E Diel, 1 Nëntor 2026

Sektori i fasonit i kërkon qeverisë zbatimin e “paketës së shpëtimit”



Kriza që ka përfshirë sektorin me fason ka detyruar Dhomën Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, ti paraqes një paketë shpëtimi qeverisë. Drejtuesit e saj zhvilluan dje një takim me krerët e Ministrisë së Financave, ku iu paraqitën 10 pika. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se, “në këtë takim kanë marrë pjesë, z. Alfred Rushaj, zëvendësministër i Financave, znj. Mimoza Vokshi, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave Makroekonomike dhe Fiskale si dhe znj, Arjana Dyrmishi, drejtore e Drejtorisë së Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, nga njëra anë si dhe Flamur Hoxha, Kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, znj. Donika Mici, nënkryetare e DHKPVK-së si dhe znj. Lindita Legisi, anëtare e Bordit të DHKPVK-së. Flamur Hoxha iu tha drejtuesve të lartë të MF-së se pavarësisht disa përmirësimeve të pandjeshme në treguesit e punës dhe të biznesit në këtë sektor, gjendja vijon të jetë problematike, ka një numër të konsiderueshëm ndërmarrjesh me paaftësi të dukshme paguese ndaj shtetit dhe ndaj punëmarrësve, ka mungesa kontratash me kontraktorët e huaj, mbyllje të ndërmarrjeve fasoniste dhe pushim nga puna apo reduktim të numrit të të punësuarve në sektorin e veshjeve dhe të këpucëve. Vetëm një apo dy ndërmarrje, nga rreth 450 ndërmarrje në rang vendi, kanë tentuar të ndryshojnë ciklin e prodhimit, nga prodhim me mall porositësi, në prodhim “Made in Albania”. Në këto kushte, drejtuesit e Dhoma i kërkuan MF-së ndihmë në një paketë prej dhjetë pikash: 1. Heqjen e taksës së tatim-fitimit për sektorin e fasonit për një periudhë 3-5 vjeçare; 2. Subvencionimin e pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e rinj për një periudhë nga 1-3 vjet për sektorin e regjimit të përpunimit aktiv, duke marrë përsipër që punëdhënësi të paguajë pagesën e papunësisë dhe sigurimin nga aksidentet në punë; 3. Heqjen e plotë të TVSH-së dhe taksave doganore për importimin e linjave të prodhimit në fushën e konfeksionimit të veshjeve dhe këpucëve; 4. Mosndryshimin e pagës minimale në shkallë vendi për sektorin e fasonistëve deri në një periudhë të kapërcimit të krizës ekonomike; 5. Llogaritjen e taksës së punës (sig.shoq+sig. shënd+TAP) mbi bazën e ditëve faktike të punës dhe jo mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi; 6. Shtyrjen e afatit të deklarimit on-line të detyrimeve tatimore nga data 5 e muajit të deklarimit, deri në datën 10 të këtij muaji. 7. Përmirësimin e menjëhershëm të administrimit të rimbursimit të TVSH dhe rimbursimin sipas ligjit të TVSH se kreditueshme brenda 30 ditëve. 8. Kalimin e fondit të përcaktuar nga buxheti i shtetit për nxitjen e punësimit dhe trainimit profesional nga Ministria e Punës në Ministrinë e Financave dhe përdorimin e tij si stimul për të gjitha kompanitë që punësojnë punëtorë të rinj dhe vetpaguajnë për kualifikimin e tyre; 9. Implementimin e shpejtë dhe të detyrueshëm të deklarimit on-line të të punësuarve nga ana e ISSH dhe DPT, vonesa e të cilit sjell një kosto të konsiderueshme dhe penalitete të pabazuara për sektorin e fasonistëve; 10. Në kuadrin e amnistisë së premtuar fiskale të qeverisë, faljen e gjobave dhe kamat-vonesave për detyrimet e papaguara të taksës së punës për periudhën shtator-2008-dhjetor 2009, periudhë e identifikuar edhe nga treguesit fiskalë si periudhë krize e sektorit të regjimit të përpunimit aktiv. Zevendësministri Alfred Rushaj, premtoi se: do të ndërhyhet menjëherë për përmirësimin e administrimit të rimbursimit të menjëhershëm të TVSH, sipas premtimit të bërë nga qeveria dhe ligjit përkatës; për të mos ndryshuar në këto kushte pagën minimale në shkallë vendi për sektorin e fasonit dhe për të implementuar skemën e deklarimit on-line të punëtorëve të rinj etj.

Reforma e inspektimit, modeli sipas standardeve të BE-së

Sistemi i inspektimit duhet të pësojë një reformë të thellë përmes kombinimit të modeleve të tij. Në një përfundim të tillë ka arritur takimi i Task-Forcës për Reformën e Inspektimit, nën drejtimin e kryeministrit Berisha. Gjatë tij, u diskutua për praktika dhe procedura të harmonizuara, konsolidim sa më të gjerë tematik të Inspektorateve, si dhe për një centralizim, si domosdoshmëri për suksesin e reformës. Më tej, modeli u diskutua dhe u aprovua nga Task-Forca duke pasur në bazë implementimin e praktikës më të mirë evropiane, çka do të mundësojë përmirësimin e klimës së biznesit në vend, luftën kundër informalitetit e korrupsionit, si dhe rritjen e efikasitetit të inspektimeve në të gjitha fushat. Pas prezantimit të draft modelit që mund të ndjekë Shqipëria, duke iu referuar të gjitha vendeve (si Sllovenia, Kroacia, Holanda, Bosnja, Estonia, Suedia, etj.) që kanë adaptuar një ligj të unifikuar horizontal, për të mbështetur reformën e inspektimit, pavarësisht modelit që zbatojnë, u kërkuar dhe u ra dakord për hartimin e këtij ligji horizontal edhe për Shqipërinë. Ligji do të mundësojë njehsimin e procedurave, rregullave bazë, si dhe konsolidimin e inspektorateve (siç e kërkojnë dhe standardet e BE-së), do të përcaktojë saktë principet dhe qëllimin e inspektimit, procedurat dhe metodologjinë, penalitetet, apelimin, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e inspektorëve, llojet e inspektimeve e koordinimi midis tyre, si dhe kohëzgjatjen e inspektimit. Si një çështje tejet të rëndësishme Kryeministri shtroi dhe krijimin e sistemit E-Inspection, që mundëson krijimin e një data-base të inspektimeve, të përqendruar në inspektoratin qendror dhe të lidhur me link me data-base të trupave të tjerë si Dogana, Tatimet, QKL-ja, QKR-ja, etj. Ky sistem garanton informacion në kohe reale për tërë proceset që kanë të bëjnë me garantimin e cilësisë së shërbimeve e mallrave në treg apo para daljes në të, të mbrojë konsumatorët dhe biznesin, si dhe të pasqyrojë sjelljen e institucioneve inspektuese në sistem gjatë ushtrimit të detyrës.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›