E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meli në aksion

Kontributin e parë për AAK’në e Ramush Haradinajt ish-zyrtarja e lartë e LDK’së, Melihate Tërmkolli e nisi të hënën në vendlindjen e saj, në Bardh të Madh të Fushë-Kosovës.
Gjashtë nga nëntë anëtarët të Kryesisë së Nëndegës së LDK’së kaluan në AAK.

Në prani të më shumë se njëqind simpatizantëve të rinj, të mbledhur në shkollën e fshatit, Tërmkolli kishte organizuar një pritje për Ramush Haradinajn, për të cilin tha se meriton të jetë Kryeministër.

Aty u lexua edhe Letra për shuarjen e strukturës së LDK’së në këtë fshat.

“Kryesia e LDK’së në Bardh të Madh me shumicë të votave pushon aktivitetin në LDK dhe kalon në AAK”, ka qenë njoftimi i lexuar para Haradinajt dhe Tërmkollit.

Pas kësaj, Tërmkolli ka dhënë arsyet para bashkëfshatarëve pse duhet t’i bashkohen AAK’së.

“Ne do t’i bashkohemi Kryeministrit Haradinaj. Është fat i keq që partia që kemi punuar deri dje ka humbur shumë nga vlerat për të cilat ne kemi dhënë edhe jetë. LDK’ja tash është bërë një kafshatë e dreqit”, ka thënë Tërmkollin.

Gjatë aderimit të zyrtarëve të rinj të LDK’së në AAK, Ramush Haradinaj i ka dhuruar Tërmkollit një foto të tij me Ibrahim Rugovën. Kurse, Tërmkolli i ka dhuruar flamurin dardan Liderit të AAK’së.

Haradinaj ka folur para fshatarëve të Bardhit të Madh fjalë të mira për Melihate Tërmkollin dhe ka vazhduar me kritika në drejtim të Hashim Thaçit dhe Fatmir Sejdiut.

“Qeveria e sotme e z. Thaçi ka defekt të mëdha sesa një Qeveri që mundet me i pasë, më të thella dhe më të rënda që munden me i shkaktuar dëme vendit. Sot çka ka në Kosovë në mes të Sejdiut dhe Thaçit nuk është e mira e vendit”, ka kritikuar ai.

“Mos harroni se nuk është se ka ardhur Nëndega e LDK’së në Aleancë, por ne jemi duke u takuar në një Lidhje, e cila është në interes të vendit”, ka thënë ai.

Zyrtarët e LDK’së në Fushë-Kosovë thonë se largimet e anëtarëve të tyre nuk do të kenë ndikim të madh. Kryetari i LDK’së në këtë qytet, Abdullah Prebreza thotë se Melit iu bashkuan familjarët e saj.

“Jam i bindur se nuk do të kalojnë të gjithë. Mund të kalojnë një pjesë, kryesisht familjarët e Melihate Tërmkollit”, ka thënë Prebreza.

Ai madje paralajmëron se gjërat mund të ndryshojnë në të mirë të partisë së tij në Fushë-Kosovë. “Ka mundësi që një pjesë e Kryesisë së AAK’së të kalojë së shpejti në LDK”, thotë Prebreza.

Tubimi i AAK’së është mbajtur në Shkollën fillore “Zejnel Salihu”, me leje të drejtorit Ismet Bajqinca, megjithëse kjo është e ndaluar me ligj. “E kam marrë barrën mbi vete, sepse i kam lëshuar të gjitha partitë dhe nuk kam dashur të ndalojë tubimin e AAK’së, sepse kishin mundur me hy në forcë në shkollë”, ka thënë ai.

Buqinca, i cili është anëtar i Kryesisë së LDK’sa në Fushë Kosovë, thotë se partia e tij duhet të marrë ndonjë veprim për të mos i lejuar të ikin kuadrot e partisë që kanë kontribuar për më shumë se njëzet vjet.

“LDK’ja duhet të ndryshojë diçka dhe të mos lejojë të ikin njerëzit, sepse partia prej Kuvendit të karrigeve po shkon drejt rrënimit. Në AAK po shkojnë njerëz të fuqishëm të LDK’së, Blerim Kuçi, Haki Shatri dhe tash Melihatja”, ka thënë ai.

Ndërkohë, në AAK gjatë ditës së hënë ka kaluar edhe zyrtari i Ministrisë së Arsimit, Habib Aliu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›