Noka takime elektorale me banorë të Lagjes së Re në Kukës
Kandidatët për deputet të PD, në qarkun e Kukësit kanë vazhduar turin e tyre elektoral në Has dhe Tropojë, ku kanë shpalosur programin elektoral të PD-së për katër vitet e ardhshme, si dhe kanë vënë në fokus sukseset e arritura nga qeveria Berisha. Në një takim elektoral në Lagjen e re në Kukës, Flamur Noka u tha banorëve se vota pro PD-së ofron siguri në çuarjen përpara të reformave dhe realizimit të synimit madhor të shqiptarëve, hyrjen në BE.
Ne kërkojmë votën tuaj, sepse jemi krenarë me kontributin dhe rezultatet e arritura gjatë këtij mandati. Jemi në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit, dhe vota juaj është siguria më e madhe për ecurinë e këtij procesi, tha Noka duke shtuar se ndryshimet në qytetin e Kukësit janë të dukshme. Ai premtoi se kjo lagje do të bëhet një nga lagjet më të bukura me infrastrukturë moderne. Sipas tij, dëshmi për këtë është edhe shkolla në këtë lagje me pajisje moderne. Këto ditë, nisi dhe investimi prej 3.6 milion euro për ndërtimin e ujësjellësit të ri, ku Kukësi me rrethinat do të ketë ujë të pijshëm pa ndërprerje, iu drejtua Noka banorëve duke renditur disa nga investimet e qeverisë në Kukës.