E Diel, 1 Nëntor 2026

DIPLOMACIA E TIRANES DHE E PRISHTINES, JA GABIMET

Autori i Lajmit: Nga Gani AsllaniNë atmosferën e përgjithshme të fundvitit, çdo institucion, organizatë, shoqatë, familje, madje edhe individ, ulet për të bërë llogaritjet e vitit që shkoi dhe, pasi të kenë vlerësuar gjithçka dhe çdo gjë, sjellin edhe përfundimin për sukseset dhe dështimet e 12 muajve të shkuar.
Në këtë mes, diplomacia kosovare është organi shtetëror më i pasuksesshëm. Ministria e Jashtme e Kosovës u paralizua tërësisht me punën e vet, duke u koncentruar në vetëkënaqësinë që guxoi tia dhurojë vetes me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, gjë që nuk u bë për shkak të suksesit të kësaj ministrie apo edhe institucioneve të Republikës së Kosovës, por që u arrit me angazhimin prej buldozeri të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe shteteve të tjera mike. Procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës, i cili duhet përsëritur prapë, nënkupton matematikë të thjeshtë, pra çështje të rritjes së numrit të vendeve që e njohin Kosovën, gati sa u paralizua, dhe vëndet që gjatë vitit 2009 e kanë njohur shtetin më të ri në botë mund të numërohen në gishtat e një dore. Duhet thënë se edhe ato vende që e njohën Kosovën, nuk e bënë këtë gjë nga puna e mirë e ministrisë, por nga nxitja e faktorve të ndryshëm ndërkombëtarë diplomatikë, Bexhet Pacollit apo edhe diasporës shqiptare jashtë vendit që nuk la gur pa lëkundur derisa, për shembull, nxiti Zelandën e Re që ta njohë Kosovën apo edhe takimet e pafundme që po këta njerëz i bënë në qeverinë e Skocisë dhe Britanisë së Madhe, për ti kërkuar Republikës së Malavit (vend që Skocia e sponsorizon për të dalë nga dëshpërimi ekonomik) njohjen e Kosovës.
Në këtë ministri, qysh në start të punës së tyre e kanë pranuar ngathtësinë dhe dështimin si formë e punës së tyre, kur ministri Skënder Hyseni i ka dhënë vetes liri pesëvjeçare, derisa Kosova të pranohet në OKB. Çdo shtet i ri duhet të shikojë të ardhmen me përparësi dhe pa pengesa, e pesëvjetori i paracaktuar nga zoti Hyseni është gabim trashanik, sepse në procesin e integrimeve që po kalon Ballkani, ku Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia hoqën vizat për në BE, dhe Shqipëria e Bosnje-Hercegovina janë në fazën përfundimtare, Kosova po mbetet jo vetëm delja e zezë, por edhe gropa e dështuar e politikave të dështuara.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, po ashtu nuk arriti që të bëjë as edhe një hap të vetëm në propagandimin ndërkombëtar të Kosovës, kurse përfaqësimi i delegacionit të Kosovës në Gjykatën e Hagës, u cilësua nga shumë njohës të së drejtës ndërkombëtare si “një paraqitje e qullur e disa kryetitujve të gazetave, pa lidhje të mirfilltë organike dhe strukturo-legale”. Një konstatim i tillë u bë nga pjesëtarët e ekipit ligjor të “Amnesty International” gjatë një seminari shkencor në Universitetin e Oksfordit më 20.12.2009, ku mori pjesë edhe autori. Sipas po të njëjtit konstatim, fatmirësisht, ishte paraqitja e fortë e shteteve në favor të Kosovës që solli argumente të mirëfillta dhe të strukturuara mirë, si psh, Shqipëria me paraqitjen e vet, mbështetur në të drejtën humanitare, Austria me paraqitjen e vet, bazuar në të drejtën e popujve për liri. Kroacia, me paraqitjen e vet, me argumentet nga shkatërrimi i ish-RSFJ-së, ShBA-të me paraqitjen e strukturës së forcës si mjet për ardhjen deri te qëllimi, që ndikuan që paraqitja në emër të Kosovës të shihet katërcipërisht si e fortë dhe e mbështetur në konkluza pozitive.
Në këtë mes, nuk duhet lënë pa e fajësuar edhe diplomacinë e Shqipërisë, e cila çështjen e Kosovës disi e ka vënë prapa shpine, ndërsa koncentrohet në ndreqjen e marrëdhënieve me Serbinë, gjë që treguan takimet e disahershme të ministrit të Jashtëm shqiptar me Vuk Jeremiçin si dhe gatishmëria e tij për të vizituar Beogradin. Ndryshe nga Shqipëria e Enver Hoxhës që më 1960 sponsorizoi hyrjen e Republikës Popullore të Kinës në OKB, kësaj radhe edhe pse pjesë të një kombi, Shqipëria po bën luftë shumë të dobët diplomatike për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës.
Kështu pra, në qoftë se Ministria e Jashtme e Kosovës do të bëjë bilancin e mirëfilltë të punës njëvjeçare, atëherë ky institucion duhet ti pranojë gabimet e veta dhe të punojë shumë e më shumë që ti përmirësojë ato, sepse pikërisht nga puna e tyre varet edhe suksesi ndërkombëtar i Kosovës.
(Doc. Gani Asllani, është ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Glasgout Britani e Madhe)

Ky lajm është publikuar: 25/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›