“Së bashku për standardet më të mira të minoritetit grek, jo për aleanca pazaresh”
Kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha zhvilloi një takim me Kristo Kiçon, kryetarin e Partisë M.E.G.A
Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen e njohur ndryshe si M.E.G.A. është rreshtuar në “Koalicionin për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” të drejtuar nga Partia Demokratike. Në këtë kontekst, Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi dje një takim me kryetarin e Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (M.E.G.A), Kristo Kiço dhe drejtues të tjerë të kësaj force politike, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin mes dy forcave politike.
“Unë dua të theksoj se mbetem shumë i impresionuar nga fakti se gjatë këtij takimi, drejtuesit e partisë M.E.G.A nuk paraqitën kërkesa për karrige, por kërkesa, të cilat të gjitha që lidhen me liritë, të drejtat, me jetën, investimet, infrastrukturën, me sigurinë dhe të gjitha problematikat e minoritetit grek në Shqipëri. Nga ana tjetër, kërkuan që në përputhje me ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare të kenë të gjithë hapësirën e merituar, për të luajtur rolin e tyre në një vend e sistem demokratik. Ramë dakord të punojmë së bashku, duke i garantuar se mbetem i vendosur për standardet më të mira për minoritetin grek dhe të gjitha minoritetet që janë në Shqipëri”, vijoi kreu i qeverisë, duke shtuar se, kërkesat e tyre janë kërkesa kryekëput të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare për minoritetin. Përgjegjësia e tyre është shumë madhe”, u shpreh Kryeministri Berisha pas takimit.
Marrëveshja me përfaqësuesit e M.E.G.A.-s për kryeministrin Sali Berisha është mbështetur kryesisht në mbrojtje të minoritetit grek dhe jo në interesa personale për karrige e drejtueseve të kësaj force.
Duke komentuar vendimin e kreut të PBDNJ-së për t’ju bashkuar koalicionit të majtë, kreu mazhorancës deklaroi se aleanca e pazareve ka dëmtuar interesat e përfaqësueseve të minoriteteve në vend. Në këtë pikë Berisha komentoi dhe dorëheqjen e anëtarit të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Veçanërisht dua të theksoj se kjo parti merr një rëndësi të veçantë, në një kohë kur partia tradicionale, do ta quaja, e minoritetit u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga aleanca e pazareve, në rastin konkret. Aleancë, në të cilën, edhe para firmosje së saj, viktimë e parë ishte përfaqësuesi i votës së minoritarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Unë dua të informoj qytetarët se nuk kisha ndërmend të angazhohesha dhe të mobilizoja votën për shkarkimin tij. Sikur zoti Dule të kalonte në anën tjetër, ne do ta zëvendësonim një nga përfaqësuesit tanë, por jo përfaqësuesin e minoriteteve. Nuk ka gjë më pa moral në qëndrimin ndaj minoriteteve, që edhe atë përfaqësues të vetëm t’ia bësh plaçkë tregu. Minoritetet nuk kanë nevojë për pazare, por për standarde të lirive dhe të drejtave njerëzore”, tha Berisha.
Kreu i MEGE-se Kristo Kici tha se vendimi për t’u bashkuar koalicionit të djathtë erdhi falë mbështetjes që gjetën kërkesat e minoritetit grek nga Partia Demokratike, të cilat nuk u përqafuan nga partitë e tjera me të cilat u negociua.
Kristo Kiço, duke falënderuar Kryeministrin, u shpreh se, “për përpjekjet këmbëngulëse e të sinqerta të partisë M.E.G.A, për bashkimin e minoritetit etnik grek në një aleancë të qëndrueshme, natyrale dhe të suksesshme për vetë minoritetin grek, nuk patëm reflektim nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në programin tonë, ne kemi në plan të parë zgjidhjen e problemeve të minoritetit etnik grek dhe jo përfitimet personale nga ndarja e pushteteve. Gjetëm mirëkuptimin e mbështetjen e Partisë Demokratike dhe veçanërisht të Kryeministrit, zotit Sali Berisha. Ndaj edhe sot jemi pjesë e këtij koalicioni. Programi ynë janë kërkesat e minoritetit etnik grek e do të përbëjnë boshtin e strategjisë politike të Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, e cila do ketë në parlamentin e ardhshëm përfaqësuesit e saj, që do të dalin nga zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Kiço.