Meksikë/ Kartelet e drogës, 6 viktima
Policia meksikane ka gjetur 6 persona të ekzekutuar dhe të vendosur pranë njëri tjetrit në afërsi të qytetit kolonian të Cuernavaca-s, që ndodhet rreth 50 milje ose 80 km nga Mexico City. Pranë trupave të viktimave është gjetur gjithashtu edhe një makinë ku shiheshin qartë vrimat e krijuar nga plumbat. Kjo vrasje masive ndodh 4 ditë pasi bandat e drogës varën dy persona në njërën prej urave më të mëdha të qytetit, duke shënuar një pamje të tmerrshme jo vetëm për vendasit, por edhe për turistët. Të dy personat u gjetën të varur me litar në fyt javën e kaluar në Cuernavaca. Media meksikane njoftoi se atentatorët kanë qëlluar me breshëri ndaj vitkimave para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Përshkallëzimi i dhunës ka krijuar panik ne këtë vend që prej kohësh është bërë arenë e vrasjeve, e dhunës dhe e masakrave njerëzore si pasojë e rivalitetit për drogën. Për këtë arsye, Uashingtoni po kontribuon duke dërguar ndihmë më të specializuar, që konsiston në pajisje, në trajnimin e forcave policore si dhe në dërgimin e kontigjentit policor në Meksikë. Mjaft të mëdha janë edhe problemet ekonomike për këtë vend, ndërsa disa investitorë kanë ngrirë investimet e tyre në shumë sektorë, veccanërisht në fabrikat që ndodhen në qytetet kufitare me SHBA-në, sidomos në Ciudad Juarez, që është edhe vendi me statistikat më të larta të vdekjeve.