Subashi: Shqetësim për qendrat e votimit
Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, reagoi dje pas ndryshimit të vazhdueshëm të qendrave të votimit në disa zona të vendit. Sipas saj, “KQZ me një informacion që mund ta vlerësojë skandaloz nga njësitë e qeverisjes vendore është detyruar të bëjë një vendimmarrje, e cila për nga natyra e të funksionuarit nuk ka pasur elementet minimale të sigurisë. Uroj që politika vetë ta menaxhojë këtë situatë sepse në fund të fundit janë përfaqësues politikë, ata që janë kryetar bashkish e komunash. Deri në ditën që do të përfundojnë zgjedhjet dhe të jenë hapur qendrat e votimit që ne miratuam, me këtë shpejtësi unë sinqerisht e mbaj shqetësimin lidhur me këtë problem”, tha Subashi. Sipas Kodit Zgjedhor, kryetarët e komunave dhe bashkive duhet të dorëzonin para 2 muajsh para publikimit të listës përfundimtare të zgjedhësve, listën e objekteve të votimit. Afati jo vetëm që është shkelur, por vendorët kanë përcaktuar si qendra votimi 504 objekte private. Subashi theksoi se “çdo pasqyrojë në ditën e zgjedhjeve kjo vendimmarrje e KQZ-së në këto ambiente private? Druaj të paragjykoj po shqetësimin e kam të ligjshëm ta kem për këtë problem”. Nënkryetarja e KQZ-së theksoi se çdokush që nuk plotëson detyrimet që ka Kodi Zgjedhor për çështjet zgjedhore, duhet të përbëjë një objekt të shqyrtimit të KQZ-së, për një përgjegjësi administrative, pse jo dhe penale. Në të njëjtën kohë, nënkryetarja e KQZ-së ngriti shqetësimin edhe për listat e papublikuara të qytetarëve që nuk kanë marrë kartat e identitetit dhe për pasojë nuk mund të votojnë.