Meksi: Poli i Lirisë, e djathta e vërtetë shqiptare
Kreu i Polit të Lirisë Aleksandër Meksi zhvilloi takimin e tij elektoral në qytetin e Fierit ku prezantoi kandidatë për deputetë të këtij qarku, dhe u shpreh se ky koalicion është e djathta e vërtetë shqiptare. Për të qenë sa më të qytetëruar dhe evropian duhet ti besoni kësaj force, këtij bashkimi që flet në emër të ligjit, theksoi Meksi.
Ai u bëri thirrje banorëve të këtij qyteti që të mos bëhen pre e mashtrimeve dhe gënjeshtrave elektorale të dy partive kryesore në vend. Sipas tij, sot ka ardhur koha që të mos u besohet më njerëzve që e kanë kthyer pushtetin si një biznes për tu pasuruar, dhe në këtë biznes politikanët e të dyja krahëve politike kanë përfshirë vetëm familjarët dhe të afërmit e tyre. Nuk ju duhet besuar më këtyre pseudo politikanëve, të cilët pasurohen për vete dita-ditës dhe pjesa tjetër e popullsisë varfërohet, u shpreh Meksi. Kreu i Polit të Lirisë, u bëri thirrje qytetarëve të Fierit që në 28 qershor të votojnë këtë forcë politike sepse sipas tij kjo është forca e vërtetë e djathtë, forcë e cila është formuar e qëllimin për të respektuar dhe ruajtur vlerat e njerëzve. Ndër të tjera Meksi theksoi se ky koalicion nuk ka në plan ta blejë votën siç po vepron forca e ashtuquajtur e djathtë LZHK. Ju bëj thirrje që të votoni Polin e Lirisë, sepse është e vetmja forcë politike që ka programin real të zgjidhjes së problemeve dhe zhvillimit, tha Meksi.