E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Tragjike heqja e përmendores së 5 Heronjve të Vigut

>Deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi gjatë fjalës së saj në kuvend e ka cilësuar tragjike heqjen e përmendores së 5 Heronjve të Vigut në qytetin e Shkodrës. Për një paradoks të madh, në politikën e sotme në Shqipëri spikat një dukuri e egër dhe pa logjikë, mohimi i vlerave dhe simboleve antifashiste shqiptare. Kjo është një politik konstante dhe për fat të keq shumë e egër dhe absurde e fragmenteve vendimmarrëse të partisë së maxhorancës aktuale, ku ndikimi i ish kolaboracionistëve dhe pinjollëve të tyre është gati një hakmarrje e bashkëpunëtorëve të dikurshëm të fashizmit (që u mundën në luftën e dytë botërore) ndaj figurave të ndritura antifashiste. Kjo është tragjike, ka theksuar ajo. Reagimin ndaj kësaj ngjarje të heqjes së kompleksit skulpturor, deputetja e PS e ka cilësuar si një test të madh politik për të gjithë, si për të majtën dhe të djathtën.  Për të djathtën e them publikisht, mospranimi i vlerave antifashiste, të ngritura aq lart dhe në historiografinë e aleateve tanë euroatlantik, flet për karakterin jo demokratik të saj dhe për një konfuzion konceptual të saj për historinë. Nëse në heshtje dhe ky parlament aprovon këtë aksident të rëndë, jo thjesht historik por dhe moral, atëherë më duhet të kujtoj se një parlament demokratik nuk mohon antifashizmin, ka theksuar Meksi. Ajo e ka cilësuar antifashizmin si një nga vlerat e mëdha të integrimit evropian. Është kjo arsyeja që 9 Maji, dita e fitores së madhe antifashiste, kujtohet sot me madhështi kudo, si dita e Evropës. Pasi pa këtë fitore të madhe Evropa nuk do qe siç është sot dhe ku ne synojmë të bëhemi pjesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›