Majlinda Bregu: “Nëse do kishim marrë statusin, do kishim më shumë studentë jashtë”

Konventa e Partisë Demokratike për Rininë u zhvillua pasditen e sotme në Pallatin e Kongreseve. Në një aktivitet madhështor ku merrnin pjesë qindra të rinj nga mbarë vendi ministrja e Integrimit Majlinda Bregu theksoi se, “nëse do të kishim marrë statusin, do kishim më shumë studentë që do të studionin jashtë dhe 76 milionë euro më shumë”.
Ajo tha se kontributi që BE ka dhënë e vazhdon të japë për të rinjtë shqiptar është jo vetëm për rritjen e kapacitetit profesional por edhe në shtimin e mundësive të punësimit.
“Nëse do të kishim marrë statusin e vendit kandidat këto vende pune do të shtoheshin. Në se do të kishim marrë statusin e vendit kandidat, fondet për shkollimin e punësimin tuaj do të ishin më të mëdha. Nëse vetëm për arsimin do të shkonin afro 30 milion euro më shumë në vit,do të kishim nga ju rreth 1800 studentë më shumë në vit, që do të kishin shansin të studionin në universitetet më të mira të botës”, deklaroi Bregu.