekurve politikë, Kurt Kola dhe sekretarja e përgjithshme e LZHK-së, Afërdita Zëri. Nga ana tjetër, Partia Demokristiane vijoi fushatën në Vaun e Dejës, ku deputeti aktual i kësaj partie, Frrok Gjini zhvilloi një takim me qytetarë të shtëpive të përmbytura në këtë zonë. Sipas tij, qeveria ka pasur një projekt për të ndërtuar disa pallate për këto familje, por projekti nuk u çua deri në fund. Gjini premtoi zgjidhjen e këtij problemi pas 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›