Meksi: Pse vendosa të largohem nga PS pas 20 vitesh
Deputetja Ermelinda Meksi, e propozuar nga Partia Socialiste për anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, komenton kandidimin dhe arsyet se përse ka vendosur të pranojë propozimin e kreut të PS-së, Edi Rama. Gjithashtu ajo flet dhe për vendimin personal për të hequr dorë nga politika pas 20 vitesh karriere.
“Unë mendova që duke pranuar këtë sfidë i rrisja vlerën ofertës së PS-së, në kuadrin e Paktit për Integrim, ku PS-ja tregoi seriozitet në një nga pikat e saj, për institucionet e pavarura tre veta, pranoi një, duke menduar që kapaciteti dhe cilësia i përballojnë këto kërkesa dhe ne realizojmë atë që dëshironim nga pikëpamja cilësore. Nga ana tjetër kjo është një kontribut për të zhbllokuar këtë situatë politike dhe për t`i dhënë rrugë hapave të mëtejshme të kalendarit politik, që politika shqiptare ka përpara”, tha Meksi.
Ajo ka sqaruar dhe arsyet se përse nuk ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Ajo thotë se nuk ka shkelur Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. “S`mund ta dorëzoja mandatin përpara për shumë arsye. Ligji i ri ma mundëson këtë gjë se largimi im nuk e lë vendin bosh. Kushtetua thotë që mandati i deputetit është i papajtueshëm me postin e Presidentit dhe postin anëtarit të Bordit. Kushtetuta lexohet njësoj. Dua t`ju kujtoj që Presidenti i fundit, Bamir Topi, jo vetëm u votua pa dhënë dorëheqje, por edhe votoi për veten e vet. Të njëjtën gjë bëri dhe kandidati për President, Neritan Ceka”, tha ajo.
Ajo shton se do të vazhdojë të jetë e angazhuar në politikë. “Do të respektojë ligjin duke ruajtur pavarësinë e këtij institucioni ku do të jem pjesë”, tha Meksi.