E Diel, 1 Nëntor 2026

Formula e pranimeve në universitete

15/06/2010 Afatet dhe procedurat që do të ndiqen në përzgjedhjen e degëve që mund t’ju bëjnë fitues

Kuotat e propozuara për degët më të kërkuara pranë fakulteteve të Universitetit të Tiranës

Ndryshimet e bëra në rregulloren e maturës 2010 u japin më shumë shanse maturantëve për të bërë zgjedhjet e duhura për t’u pranuar në universitetet publike vitin e ardhshëm akademik. Kjo pasi plotësimi i formularit A-2 me dhjetë preferencat për universitete do të nisë pas publikimit të notave të marra në katër provimet e maturës. Në këtë mënyrë, vetë maturanti do të bëjë një përllogaritje të saktë të rezultatit final me të cilën do të hyjë në garën e pranimeve për universitet, duke qenë se zotëron jo vetëm katër notat e provimeve, por dhe llojet e koeficienteve të degës së fakultetit dhe shkollës së mesme. Duke disponuar këto të dhëna, aplikuesi mund të përcaktojë nëpërmjet formulës tradicionale se sa pikë do të grumbullojë për rezultatin final. Megjithatë, koeficientet që do të përdoren në llogaritjen e rezultatit përfundimtar do të jenë të njëjta si për maturantët e 2010-s, ashtu dhe për ata që kanë mbaruar para këtij viti. Kjo e fundit është përcaktuar në rregulloren e këtij vitit, ku thuhet se kandidatët që do të hyjnë në garën e provimeve me rezultatet e mbartura nga vitet e shkuara, në procesin e llogaritjes së rezultatit final do të merren parasysh koeficientet e aprovuar nga Ministria e Arsimit gjatë 2010-s. Tashmë të gjitha universitet kanë depozituar në Ministrinë e Arsimit propozimet në lidhje me kuotat e pranimeve. Edhe këtë vit numrin më të madh të pranimeve do ta ketë Universiteti i Tiranës, për të cilin gjithsej për sistemin e ditës janë kërkuar rreth 5665 kuota, të shpërndara sipas degëve në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Roli i koeficienteve

Përzgjedhja e kandidatëve fitues sipas kuotave të propozuara për secilin universitetet do të bazohet në përllogaritjen e pesë komponenteve të maturës shtetërore. Përveç koeficienteve të lëndëve me zgjedhe tashmë janë përcaktuar edhe koeficientet për llojin e shkollës së mesme. Për kategorizimin e shkollave të mesme çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficiente, nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4), me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, të grupuara në 10 kategori kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Njëkohësisht janë miratuar tashmë edhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje, që variojnë nga 1.0 në 1.3.

Renditja e kandidatëve fitues do të përcaktohet sipas së njëjtës procedurë të aplikuar dhe në vitet e shkuara. Konkretisht, për të mbledhur sa më shumë pikë, në mënyrë që të renditen brenda vijës së fituesve, kandidatët duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e degëve në varësi të koeficientit. Sipas rregullores së provimit, përcaktohet se mundësia për të mbledhur më shumë pikë krijohet jo vetëm nga zgjedhja e programeve të afërta të studimit, por dhe nga lloji i koeficientit.

Në rast se maturantët do të zgjedhin programet e përafërta për të vijuar studimet e larta, atëherë dhe koeficientet që do të hyjnë në përllogaritje do të jenë më të lartë, çka rrjedhimisht sjell më shumë pikë në dispozicion të kandidatit. Nxënësi që ka mbaruar profilin shoqëror dhe zgjedh degë të po këtij profili, do të ketë koeficient më të lartë në përllogaritje sesa po të zgjidhte si programe studimi ato të profilit natyror

Notat e provimeve

Edhe notat e provimeve të detyruara do të luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e kandidatëve fitues. Kjo pasi jo të gjitha profilet e shkollave do të kenë të njëjtën peshë në rezultatin final. Për shkollat e mesme të përgjithshme, qofshin këto të profilit shoqëror apo natyror, në llogaritjen e rezultatit notat e provimeve të detyruara dhe ato me zgjedhje do të kenë të njëjtën peshë rëndësie, ku secila prej tyre do të vlerësohet me 20 për qind. Ndërsa për shkollat e mesme profesionale rëndësia e notave do të jetë e ndryshme. “Në shkollat profesionale: letërsia 15 për qind dhe matematika 25 për qind të rezultatit final. Në shkollat social kulturore: letërsia dhe gjuha shqipe 25 për qind dhe matematika 15 për qind. Në shkollat pedagogjike: letërsia dhe gjuha shqipe 20 për qind dhe matematika 20 për qind”, - përcaktohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›