E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memecë mes “ferrit” në punishten e vdekjes

23/02/2010 Gërdeci, ish-punonjësit tregojnë për vendin e tmerrit

TIRANË- Gjatë kohës që ishin të punësuar pranë fabrikës së Gërdecit, asnjë prej 150 punonjësve nuk kishte bërë ankesë për kushtet e punës, për mungesën e kontratës, apo për faktin e punësimit të të miturve. Pas 15 marsit 2008, të gjithë punëtorët, familjarët e atyre që humbën jetën dhe disa prej specialistëve të demontimit të predhave dhe fishekëve, filluan të ngrenë zërin dhe të dënojnë mënyrën se si është kryer detyra. Një skenë e njëjtë me disa seanca më parë, ka qenë edhe dje në gjykatën e Tiranës, ku tetë punonjës të fabrikës kanë folur për kushtet e punës dhe për mënyrën se si janë trajtuar. Kanë treguar se në punë ishin pa kontratë, kanë demontuar fishekë dhe predha të kalibrave të ndryshëm, kanë parë të punësuar të mitur dhe asnjëherë nuk janë njohur me kushtet e sigurisë. Bari Poçi tha para gjykatës së ditën e ngjarjes ka qenë duke punuar në krahë të majtë të portës së fabrikës. Sapo kishte përfunduar punën dhe priste punë tjetër, ndërkohë që flakët nuk i dhanë mundësi. Edhe pse mes flakëve ai tha se ishte kthyer për të marrë gruan, e cila kishte marrë flakë në kurriz. Pasi shoi flakët është larguar nga fabrika dhe rrugës ka gjetur shtatë gra të tjera, të cilat i ka marrë me vete dhe janë siguruar në një bunker. Prej andej kanë dalë pas 2 orë e 30 minuta, kur flakët ishin shuar. Të njëjtin tmerr kanë parë me sytë e tyre edhe disa punonjës të tjerë të fabrikës, të cilët ditën e 15 marsit arritën të shpëtonin. Pas dhënies së dëshmive kanë bërë një reagim me anë të një letre edhe avokatët mbrojtës. 15 prej avokatëve i kërkuan gjykatës zhvillimin e gjyqit një herë në javë në pamundësi për pjesëmarrje dy herë në javë. Avokatët thanë se kanë edhe procese të tjera që duhet t’i ndjekin dhe për këtë arsye duhet të jenë më të lirë. Pasi e nënshkruan letrën, avokatët ia dorëzuan trupit gjykues.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›