E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posterat e Ramës në‘Skënderbej’, priten incidente

 

Dy partitë kryesore kanë planifikuar mitingjet përmbyllëse të fushatës ditën e premte, më 26 qershor, një ditë para heshtjes zgjedhore në qendër të Tiranës. Të dy mitingjet do të nisin në orën 19:30. LSI do mbyllë fushatën që në datën 25. Por mitingu i PD-së, që do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”, mund të mos shmangë incidentet që lidhen me posterat e PS të vendosura në qendër të Tiranës. Në “Ekspozitën e xhamtë”, të ngritur mbi shatërvanin në qendër të sheshit ‘Skënderbej’, janë vendosur postera gjigandë të kryetarit të PS-së dhe njëkohësisht Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Edi Rama. Aktualisht kjo ekspozitë ruhet nga policia bashkiake, por të premten pasdite në mitingun e PD-së, kur sheshi të jetë i tejmbushur nga simpatizantët dhe mbështetësit demokratë, ruajtja e tyre nga policia bashkiake do të jetë e pamundur dhe posterat e Ramës mund të jenë lehtësisht objekt incidenti, për t’u regjistruar në statistikat e incidenteve elektorale të kësaj fushate. Por nëse këto postera do të dëmtohen, në zemër të mitingut të PD-së, kjo do jetë dhe një ngjarje që për socialistët nuk do të kalojë lehtë sepse ndodh në qendër të Tiranës dhe në prani të Kryeministrit Berisha në mitingun e tij përmbyllës. Në të njëjtën kohë që Berisha do t’i drejtohet mbështetësve të tij, nga sheshi i mitingjeve në qendër të Tiranës, Edi Rama me një gjetje që duket se mban firmën e tij, do t’u kërkojë votën shqiptarëve përpara godinës së Kryeministrisë, për tu ngjitur aty pas 28 qershorit. Të dyja partitë kanë menduar edhe për pjesën spektakolare të fushatës, që do të jenë këngëtarët. Secila prej tyre i ka ndarë tashmë, gjë që është vënë re që me hapjen. Ndërsa Berisha do të sjellë në Tiranë grupin “Modern Talking” dhe do të ketë me vete grupin e njohur ‘Elita 5’ e këngëtarët që janë pjesë e këngës “Shqipëria po ndryshon”, Rama do të ketë me vete, si gjatë këtyre 30 ditëve, grupin “West Side Family”, me të cilët këndoi gjatë fushatës dhe do të këndojë sërish këngën “Çohu”. Në ndryshim nga dy partitë e mëdha, Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë partia e tretë që do të mbyllë fushatën me një miting po në Tiranë. Por, Meta, për të shmangur përplasjet ka menduar që fushatën ta mbyllë që më 25 qershor, pra të enjten, një ditë përpara Ramës e Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›