Buxheti i bashkisë së Korçës përplasje deklaratash PS-LSI
>Kryetari i Bashkisë së Korçës, përfaqësues i PS-së, Niko Peleshi e ka cilësuar këtë akt të turpshëm nga ana e LSI-së dhe e këshilltarëve të saj përderisa kjo forcë bashkëqeveris së bashku me PS-në bashkinë më të madhe të juglindjes, madje duke pasur edhe një nënkryetar në këtë njësi të qeverisjes vendore. "Synimi për të refuzuar buxhetin e bashkisë nuk mund të arrihet lehtë, ndonëse kjo lëvizje nuk ka sens" ka pohuar Peleshi.
Situata e pazakontë në Këshillin Bashkiak të Korçës ka nisur nga starti i mbledhjes së radhës, e cila përveç disa pika të tjera në rendin e ditës në fund do të votonte buxhetin e vitit 2009 me investime shumë të rëndësishme për qytetin e Korçës. Fillimisht ka reaguar PD-ja nëpërmjet kryetarit të grupit të saj në këtë organ vendimmarrës Pëllumb Beqiri, i cili ka deklaruar se nuk mund të votonte kurrsesi për një buxhet që sipas tij nuk i shërben Korçës dhe për më tepër kur bashkia nuk ka sjellë raportin e realizimeve të vitit të kaluar të kërkuar prej disa ditësh. Kaq është dashur që këshilltarët e djathtë të largohen duke bojkotuar mbledhjen dhe argumentin më të rëndësishëm të saj për këtë vit, ndërsa të njëjtën gjë ka bërë dhe LSI nëpërmjet kryetarit të grupit të saj Riza Ashimi. Edhe Ashimi gjatë fjalës së tij e ka cilësuar buxhetin e vitit 2009 si ta padukurin, përderisa nuk janë përfshirë kërkesat e qytetarëve të Korçës, ndërsa dhe ai ka pohuar se të tre këshilltarët e forcës që ai përfaqëson nuk mund të votojnë pro përderisa nuk iu është vënë përpara raporti i realizimeve të vitit të kaluar, kërkesë e njëjtë kjo me këshilltarët demokratë.