E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Melodia e Natyres", arti konceptual i Lian Lutfise

Intervista/ Flet per "KJ" piktori qe jeton ne Turqi, i cili vjen ne vendlindje me ekspoziten e tij te trete

Per te nuk eshte vetem piktura forma permes se ciles artisti shpreh natyren magjepsese dhe konceptet e jetes. Poezia e muzika shkrihen fare natyrshem me piktorin Lian Lutfija, i cili keto dite ka celur nje ekspozite vetjake ne Tirane, te quajtur "Nature's Melody" ("Melodia e Natyres"). Ndersa kundrojne 25 tablote te ekspozuara ne Muzeun Historik, vizitoret kane mundesi te shijojne edhe tingujt e kitares, nen interpretimin e vete Lian Lutfise. Per punimet e tij, kryesisht ne permasa te medha dhe te punuara ne vaj ne stilin impresionist, autori eshte vleresuar edhe nga mediat prestigjioze turke si "me kendveshtrime te reja pasuruese". Liani ka nisur te pikturoje qe i vogel ne rrethet e piktures ne Pallatin e Pioniereve apo ne Pallatin e Kultures ne Tirane. Nga viti 1992-1996 kryen Liceun Artistik "I.A.A. Guzel Sanatlar Lisesi" ne degen e piktures ne Stamboll. Ne 1997 fitoi konkursin ne "USA Milwaukee Institute of Art & Design", ku u mbeshtet edhe me burse. Por nga 1997 - 2004 kreu Universitetin e Arteve "Arkitekt Sinani", dega pikture po ne Stamboll, ku u kualifikua "I Pari". Me pas karrieren e tij e ka zhvilluar kryesisht ne Stamboll me ekspozita vetjake dhe kolektive, ku nje prej te cilave eshte edhe pjesemarrja ne Bienalen e Stambollit.

Lian, perse e keni titulluar kete ekspozite "Natyre's Melody"?
Titulli u vendos me shume bazuar ne fjalen "peinture" qe nga frengjishtja do te thote ngjyre. Ka te beje me hiper-realizmin qe eshte zhvilluar ne shekullin e XIX dhe XX. Keto punime i perkasin harkut kohor qe nga viti 2006 deri ne 2010-en, por ne pergjithesi i perkasin vitit te fundit.

Piktura juaj mesa shohim eshte kryesisht impresioniste, apo jo?
Duket sikur eshte impresioniste, por ne fakt eshte ne bazat e klasikes. Jam pjese e nje gjenerate te re dhe sado te mundohesh te punosh klasiken, nuk e arrin dot ate qe kane bere dikur mjeshtrit e medhenj, ndaj do dale dicka e re. Ne fakt, emri impresionist i takon asaj epoke, por klasiken une nuk e kam lene pas dore edhe kur kam bere piktura post-impresioniste.

Ju nderthurni ne artin tuaj pikturen, muziken dhe poezine, madje ne celjen e ekspozites performuat per te pranishmit ne kitare. Si i keni bere bashke keto gjini?
Kete e kam bere qe ne lice, kur merresha njeherazi me muzike, pikture, poezi. Ne nje moment i dogja te gjitha poezite qe kisha, sepse njerezit kur i lexonin nuk i kuptonin dhe gati-gati me vinte turp. Megjithate, tani jam duke shkruar prape. Per dike mund te behesh i rendesishem vetem sepse ndjenjat e tij apo situata te te perditshmes, ti ia shpreh ne art. Arti dhe jeta e perditshme funksionojne njelloj. Nese ti nuk i shpreh ndjenjat, ato mblidhen e mblidhen brenda teje dhe normalisht nuk ndjehesh mire. Edhe une, kur nuk e shpreh pasionin tim, ndjehem keq. Matematika ishte ajo qe nuk lejonte qe arkitektura me muziken te bashkoheshin. Por, duke punuar ne baze te rregullave, je ti ai qe i bashkon. Duhet te dini qe edhe peizazhi ka muzike brenda.
Eshte dituri qe nje moment i shprehur ne poezi, te pershkruhet edhe permes muzikes, apo qofte permes piktures. Keshtu qe une jam munduar te bashkoj pikturen dhe muziken. Shoh gjithmone anen artistike, duke e lene totalisht menjane politiken. Ana artistike eshte nje strehe per mua. E them kete pasi nese do shihja shume televizion, debate politike etj., do e kisha te veshtire te shkeputesha fill me pas per te pikturuar. Piktura eshte shume e ndryshme nga politika, jane dy gjera shume te kunderta.

Kjo piktura qe quhet "Hajduti dhe pushime ne plazh" te kujton paksa Pikason, apo jo?
Po ne fakt, te kujton Pikason, kubizmin dhe surrealizmin si rryme. Kjo pikture qe titullohet "Hajduti dhe pushime ne plazh", ka nje koncept shume te thjeshte; kur vijne momentet e stresuara ne jete, per mungese financash, kriza etj., mire eshte qe njeriu te qetesohet, te mbledhe veten duke pushuar dhe reflektuar. Per te dale te hajduti i piktures sime, dua te them ne kete linje se edhe koncepti i burgut keshtu eshte, ai qe denohet qendron i mbyllur per te reflektuar. Te gjitha keto jane koncepte, ndaj edhe arti ekziston per t'i shprehur, gje qe eshte shume e rendesishme. Une personalisht jam relaksuar shume kur e kam kuptuar kete gje. Nese une shpreh me artin tim nje koncept, kjo mund t'i vije ne ndihme dikujt qe eshte ne veshtiresi.

Nga jeni frymezuar per te realizuar keto punime shumengjyreshe ne vaj?
Jam frymezuar nga nje piktor baroku gjerman, ka bere piktura me oficere te ndryshem duke drekuar, te mbledhur se bashku etj. Nderkaq, ngjyrat jane te shumellojshme dhe ndahen ne kategori. Keshtu, ka jeshile qe eshte clodhese, ose me te qeshur, jeshile qe te godet etj.

Cilen ane tuaj keni dashur te shprehni permes autoportretit tuaj, te ekspozuar ketu?
Pas atij portreti une kam shkruar nje poezi, e cila thote: Ora eshte 19:30, dje ishe ti, sot degjoj vetem tik-taket e saj. Pra, dicka qe une kam bere dje, nuk e kam me sot. E kuqja ne pikture eshte zjarri, permes se ciles une kam dashur te bej kete portret. Te tjerat i mbeten atij qe e sheh per t'i kuptuar...

Cfare ndryshimi dhe evoluimi ka ne kete ekspozite, ne raport me 2 te meparshmet qe keni realizuar ne Tirane?
Mendoj se ka ndryshim piktura, por koncepti eshte i njejte, pasi kur meson dicka, ajo mbetet perjete. Kur meson dicka, mund te besh me te disa ekspozita, nje, dy, tre... Synimi im eshte te behem specialist arti, jo karrierist, pra jo te synoj famen. Per ekspoziten tjeter do perpiqem te kap dhe te gjej dicka me te re.

Si i shihni artistet e rinj te artit viziv ne vendin tone, si eshte klima ku ata zhvillojne pasionin dhe talentin e tyre?
Artistet e rinj i shoh mjaft te talentuar, por nuk kane kushte per te zhvilluar artin e tyre. Gjeja me kryesore qe nuk duhet te mungoje eshte baza materiale, pra nese ti i bie kitares, por te mungon kitara, si mund te rritesh profesionalisht?! Po keshtu, them se ndoshta eshte me mire qe artistet e rinj te shohin mjeshtrit e piktures dhe te zhvillojne me tej vetveten. Gjerat qe po i them une, jane ato qe na kane thene mesuesit tane ne vite. "Kapni kohen dhe studioni te ashtuquajturit ustallare". Duhet kuptuar qe piktori eshte vegla dhe baza e arkitektit, grafikes, baza edhe ndoshta e nje biznesmeni apo ekonomisti. Nje artist me mjeker qe njerezit e shohin disi cuditshem, eshte udhezuesi i shume te tjereve.

Se fundmi, si eshte pritur deri tani kjo ekspozite? A jeni i kenaqur, duke iu referuar vleresimeve te atyre qe e kane vizituar?
Eshte pritur me te vertete shume mire, ndaj kam arsye te ndjehem mese i kenaqur.
Intervistoi: Fjoralba Shahaj

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›