E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria firmos legalizim për 3 mijë persona

Qeveria legalizoi dje ndërtimet pa lejë të bëra përpara vitit 1993. Me anë të vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria e djathtë "hakmerret" ndaj pronarëve legjitimë, duke ligjëruar ndërtimet informale të bëra përpara vitit 1993. Sipas këtij vendimi përfitojnë rreth 3000 persona, që kanë ndërtuar shtesat në banesat e tyre para vitit ‘93. Të gjithë ata persona që kanë ngritur një shtesë në objektet e ngritura para vitit 1993, do të mund ta legalizojnë atë. Kjo do të bëhet e mundur me anë të ligjit në fuqi për legalizimin e ndërtimeve informale dhe ndryshimeve të tij, i cili është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Sipas këtyre ndryshimeve, ligji i shtrin efektet edhe për legalizimin e shtesave, në objektet e ngritura përpara vitit 1993. Për efekt legalizimi, parcela ndërtimore, si rregull, nuk i kalon 500 m2. Sipërfaqet e truallit mbi 500 m2, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i bashkëlidhen parcelës ndërtimore dhe i shiten pronarit të truallit me çmim tregu. Çmimi i shitjes në zonat informale për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha varion 100 mijë lekë për 100 m2 dhe 400 mijë lekë për 500 m2. Ndërsa për sipërfaqe mbi 500 m2, çmimi i shitjes përcaktohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Për parcelat ndërtimore të vendbanimeve dhe ndërtimeve informale brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes për sipërfaqe deri në 100 m2 është 200 mijë lekë; për sipërfaqe mbi 300 m2 jepen sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Për sipërfaqet e trojeve të zëna me shtesa anësore pa leje, në ndërtime me leje brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes për sipërfaqet deri në 50 m2 shkon në 100 mijë lekë; për sipërfaqet deri në 75 m2 shkon 200 mijë lekë dhe për sipërfaqet deri në 100 m2 shkon 400 mijë lekë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›