E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, trefishohen faturat e energjisë elektrike

23/02/2010 Fierakëve u duhet të paguajnë shumë nga 15 mijë-25 mijë lekë për janarin

“E pamundur të harxhohen kaq shumë, ndërsa kemi përdorur gazin”

FIER- Trefishohen shumat e faturave të energjisë elektrike për shumë abonentë fierakë. Fenomeni në fjalë edhe pse ka shumë kohë që diskutohet, këtë herë është bërë më tepër se shqetësues. Faturat e mbërritura në disa familje fierake variojnë nga 15.000 deri në 25.000 lekë të reja, e ndërsa qytetarët nuk janë të bindur se kanë arritur të harxhojnë një sasi të tillë energjie, brenda një muaji të vetëm. Prej disa kohësh një shqetësim i tillë vazhdon të jetë prezent në qytetin e Fierit, e ndërsa ditët e fundit ka prekur një pjesë të mirë të familjeve. Ka qenë mbërritja në banesat e qytetarëve e faturave elektrike të muajit janar, ajo që ka alarmuar së tepërmi ata, të cilët pasi kanë parë shumën që duhet të paguajnë, kanë shfaqur edhe shenjat e para të zemërimit, duke e cilësuar si padrejtësi këtë veprim. Pikërisht në këto fatura, shumat janë në mbi 15 mijë lekë të reja, çka realisht, sipas vetë qytetarëve, nuk konsumohet prej tyre. Sipas këtyre të fundit, shuma e vendosur në faturë ka pasur një rritje të ndjeshme dhe krejtësisht të pajustifikueshme, pasi nuk mund të konsumojnë një sasi kaq të madhe energjie brenda një muaji, ku për një pjesë të mirë të punëve të përditshme përdorin edhe gazin e lëngshëm. Për këtë arsye ditën e djeshme disa familje të lagjes “Celigrad”, kanë ngritur zërin e tyre për këtë padrejtësi, e cila është krejtësisht e pajustifikueshme. “Është e pamundur që faturisti të vendosë një shumë të tillë në faturën e dritave. Ne si familje, por edhe shumë fqinjët tanë kemi gatuar dhe ngrohemi me gaz dhe energji konsumojmë rreth 3 mijë lekë në muaj, por faturat e muajve dhjetor dhe janar kanë ardhur me disa qindra kilovat më shumë, gjë që rrit edhe vlerën e saj. Këto kilovat janë faturuar nga punonjësit e ndërmarrjes pa parë fare sahatet matës të energjisë. Kemi shumë kohë që nuk arrijmë të shohim asnjë faturist të vijë e të hapë bokset, që qëndrojnë të mbyllur, ndërsa energjia faturohet sipas dëshirës. Si mund një familje me vetëm dy persona të konsumojë kaq shumë drita sa harxhon një fabrikë e tërë. Faturat jemi të detyruar t’i paguajmë, sepse nuk mund të biem në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe të përballemi me mungesë të energjisë, por për këtë fenomen duhet të vendosen përpara drejtësisë ata që bëjnë këto shkelje në dëmin tonë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›