E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Reformat në 100 ditët e para

 

aristir lumezi

Kryetari i PS, Edi Rama shprehu dje prioritetet e qeverisë së tij në 100 ditët e para. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” me gazetarin Armand Mero, Rama deklaroi se nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 28 qershorit, 100 ditët e para të qeverisjes së tij do t’i përqendrojë në reformimin e qeverisë dhe institucioneve shtetërore me qëllim kthimin e tyre në institucione funksionale në shërbim të qytetarëve. “100 ditët e para do të jenë të fokusuara te reformimi i qeverisjes, për të krijuar kushtet që makina e qeverisë të vihet në lëvizje dhe t’i nënshtrohet një remonti kapital për operacione radikale, që do të lejojnë që institucionet tona të fillojnë të përgatiten për të përballuar të gjitha kërkesat e programit tonë dhe ne të hyjmë në një proces të modernizimit të vendit, duke modernizuar më parë pushtetin, në mënyrë që qytetarëve t’u shërbehet më mirë”, ka pohuar Rama në një intervistë për VOA. Duke folur për planet e tij, kreu i PS ka theksuar se qeveria e re do të punojë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike globale, duke rihapur negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Ne do rihapim negociatat dhe do të nënshkruajmë programin me FMN dhe do t’i mundësojmë Shqipërisë aksesin te ndihmat e këtij institucioni për vendet që janë prekur nga kriza. Vëmendje do t’u kushtohet edhe remitancave dhe kursimeve të emigrantëve në Shqipëri”, ka saktësuar Rama. Lideri i opozitës ka theksuar gjithashtu se qeveria e re do të jetë e hapur për të pranuar investimet e huaja, por ka nënvizuar se nuk do të lejojë ato investime që janë të dëmshme për Shqipërinë.
“Ne do të jemi të hapur për idetë dhe investimet e huaja në Shqipëri, por nuk do të lejojmë që Shqipëria të bëhet vendi ku të shkarkojnë të gjitha rrangallat e Evropës, që konsiderohen të papranueshme në vendet e BE-së. Kjo, sepse shëndeti i fëmijëve tanë nuk është më pak i rëndësishëm se ai i fëmijëve të vendeve të BE-së”, ka nënvizuar Rama. Ai ka shtuar më tej se këto zgjedhje nuk janë një objektiv për ndarjen e popullit shqiptar mes të majtëve dhe të djathtëve, por për bashkimin e tij përtej ngjyrimeve politike dhe për t’u shkëputur nga politika e vjetër.
“Këto nuk janë zgjedhje mes së majtës dhe së djathtës, por mes së vjetrës dhe së resë. Këto janë zgjedhje që nuk i ndajnë njerëzit sipas vijave të caktuara nga kryetarët e partive, këto janë zgjedhje sipas një vije të re që është qartazi e vendosur mes qytetarëve dhe politikës së vjetër. Jam i bindur se ne sot kemi ofertën e duhur për shqiptarët dhe jemi të gatshëm që bashkë me ta të hapim rrugën për një politikë të re ndryshimi”, u shpreh Rama.

Mitingu në Fier
Partia socialiste zhvilloi dje pasdite mitingun përmbyllës të fushatës në qarkun e Fierit. “Do të iki njëherë e përgjithmonë Epoka e Kopesë, ku të gjithë vihen në radhë siç urdhëron partia, ku të gjithë trajtohen pa dinjitet. Nuk do të ketë më! Mori fund ajo kohë dhe po ju them se nuk do të ketë asnjë forcë që të na tjetërsojë votën dhe verdiktin tuaj më 28 qershor. Do të numërojmë çdo votë që ajo të jetë e mbrojtur”, tha Rama në mitingun e Fierit.

Paskal Milo
Kryetari i PDS, Paskal Milo zhvilloi takime me anëtarë dhe simpatizantë të Demokracisë Sociale në Këlcyrë të rrethit të Përmetit. Milo u tha të pranishmëve se “ne jemi të sigurt që do të fitojmë sepse kemi mbështetjen tuaj të fuqishme, këtu në qarkun e Gjirokastrës nuk diskutohet që fitorja do t’i përkasë koalicionit Bashkimi për ndryshim, do t’i përkasë PDS, sepse me ne është e drejta, është shumica e shqiptarëve”, tha Milo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›